PS: Nishani i PD, jo presidenti i unitetit
Mazhoranca i përgjigjet ‘flakë për flakë’ Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, duke ia rrëzuar brenda pak orëve të gjitha dekretet për rishikimin e pesë ligjeve nga Kuvendi.
Dy komisionet e Ligjeve dhe ai i Sigurisë, u mblodhën dje dhe vendosën, vetëm me votat e mazhorancës, rrëzimin e dekreteve të Presidentit Nishani. Konkretisht, në Komisionin e Ligjeve u vendos rrëzimi i dekreteve sa u përket ligjeve për Shkollën e Magjistraturës, ligji për KLD-në, ligji për funksionimin e Gjykatës Administrative, si dhe ligji për ndarjen e re administrativo-territoriale të vendit.
Komisioni i Ligjeve
Deputetëve të majtë u kanë mjaftuar shumë pak argumente dhe komente për të hedhur në kosh firmën e kreut të shtetit, përfshirë këtu dhe ligjin për ndarjen e re territoriale. Për ta bërë këtë, deputetët e Partisë Socialiste dhe LSI-së, nuk kursyen Nishanin, duke i cilësuar argumentet e tij qesharake. Por, para se të niste rrëzimi në seri i katër dekreteve të Presidentit, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, sa i përket zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve para se të nisë zyrtarisht sesioni i ri parlamentar, sqaroi se nuk ka asgjë antikushtetuese dhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. “Neni 32 e ka fare të qartë. Pika 1 e tij thotë: komisionet e përhershme mblidhen si në kohën kur Kuvendi është i mbledhur në sesion, ashtu edhe jashtë tij”, tha Xhafaj. Dhe për të treguar se nuk po mbajnë qëndrim partiak kundër Presidentit, deputetët e mazhorancës u përqendruan vetëm tek argumentet e tyre për çdo dekret të rrëzuar, sepse, sipas socialistëve, tek asnjë ligj i kthyer nga Presidenti nuk gjendet ndonjë e metë kushtetuese. I pari dekret që mori përgjigje negative ishte ai për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sipas relatorit Armando Subashi, bazuar në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, në ligjin e ri nuk ka shkelje të ligjit themeltar të shtetit në përjashtimin e gjyqtarëve nga e drejta për t’u zgjedhur zëvendëskryetar të KLD-së, duke u mbetur kjo e drejtë vetëm tre anëtarëve që vijnë nga Kuvendi. “Arsyet pse ligji është kthyer nga ana e Presidentit, nuk qëndrojnë. Ligji siç është ka probleme kushtetuese dhe ne e sollëm ligjin për KLD-në në rrugën kushtetuese”, tha Subashi. Ndërsa Xhafaj përdori si kundërargument për Presidentin, atë çfarë, sipas tij, Nishani kishte thënë në vitin 2011, kur argumentonte se pse zgjodhi nënkryetar të KLD-së, Elvis Çefën, një prej anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi. “Nënkryetari, gjithmonë në balancë të përfaqësimit të institucioneve, ka qenë në traditë që të jetë përfaqësues i ardhur nga Parlamenti, pra i zgjedhur nga Parlamenti. Në vitin 2012, Presidenti ka ndarë të njëjtin vlerësim me atë çfarë ne po reflektojmë sot në ligj dhe me atë që është realisht në frymën e Kushtetutës”, tha kreu i Komisionit të Ligjeve, duke shtuar se po e njëjta situatë ka ndodhur dhe me demokratin Eduard Halimi. Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho, tha gjatë mbledhjes, se Presidenti i Republikës po tallet me Kuvendin, duke parë argumentet e paraqitura për kthimin e ligjeve, dhe për këtë arsye kërkoi që mbledhja të mbyllej sa më parë. “Do u kërkoja relatorëve të mos e zgjasim këtë komedi. Presidenti shpërdoroi detyrën, tallet me Kuvendin. Këto relacione i kemi dëgjuar tri herë, të mos e zgjasim”, tha Braho. Ndërsa anëtari tjetër i Komisionit të Ligjeve, dhe njëherësh kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Bashkim Fino, e cilësoi dekretin e Nishanit për ndarjen e re territoriale si një gabim trashanik. Fino theksoi se Nishani nuk mund të takojë vetë 24 komisarë të Partisë Demokratike dhe të shprehet se zhvilloi takime me grupet e interesit. “Më 31 korrik e falënderova Presidentin për heshtjen, në lidhje me ligjin, por mesa duket e zgjova. Në vazhdimësi e kemi thirrur Presidentin, por ai në asnjë moment nuk na u përgjigj. Në fund, Presidenti bëri një gabim trashanik, thirri në takim 24 komisarë të PD-së. Presidenti përfaqëson unitetin e kombit, kjo është e pafalshme, kthimi i ligjit është çështja politike e tij, pasi nuk mund të shkëputet nga instikami i tij politik. Kjo është e pafalshme”, tha Fino.
Komisioni i Sigurisë
Një orë pasi Komisioni i Ligjeve rrëzoi katër dekretet e Nishanit, të njëjtin fat do të kishte edhe dekreti i fundit, ai për kthimin e ligjit për Policinë e Shtetit, ku mazhoranca në Komisionin e Sigurisë vendosi me votat e 15 deputetëve të mazhorancës, rrëzimin e dekretit të firmosur nga Nishani dy javë më parë. Pasi shqyrtuan fillimisht dekretin e kthyer të Presidentit, relatori Arben Çuko u shpreh se me këto veprime, Presidenti nuk mund të quhet më president i të gjithëve. Sipas tij, Nishanin e ka braktisur edhe opozita. “Ligjit nuk ka më çfarë t’i rishikohet, pasi kjo është kryer më parë, para se të miratohej në Parlament dhe se argumentet e Presidentit jo vetëm që nuk qëndrojnë, por nuk janë as ligjorë. Politikisht mund të them se Nishani nuk mund të quhet si president i të gjithëve, por i një pjese të PD-së”, tha Çuko. I ashpër ndaj Nishanit do të tregohej edhe deputeti tjetër socialist, Paulin Stërkaj, i cili theksoi se ligji për Policinë e Shtetit ka marrë më shumë vota në Parlament sesa mori Nishani kur u shpall President dy vite më parë. “Ligji është miratuar me më shumë vota sesa vetë Presidenti, pasi ai vetë u votua me shumicë të thjeshtë, ndërsa ligji është miratuar me votat e më shumë se 3/5-at e Kuvendit në seancë plenare. Dhe për këtë arsye s’ka moral që ta kthejë një ligj të tillë. Po ta votojmë sot Nishanin në Kuvend, nuk merr më shumë se 35 vota gjithsej, pasi kështu është katandisur Partia Demokratike sot”, tha Stërkaj. Duke vijuar në të njëjtën linjë, akuzat kundër Nishanit do të vinin edhe nga deputeti Taulant Balla, i cili theksoi se çfarë ka thënë gazeta e PD-së për ligjet janë edhe arsyetimet e Presidentit që i ka sjellë Kuvendit për shqyrtim.
Dekretet e rrëzuara
Dekreti për kthimin e ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”;
Dekreti për kthimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
Dekreti për kthimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”;
Dekreti për kthimin e ligjit “Për ndarjen administrativo–territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”;
Dekreti për kthimin e ligjit “Për Policinë e Shtetit”.
Reagimet
Paloka e Topalli reagojnë ndaj nisjes së parakohshme të punimeve të Kuvendit
Mbledhjet e dy komisioneve, PD:
Mazhoranca shkeli Kushtetutën
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, edhe pse nuk mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve, u shpreh jashtë saj, se Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, në mënyrë të përsëritur dhe me paramendim, janë bërë edhe një herë bashkëpunëtorë në një krim të rëndë, shkeljen e Kushtetutës. Sipas Palokës, mbledhjet e djeshme të komisioneve parlamentare janë thirrur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit. Në një prononcim dhënë dje për mediat, ai iu referua nenit 74 të Kushtetutës, në të cilin thuhet se Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione: sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. “Ashtu siç parashikohet në Kushtetutë dhe në rregulloren e Parlamentit, punimet e Kuvendit, pra edhe të komisioneve, duhet të fillojnë të hënën e parë të shtatorit, më datë 1, dhe nuk mund të nisin të premten e fundit të gushtit”, tha Paloka. Pak orë pas kësaj deklarate, do të reagonte edhe ish-krye parlamentarja Jozefina Topalli, e cila, përmes një komenti në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, i cilësoi mbledhjet e djeshme të dy komisioneve parlamentare si antikushtetuese dhe për këtë ajo i referohet pjesëmarrjes së Ermonela Felajt në këto komisione. Sipas Topallit, Felaj është dekretuar ministre nga Presidenti dhe si e tillë ajo automatikisht e ka të ndaluar të votojë si anëtare e një komisioni parlamentar. “Meqë Komisioni i Ligjeve nuk kishte kuorumin e duhur (17), atëherë ministrja Felaj ‘e plotësoi’ atë në shkelje të Kushtetutës dhe gjithë praktikave parlamentare! Është për të qeshur e për të qarë! Nuk ka më ndarje pushtetesh! Qeveria dhe Kuvendi janë shkrirë në një gjë! TURP!”, shkruan Topalli në reagimin e saj. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e mazhorancës kujtojnë se edhe më parë ka pasur precedentë të ngjashëm, kur Parlamenti është mbledhur më herët. Rasti më i fundit, sipas shumicës, është ai i mbledhjes së Kuvendit një javë para afatit më janar 2013, kur u zgjodh edhe kryeinspektorja e re e deklarimit dhe kontrollit të pasurive. “Komisioni i Ligjeve u mblodh më 18 janar, ku shqyrtoi dy dekretet e Presidentit, ndërsa Parlamenti më 21 janar votoi për Zana Xhukën. Por e njëjta situatë ka ndodhur edhe në janar të vitit 2012, ku sërish Komisioni i Ligjeve u mblodh për të miratuar ndryshimet në ligjin për buxhetin e shtetit”, u shpreh sekretari i Komisionit të Ligjeve, Armando Subashi për gazetën “Shqip”, tri ditë më parë.
Transparenca
Kuvendi “pushtohet”
nga monitorët njoftues
Nisur nga parimi i transparencës së punimeve të tij, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në dispozicion të publikut një sërë ekranesh të mëdha në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, por edhe në sallën e seancave plenare. Në projektin e realizuar me kontributin e Prezencës së OSBE-së, dy ekrane të mëdha janë vendosur njëri në hyrje të Kryesisë dhe tjetri në sallonin e ambienteve të Kryesisë, ngjitur me portën e zyrës së kryetarit të grupit parlamentar të PS-së. Në këto ekrane shfaqen të gjitha aktivitetet e ditës së komisioneve parlamentare, në mënyrë që publiku të informohet në kohë reale për çdo aktivitet parlamentar. Gjithashtu, për t’u ardhur në ndihmë jo vetëm gazetarëve, por edhe punonjësve të Kuvendit, janë vendosur edhe tri ekrane të vegjël, të tipit tablet, të cilat janë të lidhura automatikisht me internet, nga ku mund të merren të gjitha informacionet e nevojshme, në mënyrë sa më të shpejtë. Ndërsa një ekran tjetër i madh është vendosur edhe në tribunën e sallës së Kuvendit, ku gazetarët ndjekin seancat plenare, dhe në këtë ekran do të shfaqen direkt edhe votimet e deputetëve në seancë.