Protesta e 20 shkurtit, si shenjë se opozita projekton normalitet
Mbrëmë, falë elektrizimit që prodhoi protesta e opozitës, kishte më shumë entuziazëm se sa mban prej kohësh mitra e lodhur e ngjarjeve shqiptare.
Pjesëmarrja trajtohej si jonormale dhe krahasimi bëhej me 7 korrikun 2022, një demonstrim shprese dhe fuqie, i cili ende kujtohet me notalgji në qarqet opozitare në Shqipëri.
Debati për numrat mund të vazhdojë gjatë, ashtu si edhe skeçi i përhershëm me dron dhe pamje nga lart në stacionet qeveritare, por për fytyrën e normalitetit që ofroi protesta, nuk foli thuajse askush.
Dhe askush nuk mund të fajësohet, pasi normalitet konsiderohet prej vitesh e kundërta e tij.
Protesta e djeshme duhet parë, jo si prodhim i anormalitetit, por të kundërtës, nevojës për normalitet politik.
Edhe mënyra e zgjedhur prej Sali Berishës për të mbajtur fjalimin, me një foltore dhe banerin e zakonshëm të komunikimit opozitar, ishte një përpjekje për të përcjellë normalitet. Ata që mund ta ndiqnin protestën rastësisht, pa ndonjë njohje specifike të Shqipërisë dhe të kontekstit politik të saj, nuk do të mund ta kuptonin dot se Sali Berisha, ishte një lider që fliste nga izolimi. Berisha dukej dje sikur fliste nga sheshi, ishte para protestuesve dhe fizikisht në ballë të tyre.
I tillë, një ushtrim normaliteti ishte edhe fjalimi i tij. Aq shumë i tillë sa dukej se e përqeshte anormalitetin e Edi Ramës me programacionin e vet, me minimumin jetik, rrogat, investimet, Shqipërinë e së ardhmes etj.
Berisha ishte një Navalny shqiptar që kërkonte ta verbonte opresionin qeveritar me pasqyrat arkimediane të ligjësive të normales.
Ndërsa shefi i opozitës e vishte me normalitet Shqipërinë, Edi Rama, që nga takimi me Erdoganin në Ankara ngulmonte për të kundërtën. Prania policore në Bulevard, ishte e tillë sa dukej sikur nuk ishin shqiptarët që po protestonin në Tiranë, por kurdët në Turqi. Gjuha, përherë e gatshme, për ta trajtuar si anormale opozitën e vendit nga shpura medikatike proqeveritare, edhe mbrëmë pas protestës shpërndante toksina belicioze.
Policët civilë në turmë dhe shoqërimi i protestuesve, apo dhe inskenimi i ‘hetimeve’ para Kryeministrisë ishte pjese e skenarit të pushtetit për të mbajtur gjallë pamje të anormalitetit.
Një tjetër pamje e normalitetit, që siguroi opozita, është fakti se ata që ishin mbrëmë në Bulevard nuk qenë shqiptarë të patronazhuar apo të detyrurar nga shefi dhe nga puna në shtet. Ata qenë shqiptarë me vullnet të lirë të cilët i dhanë një mësim të gjithëve, se çfarë është liria dhe çfarë normaliteti. Sidomos atyre që konsiderojnë normale mungesën e disidencës, të opozitarizmit dhe të një pushteti që vazhdon pa konkurencë dhe përtej ligjit.
Këta të fundit i shihje mbrëmë studiove. Gjysmë të kërrusur dhe të dorëzuar ata e pranonin më fund opozitën, por jo normalitetin. Ende të bezdisur prej tij, ende pengje të nevojës që anormalja e pushtetit të jetë modus vivendi i gjërave.
20 shkurti, si mbrëmë, si para 33 viteve, mbetet shenja se, një pjesë e shoqërisë e kthen vendin në normalitet, pikërisht kur normalja duket e pamundur.
Të rrëzoje shtatoren e Enverit 33 vjet më parë ishte futje e Shqipërisë në normalitet. Të demonstrosh sot se gjërat nuk janë siç i paraqet Edi Rama, është gjithaq normalitet./politiko.al/