Kronika

Protesta: Procedohen 10 deputetë, mes tyre edhe Kryemadhi

Policia e Tiranës dhe Prokuroria e Rrethit të Tiranës kanë vendosur procedim në gjendje të lirë për 10 deputetë, pas protestës së djeshme. Deputetët e opozitës akuzohen për prishje të rendit dhe kundërshtim të Policisë. Deputetët e proceduar janë: Monika Kryemadhi, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi, Endrit Braimllari, Klevis Balliu, Flamur Noka, Gent Strazimiri, Ervin Salianji, Grida Duma, Edi Paloka.

Procedim në gjendje të lirë ka nisur edhe ndaj Sali Luzhës, babait të rapper-it Stresi.

Deklaratë e përbashkët e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë

Arrestohen 6 persona dhe procedohen 2 të tjerë në gjendje të lirë për veprime të dhunshme në protestë ndaj Policisë së Shtetit.

– 10 deputetë procedohen në gjendje të lirë për prishje të rendit dhe kundërshtim të Policisë.

– 1 shtetas procedohet për organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme Specialistët e Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, në vijim të veprimeve për evidentimin, dokumentimin dhe kapjen e shtetasve që kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë gjatë prostestës së opozitës të zhvilluar në datën 18 dhjetor 2017 para Kuvendit të Shqipërisë, kanë bërë arrestimin në flagrancë, të:

• Renato Xhihani, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë;

• Ervis Hajredini, 21 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

• Igli Hasani, 24 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

• Fanol Prifti, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

• Sokol Vuçeta, 46 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (i dënuar më parë);

• Shyqri Proshka, 33 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë. Arrestimi u bë pasi gjatë protestës së djeshme, zhvilluar në sheshin në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, personat e sipërcituar në mënyrë aktive kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhja e sendeve të forta në drejtim të punonjësve të Policisë, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës, vepër penale e parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit:

• E.M, 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë;

• S.L., 52 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Procedimi në gjendje të lirë i tyre u bërë pasi gjatë protestës kanë kryer veprime aktive në nxitjen e turmave dhe kanë ndihmuar me veprime aktive në prishjen e kordonit të Policisë, me qëllim hyrjen në ambientet e brendshme të Kuvendit.

Si pasojë e veprimeve të dhunës nga personat e mësipërm, morën dëmtime të konsiderueshme trupore 6 punonjës Policie, të cilëve iu dha ndihma e parë dhe disa prej tyre vijojnë trajtimin mjekësor.

Po në vijim të veprimeve ka filluar procedimi penal për veprën penale të “Prishjes së rendit dhe qetësisë publike’, parashikuar nga neni 274 Kodit Penal në ngarkim të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë: F.N., G.D. dhe E.P.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, parashikuar nga neni 235/2 Kodit Penal, në ngarkim të deputetëve: M.K., F.N., E.S., I.B., K.M., F.K., K.B. dhe G.S. Për shtetasin E.B., ka nisur procedimi penal për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button