PS-LSI, letër Nishanit: Rihap procesin për anëtarët e Gjykatës së Lartë
BLEDAR HOTI
Në ditën e fundit të skadimit të ‘ultimatumit’ të Presidentit Nishani drejtuar grupeve kuvendore, dy përfaqësuesit e mazhorancës, Gramoz Ruçi i PS-së dhe Petrit Vasili i LSI-së i drejtohen kreut të shtetit po në të njëjtën mënyrë, duke i paraqitur ‘katër kushte’ për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Ruçi dhe Vasili në letrën drejtuar Presidencës i kërkojnë Nishanit rihapjen e procedurave për dy vendet vakante të Gjykatës së Lartë, si dhe të shprehet për ligjin e miratuar së fundmi ku kërkohen procedura të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve. “Identifikimi i kandidaturave të spikatura dhe me integritet të lartë profesional dhe moral, që do të përzgjidhen për të kryer funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë është, pikësëpari, një çështje e Presidentit të Republikës, por edhe një përgjegjësi po aq e madhe, kushtetuese, ligjore, morale dhe politike e Kuvendit. Në këtë kuadër Ne sugjerojmë që:
– të rihapet procesi i kandidimit në funksion të ndryshimeve të reja të bëra me ligjin nr. 177/2014 “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” të ndryshuar”; – procesi përzgjedhës e konsultues të jetë sa më transparent, nëpërmjet një seleksionimi korrekt e të paanshëm, bazuar në kushtet e kritere ligjore, duke respektuar fort kriteret objektive dhe kriteret shtesë, bazuar në listën e konkurrentëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë; – vlerësimi, përzgjedhja, konsultimi e vendimmarrja të bëhet mbi përcaktimin e përparësisë së kritereve objektive dhe kritereve shtesë, duke i analizuar secilin prej tyre në veçanti, dhe për çdo kandidat, bazuar në dokumentet e paraqitura ose në dokumentet shtesë që mund të kërkohen sipas ligjit, detyrim i cili nuk është përmbushur në asnjë nga dekretet e mëparshme për emërimin e gjyqtarëve, – përzgjedhja e kandidatëve të orientohet nga vjetërsia në profesion, por edhe nga përvoja e spikatur gjyqësore dhe akademike, veçanërisht në fushën e të drejtës administrative, që krahasuar me të tjerët, përmbushin, në nivelin më të lartë cilësor, misionin kushtetues që ka Gjykata e Lartë për unifikimin e praktikës gjyqësore, në funksion të uniformitetit dhe qëndrueshmërisë në zbatimin e së drejtës”, thuhet në letrën e Ruçit dhe Vasilit. Mazhoranca parlamentare i kujton Presidentit se procesi që është në përgjegjësinë e tij të mos konsiderohet si formalizëm, por “të realizohet me seriozitetin dhe kthjelltësinë e nevojshme, për të qenë në lartësinë e duhur të ushtrimit të përgjegjësive që Kushtetuta dhe ligji na detyrojnë t’i ushtrojmë së bashku”.
Procedurat
Në letrën e gjatë prej 5 faqesh e bashkëfirmosur nga Ruçi dhe Vasili, kërkojnë që Presidenca të hapë dhe një herë mundësinë e aplikimit për kandidatët e tjerë. Gjithashtu, mazhoranca shprehet dhe për nismën e miratuar më 18 dhjetor për ligjin e Gjykatës së Lartë, për të cilën Presidenti nuk është shprehur ende nëse do ta dekretojë ose jo. Mazhoranca kërkon ngritjen e një këshilli konsultues për zgjedhjen e kandidaturave. “Ligji nr. 177/2014, në zbatim të detyrimit kushtetues, pret dekretimin tuaj për të hyrë në fuqi. Ne mbetemi me shpresë se ky ligj i miratuar me shumicën e cilësuar përkatëse të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë do të marrë edhe miratimin Tuaj final po aq sa edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Sigurisht që në kuadrin e reformës në sistemin e drejtësisë, një proces që po materializohet me nisjen e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar, alternativa të tjera mund të merren në konsideratë për të adresuar këto procedura, duke pasur si objektiv mbajtjen e tyre sa më larg ndikimeve politike, rritjen e transparencës dhe përzgjedhjen e profesionistëve më të mirë”, thuhet në letër. Ndërsa bëhet i qartë procesi i deritanishëm, ku mazhoranca ka rrëzuar pesë dekrete. “Për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kushtetuese e ligjore në zhvillimin e këtij procesi, tërësisht të mbyllur dhe larg standardit kushtetues të luajalitetit institucional, në respekt të pushtetit të vet kushtetues, Kuvendi ka rrëzuar dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë”, thuhet në letër.