Ekspozita

“Provokimi” Toscani sot në Tiranë

Një udhëtim në botën eksentrike të fotografisë që ka karakterizuar gjithmonë punën e një prej fotografëve më të mëdhenj italianë: Oliviero Toscani. Një jetë suksesesh dhe eksesesh që e bënë fotografin milanez një nga personazhet më të diskutuar, më të kritikuar e më të dashur të kohës tonë.
Për të gjithë të apasionuarit pas fotografisë, modës, por edhe për gazetarët e editorialistët Toscani do të jetë sot në Tiranë në një “open discussion” për të folur përmes fotografisë së tij, të cilat janë kthyer në manifeste sociale, si një mënyrë për të treguar e komunikuar realitetin ndryshe, sepse për Toscanin imazhet thonë më shumë fjalë.

051
I njohur në botë si forca krijuese prapa emrave të gazetave më të famshme dhe markave të botës, ka krijuar imazhin e korporatave dhe fushatave publicitare ndër vite për Esprit, Chanel, Robe di Kappa, Fiorucci, Prenatal, Jesus, Inter, Snai, Toyota, Ministrinë e Punës, të Shëndetësisë, Artemide, Ëoolëorth dhe të tjerë.
Oliviero Toscani, djali i fotoreporterit të parë të Corriere della Sera, ka lindur në Milano në vitin 1942 dhe ka studiuar për fotografi dhe arte grafike në Universitetin e Arteve të Zyrihut nga viti 1961-1965.
Si një fotograf mode ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon ende me revista të tilla si Elle, Vogue, GQ, Harper’s Bazaar, Esquire, Stern, Liberation dhe shumë botime të tjera nëpër botë
Kohët e fundit ka bashkëpunuar me Ministrinë e Mjedisit dhe të Shëndetësisë, me Rajonin e Kalabrisë, me Fondacionin Umberto Veronesi dhe ka bërë fushata në interes të shoqërisë dhe angazhimit social kushtuar sigurisë rrugore, anoreksisë, dhunës ndaj grave, dhe qenve endacakë..
img_blog_241

Nga viti 1982 deri më 2000, ka krijuar imazhin, identitetin, strategjinë e komunikimit dhe praninë online të United Colors of Benetton, duke e kthyer atë në një prej markave më të njohura në botë. Në vitin 1990 ka krijuar dhe drejtuar Colors, gazetën e parë globale në botë, dhe në vitin 1993 ka ideuar dhe drejtuar Fabrica, qendrën kërkimore të krijimtarisë në komunikimin modern. Nga viti 1999 deri 2000 ka qenë drejtori krijues i revistës Talk Miramax në Nju Jork të drejtuar nga Tina Broën. Toscani ka qenë një nga themeluesit e Akademisë së Arkitekturës në Mendrisio, ka dhënë lëndën e komunikimit vizual në universitete të ndryshme dhe ka shkruar libra për komunikim. Pas gati pesë dekadash risie editoriale, reklamash, filmash dhe televizioni, tani i është përkushtuar krijimtarisë së komunikimit të aplikuar në media dhe prodhon projekte editoriale, libra, programe televizive, ekspozita dhe shfaqje. Që nga viti 2007, Oliviero Toscani ka filluar projektin Razza Umana, projekt fotografie dhe videoje mbi morfologji të ndryshme dhe kushte njerzore, për të përfaqësuar të gjitha shprehjet, karakteristikat fizike, somatike, sociale dhe kulturore të njerëzimit, duke prekur më shumë se 100 komuna të Italisë, Izraelit, Palestinës, Japonisë dhe për Kombet e Bashkuara, Guatemalën. Për gati tridhjetë vjet, është i angazhuar në projektin Nuovo Paesaggio italiano, kundër degradimit të Italisë. Veprat e Toscanit janë ekspozuar në Biennalen e Venecias, në San Paulo, Brazil, në Triennalen e Milanos si dhe në muzetë e artit modern dhe bashkëkohor të të gjithë botës.
Ka fituar çmime të shumta (katër Luanë të Artë, Çmimin e Madh të UNESCO-s dy Grand Premio d’Affichage, “creative hero” të Saatchi & Saatchi dhe çmime të shumta të Art Directors Club në të gjithë botën). Akademia e Arteve të Bukura në Urbino-s e ka nderua me Çmimin Il Sogno di Piero, Akademia e Arteve të Bukura në Firenze me titullin e Accademico d’Onore. Oliviero Toscani është anëtar nderi i Komitetit Leonardo dhe i European Academy of Sciences and Arts.
Pas takimit me fotografin Ferdinando Scianna, Oliviero Toscani vjen në Tiranë në kuadër të projektit italian Ditët e fotografisë italiane në Tiranë, një bashkëpunim ky, ndërmjet Institutit Italian të Kulturës dhe EJAlbum, distributor ekskluziv i Album Epoca e Photosì në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button