Protesta dhe “Trekëndëshi i Bermudës” shqiptare!
Nuk kishte pasqyrë më të mirë, për të parë pamjen reale të asaj që fshihej pas ballos me maska që luhej prej një jave përballë ministrisë së Arsimit, sesa ajo që ndodhi këtë të martë: Pas ultimatumit të orës 16.00, nga një, kemi tashmë TRE “protesta studentore” në kryeqytet.
Ishte thenë ditët e fundit në media, se përballë zyrës së Lindita Nikollës kishte tre megafonë, tre qendra organizimi, tre halle të ndryshme, tre lloj kërkesash e për rrjedhojë tre ultimatume. Maskat ranë dhe tashmë shfaqja e vërtetë, tashmë sapo ka filluar.
E para, ata që qëndruan tek Rruga e “Durrësit” ku edhe e kanë nisur e me sa duket do ta përfundojnë protestën e tyre, janë studentët e mbështetur nga të gjithë qytetarët e zakonshëm, sepse kanë vërtetë hallin që artikulojnë, për tarifat dhe kushtet e tjera që duhen rregulluar në universitet.
E dyta, ajo e “Zogut të Zi” u kuptua shumë shpejt se ishte protesta e “studentëve” të Partisë Demokratike që kërkonin veç nervangritjes së drejtuesve të makinave, edhe përplasjen doemos me policinë.
E treta, ajo e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përballë zyrës së Edi Ramës, ishte protesta e LSI dhe e kujtdo opozitari tjetër në këtë qytet, që kërkon të fitojë çtë mundi nga qethet e arta publike, që prodhon pema e hallit real të studentëve që janë jashtë forumeve rinore të partive politike.
Ky trekëndësh i ri, i gjallë, “rinor”, politik, virtual, real dhe i zëshëm në Tiranë nuk është gjë tjetër, veçse një kryevepër e inxhinierimit e frikës dhe hallit më të madh, që ka sot klasa politike shqiptare në përgjithësi, por opozita, PD dhe LSI në veçanti.
Eshtë Trekëndëshi i Djallit. Trekëndëshi i Mallkuar. Eshtë Trekëndëshi i Bermudës shqiptare. Eshtë ajo zonë e cila, ashtu si edhe Trekëndëshi i Bermudës së vërtetë në oqeanin Atlantik që përpin avionë, anije e tragete, do të përthithë shumë shpejt brenda saj, gjithë protagonistët e mistereve të pazbardhura të 28 viteve të fundit në jetën shqiptare.
Po pse pikërisht këtë ditë dhe këtë orë, i gjithë ai skenar i “bukur”, gjithë ajo regji “misterioze” si tek filmat e luftës së yjeve, për gjithë atë shfaqje “spektakolare” që me aq shumë mund kish që në verë që nisi të përgatitej kushedi se ku…, u shpërbë dhe u rikthye në identitetin e saj real?
Çfarë ndodhi që u duhej aq shumë që ti çonin të gjithë më çdo çmim përpara kryeministrisë? Çfarë nevoje jetike i donte të gjitha akset kombëtare të bllokuara këtë ditë, me militantët e partive të tyre, që u duhej veç të tjerash të dilnin në rrugëve shqiptare edhe me kërkesa “franceze”? Çfarë halli i madh dhe çfrikë e parrëfyer, i detyroi që në 11 dhjetor, ta kërkonin “përmbysjen e madhe” edhe me çmimin e prishjes së magjisë së një proteste si kjo?
Përgjigja është fare e thjeshtë. Mjafton që të kesh lexuar të vetmin preokupim që kishin SHBA dhe BE për të njëjtën ditë në Shqipëri. Ishte dita e ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Nesër është mbledhja e gjyqtarëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ). Eshtë dita kur nisi ngritja e institucioneve të reja, të drejtësisë së re, të një Shqipërie të re, pa klasën e vjetër politike të mëkateve të tyre të vjetra e të reja.
“Ndërtimi i vazhdueshëm i instituicioneve të reformës së drejtësisë duhet të mbahet dhe të konfirmohet këtë javë, ndaj mos e humbni këtë shans për ASNJE arësye”,- thanë SHBA dhe BE. Krijimi i këtyre strukturave “është një hap thelbësor në rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE,- përfundon deklarata.
Pas kësaj, është fare e thjeshtë, që të kuptohet se çfarë ndodhi dhe pse ndodhi që protesta e studentëve, prodhoi edhe dy protestat e tjera. Një te “Zogu i Zi” dhe një tjetër poshtë zyrës së Edi Ramës. Eshtë hall i madh që të kesh bërë ato që ka bërë elita e kësaj klase politike pas 1990 në Shqipëri, e më në fund të nisin punën institucionet e reja, të një drejtësie të re, të një sistemi të ri që nuk komandohet më prej saj.
Ndaj, duhet tia mirëkuptojmë edhe protestën e Zogut të Zi edhe atë poshtë zyrës së Edi Ramës. Trekëndëshin e mirëkuptojmë besoj pas kësa të gjithë. Por Bermudës nuk kemi çi bëjmë. Ajo e ka zakon të keq, që të përpin dhe nuk të lë më asnjë shans, që të shpëtosh pas kësaj!/