Prokuroria: Do të pyetet Ardian Fullani dhe zyrtarët e lartë të BSH-së
“Nën hetim është marrë dhe drejtori i Thesarit, i afërm me Guvernatorin”
Përgjegjësia mund të shkojë edhe te zyrtarët e Auditit të Bankës së Shqipërisë, që nuk konstatuan vjedhjen katërvjeçare
Hetimet për skandalin e supervjedhjes në Thesarin e Shtetit do të përfshijnë edhe krerët e lartë të Bankës së Shqipërisë. Prokuroria e Përgjithshme deklaron se do të pyesë të gjithë zinxhirin komandues të BSH-së, përfshirë Guvernatorin Ardian Fullani dhe drejtuesit e tjerë. Nga verifikimet e deritanishme ka rezultuar se dy persona janë arrestuar dhe ata janë Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzi, ndërsa përgjegjësi kanë edhe të paktën tre persona, pjesë e auditit të Thesarit. Por, edhe drejtuesit e këtij institucioni të rëndësisë së veçantë dhe të konsideruar “top sekret” për mënyrën e funksionimit mund të kenë përgjegjësi, për veprime dhe mosveprime. Ndërkohë, përgjegjësia mund të shkojë edhe te zyrtarët e Auditit të Bankës së Shqipërisë, që, për katër vite me radhë, nuk kanë konstatuar këtë vjedhje. Për të saktësuar të gjitha hallkat e sistemit që nuk funksionoi për të parandaluar këtë vjedhje që u shtri në kohë për katër vjet, grupi hetimor ka përpiluar një listë të gjatë dëshmitarësh, mes të cilëve qëndron edhe zoti Fullani.
Bashkëpunimi i Bitrajt
Supervjedhja në Thesarin e Shtetit mund të ketë qenë e organizuar dhe jo veprime individuale nga dy të arrestuarit, që kanë qenë punonjës të rolit bazë. Ky është dyshimi i Prokurorisë së Përgjithshme, e cila nuk e ka marrë të mirëqenë dëshminë e të arrestuarit Ardian Bitraj, sipas së cilit, vjedhjen e ka kryer i vetëm dhe dijeni ka pasur vetëm kolegia e tij, Mimoza Bruzi. Akuza ka filluar prej ditësh një hetim pasuror ndaj Bitrajt, por edhe ndaj personave të tjerë, pasi ka dyshime se rrëfimi i tij mund të ketë qenë pjesë e një skeme të parapërgatitur. Dyshimet janë se një pjesë e vogël e parave janë lënë në lojërat e fatit, ndërsa pjesa tjetër është transferuar jashtë vendit. Hetuesit mendojnë se për vjedhjet Bitraj është ndihmuar dhe nga persona të tjerë të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtorë të tij. Hetuesit kanë kërkuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë të kontrollojnë dhe verifikojnë numrat e serisë së kartëmonedhave. Kjo pasi një pjesë e mirë e parave të vjedhura nga Ardian Bitraj ishin para të cilat do të asgjësoheshin, ndërsa kanë dalë jashtë qarkullimit.
Menaxhimi i bankës
Skandali i bujshëm në Bankën e Shqipërisë, ku Thesari i Shtetit u vodh për katër vjet me radhë, ngre një sërë pikëpyetjesh të forta mbi rolin e disa institucioneve njëherësh, që prekin deri sigurinë kombëtare. Së pari, mbi vetë Bankën e Shqipërisë. Sipas Top Channel, detyra themelore e bankës është të garantojë sigurinë e sistemit financiar, duke e mbikëqyrur atë për të mos lejuar keqmenaxhimin, abuzimet apo dhe korrupsionin brenda bankave private, që do të vinin në rrezik paratë e qytetarëve. Dështimi dhe paaftësia për të ndalur një vjedhje disavjeçare në shuma marramendëse, brenda vetë strukturave të saj dhe në kasafortën, që duhej të ishte më e sigurta në vend, përveç se cenon rëndë imazhin e autoritetit që qeveris sistemin financiar, përcjell një mesazh të fortë negativ për publikun. Për shumë kritikë, ngjarja reflekton mënyrën se si administrohet prej vitesh Banka Qendrore. Për disa vjet, posti i zv/guvernatorit administrativ, i cili duhet të merret me çështjet e brendshme, është mbajtur vakant, edhe pse organigrama e bankës është e përcaktuar me ligj.
Familjarët e Guvernatorit
Nga ana tjetër, rekrutimet e stafit kanë qenë shpesh të përfolura për nepotizëm dhe shkëmbim favoresh me pushtetin. TCH thotë se, koincidencë apo jo, vetë drejtori i departamentit, në të cilin ka ndodhur vjedhja, është njeri shumë i afërt me Guvernatorin.
Grabitja e Thesarit mund të jetë edhe krim ordiner i një magazinieri, por në thelb ajo dëshmon rënien e një sistemi të tërë. Atij sistemi, që duhet të garantojë, së pari, sigurinë financiare, dhe, më shumë akoma, atë kombëtare. Pasi përtej bankës, ngjarja hedh përgjegjësi zinxhir mbi një sërë institucionesh të tjera. Miliona dollarë të xhiruara me lehtësi në industrinë e kumarit, ngrenë pikëpyetje me radhë mbi autoritetin e lojërave të fatit, agjencinë e pastrimit të parave, shërbimet inteligjente dhe institucione të tjera, që merren me sigurinë kombëtare. Pasi, nëse kanë dështuar kaq vjet të diktojnë një punonjës të thjeshtë, të xhirojë miliarda lekë në kumar, sa gjasa ka që e kanë bërë këtë me grupet e fuqishme kriminale, paratë e të cilëve mund të burojnë nga trafiqet apo kanale të tjera kriminale?
Heshtja e politikës
Në fund, superskandali ka nxjerrë në pah edhe një tjetër çështje. Kurrë më parë, Parlamenti dhe politika nuk ka heshtur përballë një ngjarjeje me këto përmasa. Madje, lufta politike ka qenë e ashpër edhe për skandale shumë më të vogla, pa pyetur nëse çështjet mund të ishin apo jo nën hetim. Këtë herë, ndonëse ka kaluar më shumë se një javë nga shpërthimi i skandalit, vjedhja në Bankën e Shqipërisë ka qenë jashtë axhendës së të gjithëve. Së pari, jashtë axhendës së mazhorancës, e ardhur në pushtet me premtimin për të drejtuar ndryshe. Për të ndërtuar shtet, aty ku s’kishte dhe për të luftuar korrupsionin.
Së dyti, jashtë axhendës së opozitës dhe organeve të saj të shtypit. Asaj opozite, që del çdo ditë në media, edhe kur në rrugë ka një aksident, por që hesht kur vidhet Thesari. Një fenomen, që ngre një tjetër pikëpyetje, mbi atë nëse, a janë apo jo marrëdhëniet mes Parlamentit dhe politikës në tërësi, me Bankën, thjesht dhe vetëm institucionale? Apo janë deformuar nga të tjera interesa, të cilat sot mund të kenë blerë heshtjen e përgjithshme. Në media janë publikuar në masë emra familjarësh të deputetëve, që punojnë në Bankën e Shqipërisë. Një marrëdhënie, që ngjan më shumë me një biznes. Dhe ky nuk është një lajm i mirë. Pasi, Parlamenti është institucioni i vetëm, që ka autoritetin dhe detyrën për të korrektuar sistemin e rënë.