BotaOpinion

Pse dështoi Amerika në Afganistan. Analiza e Henry Kissinger

Nga Henry Kissinger

Rimarrja e Afganistanit nga telebanët, e përqendron shqetësimin e menjëhershëm tek evakuimi i dhjetëra mijëra amerikanëve, aleatëve dhe afganëve të bllokuar në atë vend. Shpëtimi i tyre duhet të jetë prioriteti ynë me emergjent.

Gjithsesi, shqetësimi më themelorë është se si SHBA-ja vendosi të tërhiqet përmes një vendimi të marrë pa shumë paralajmërime apo konsultime me aleatët, apo me njerëzit që ishin drejtpërdrejt më të përfshirë në 20 vjet luftë dhe sakrificë.

Dhe pse sfida themelore në Afganistan është konceptuar dhe paraqitur para publikut, si një zgjedhje midis kontrollit të plotë të Afganistanit, apo tërheqjes së plotë prej andej. Një çështje themelore ka nxitur operacionet tona të ngjashme nga Vietnami në Irak për më shumë se sa një gjeneratë.

Kur Amerika rrezikon jetën e ushtarëve të saj, ajo rrezikon edhe prestigjin e saj, dhe nëse në të vendos të përfshijë vende të tjera, duhet ta bëjë këtë në bazë të një kombinimi të objektivave strategjikë dhe politikë.

Strategjike, për të bërë të qartë rrethanat për të cilat luftojmë, dhe politike për të përcaktuar kuadrin qeverisës, si dhe për të ruajtur rezultatin si brenda vendit në fjalë ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara janë të ndara midis përpjekjeve të saj kundër rebelimeve, dhe pamundësisë për të përcaktuar qëllimet e arritshme, dhe për t’i lidhur ato në një mënyrë të qëndrueshme me procesin politik amerikan.

Objektivat ushtarake kanë qenë shumë absolute dhe të paarritshme. Ndërsa ato politike shumë abstrakte dhe të pakapshme. Dështimi për t’i lidhur ato me njëra-tjetrën, e ka përzier Amerikën në konflikte pa pika përfundimtare të përcaktueshme, dhe na ka detyruar që brenda vendit të shndërrojmë qëllimin e unifikuar, në një “moçal” polemikash të brendshme.

Ne hymë në Afganistan në mesin e një mbështetjeje publike të gjerë, në përgjigje të sulmit terrorist të Al-Kaedës ndaj Amerikës, të nisur nga Afganistani i kontrolluar nga talebanët. Fushata fillestare ushtarake, ka pati një efektivitet të madh. Talebanët mbijetuan kryesisht në bazat e tyre pakistaneze, nga ku organizuan rebelimet e herëpashershme në Afganistan me ndihmën e disa autoriteteve pakistaneze.

Por ndërsa talebanët po iknin nga vendi, ne e humbëm fokusin tonë strategjik. Ne e bindëm veten se rivendosja e bazave terroriste, mund të parandalohej vetëm duke e transformuar Afganistanin në një shtet modern, me institucione demokratike, dhe me një qeveri që do të sundonte në mënyrë kushtetuese.

Por një proces i tillë nuk mund të ketë një afat kohor të përputhshëm me proceset politike amerikane. Në vitin 2010, në një artikull reagues ndaj shtimit të trupave tona atje, unë u shpreha kundër një procesi kaq të zgjatur dhe të mundimshëm, pasi ai mund të kthente edhe afganët jo-xhihadistë kundër gjithë sipërmarrjes amerikane.

Afganistanin nuk ka qenë kurrë një shtet modern. Shtetësia presupozon një ndjenjë të detyrimit të përbashkët dhe centralizimin e autoritetit. Truallit afgan, me shumë pasuri natyrore, i mungojnë këto tipare. Ndërtimi i një shteti demokratik modern në Afganistan, ku dekreti i qeverisë të zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë vendin, kërkon një afat kohor shumëvjeçar, në fakt disa dekada.

Mbi të gjitha, ky proces shkon kundër esencës gjeografike dhe etno-religjioze të vendit. Ishte pikërisht fragmentimi, paarritshmëria dhe mungesa e autoritetit qendror të Afganistanit, ajo që e bëri këtë vend një bazë tërheqëse për rrjetet terroriste.

Edhe pse një njësi e veçantë autonome afgane daton që në shekullin XIX-të, popujt përbërës të saj i kanë rezistuar gjithnjë me forcë centralizimit. Konsolidimi politik dhe sidomos ai ushtarak në Afganistan, ka vazhduar të ndodhë përgjatë linjave etnike dhe klanore, me një strukturë në thelb feudale, ku ndërmjetësit e fuqisë vendimtare janë drejtuesit e klaneve.

Zakonisht në konflikt të fshehtë me njëri -tjetrin, këta kryekomandantë bashkohen në koalicione të gjera kryesisht kur ndonjë forcë e jashtme – si në rastin kur ushtria britanike e pushtoi në vitin 1839, apo ushtria sovjetike në vitin 1979 – synon t’i imponojë centralizimin dhe koherencën.

Si tërheqja katastrofike britanike nga Kabuli në vitin 1842, në të cilën vetëm një evropian i shpëtoi vdekjes ose robërisë, ashtu edhe tërheqja sovjetike nga Afganistani në vitin 1989, u shkaktuan nga një mobilizim i tillë i përkohshëm midis klaneve.

Argumenti bashkëkohor se populli afgan nuk është i gatshëm të luftojë për veten e tij nuk mbështetet nga historia. Ata kanë qenë luftëtarë të paepur për klanet e tyre, si dhe për autonominë fisnore. Me kalimin e kohës, lufta mori karakteristikat e pakufizuara të fushatave të mëparshme kundër rebelimeve, në të cilat mbështetja amerikane ndaj vendasve u dobësua gradualisht me kalimin e kohës.

Në atë kohë, u arrit në thelb shkatërrimi i bazave të talebanëve. Por ndërtimi i kombit në një vend të shkatërruar nga lufta, thithi forca të konsiderueshme ushtarake. Talibanët mund të frenohen, por jo të eliminohen. Dhe përdorimi i formave të panjohura të qeverisjes, e dobësoi angazhimin politik dhe e shtoi më tej korrupsionin tashmë të përhapur.

Kësisoj Afganistani përsëriti modelet e mëparshme të polemikave të brendshme amerikane. Atë që disa e përcaktuan si progres, të tjerët e etiketuan si katastrofë. Të dyja grupimet tentuan që ta paralizonin njëri-tjetrin gjatë administratave të njëpasnjëshme të të dyja palëve. Një shembull është vendimi i vitit 2009 për çuarjen e një numri të madh trupash në Afganistan, me njoftimin se ato do të nisnin të tërhiqeshin brenda 18 muajsh.

Ajo që u la pas dore ishte një alternativë e imagjinueshme, e cila kombinonte disa objektiva të arritshme. Rebelimi mund të ishte reduktuar në frenimin e talebanëve në vend të shkatërrimit të tyre. Dhe kursi politiko-diplomatik, mund të ketë eksploruar një nga aspektet e veçanta të realitetit afgan:që fqinjët e këtij vendi – edhe kur janë kundërshtarë me njëri-tjetrin – ndihen  shpeshherë të kërcënuar nga potenciali terrorist i Afganistanit.

A do të ishte i mundur bashkërendimi i disa përpjekje të zakonshme kundër rebelimit taleban? Sigurisht, India, Kina, Rusia dhe Pakistani, kanë shpesh interesa të ndryshme. Një diplomaci më kreative, mund të prodhonte disa masa të përbashkëta për kapërcimin e terrorizmit në Afganistan.

Kjo strategji është mënyra se si Britania mbrojti për një shekull rrugët tokësore në Indi dhe Lindjen e Mesme pa pasur baza të përhershme, por një gatishmëri ushtarake të përhershme për të mbrojtur interesat e saj, së bashku me përkrahësit e përkohshëm rajonalë.

Por ajo alternativë nuk u eksplorua kurrë. Duke bërë fushatë kundër luftës, presidentët Donald Trump dhe Xho Bajden nisën negociatat e paqes me talebanët, për shfarosjen e të cilëve ne ishim angazhuar 20 vite më parë, duke nxitur edhe aleatët që të na ndihmonin.

Kjo qasje arriti tani kulmin me atë që përbën tërheqjen e pakushtëzuar amerikane nga administrata Bajden. Përshkrimi i evolucionit, nuk e eleminon befasinë e vendimit të tërheqjes. Për shkak të kapaciteteve dhe vlerave të saj historike, Amerika nuk mund të shpëtojë nga të qenit element kryesor i rendit ndërkombëtar.

Ne nuk mund ta shmangim këtë rol duke u tërhequr. Mënyra sesi të luftohet, kufizohet dhe mposhten rrjetet terroriste të gjera dhe të mbështetura nga vendet me një teknologji gjithnjë e më të sofistikuar, do të mbetet një sfidë globale. Atyre u duhet rezistuar përmes interesave strategjike kombëtare, së bashku me cilindo strukturë ndërkombëtare, pasi të jemi në gjendje të krijojmë zgjidhje me një diplomaci proporcionale.

Ne duhet ta pranojmë se asnjë lëvizje strategjike dramatike nuk është e disponueshme në të ardhmen e afërt për ta kompensuar këtë dështim të vetë-shkaktuar, siç është marrja e angazhimeve të reja formale në rajone të tjera. Nxitimi amerikan, vetëm sa do të thellonte zhgënjimin midis aleatëve, do të inkurajonte kundërshtarët, dhe do të mbillte konfuzion midis analistëve.

Administrata e Biden është ende në fazat e saj të hershme. Ajo duhet të ketë mundësinë të hartojë dhe zbatojë një strategji gjithëpërfshirëse, në përputhje me nevojat vendore dhe ndërkombëtare. Demokracitë evoluojnë në një konflikt fraksionesh. Ato e arrijnë madhështinë falë pajtimeve midis tyre.

Shënim: Henry Kissinger, ish-Sekretar amerikan i Shtetit, dhe këshilltar i sigurisë kombëtare. /

“The Economist”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button