Pse “kush vjen pas Ramës?” është pyetja e gabuar

Ka një pyetje që po përsëritet shpesh tani që qeveria është vënë në shënjestër të zemërimit dhe të protestave masive: “Po mirë, iku Rama, po kush vjen?”
Kjo pyetje dominon diskursin e studiove televizive dhe çdo debat. Ajo ka qenë aktuale sa herë që një krizë ka goditur qeverinë dhe elitat kanë artikuluar nën zë se “ky e ka bërë baltë, por problemi është se nuk ka kush vjen tjetër pas tij”.
Në kontekstin shqiptar, ku dy aktorë të pandryshuar dominojnë politikën prej më shumë se 20 vitesh (Rama ose Berisha, Berisha ose Rama), në pamje të parë kjo duket si një pyetje e arsyeshme.
Argumenti se të gjithë e dinin në 2013 se pas Berishës do të vinte Rama, dhe se tani — në mungesë të një alternative të re — mbajnë Ramën se nuk duan rikthimin e Berishës, tregon në fakt një problem të madh: pranimin e këtij sistemi politik si mënyrë normale qeverisjeje.
Pozitiv është fakti që shumë shqiptarë sot po e thonë që nuk e pranojnë më këtë.
Në politikë ekzistojnë dy forma kryesore të organizimit të pushtetit. Njëra mbështetet te individi i fortë, ku ai vendos për gjithçka dhe demokracia mbetet thjesht formale. Forma tjetër është demokracia funksionale, e mbështetur te rregullat dhe institucionet.
Në sistemin e personalizuar, pushteti grumbullohet te një person i vetëm.
Ai bëhet qendra e të gjitha vendimmarrjeve, ndërsa Qeveria, Parlamenti, Presidenti, partia, instituionet dhe administrata funksionojnë si zgjatim i tij.
Kur lideri është i fortë, gjithçka duket artificialisht e qëndrueshme.
Ky është sistemi i ndërtuar në Shqipëri. Lideri garanton stabilitet për ndërkombëtarët, të cilët ia falin prapësitë e brendshme me kusht që të mos hapë telashe në rajon.
Brenda vendit, ai garanton elitat, nga biznesi te media (përfshirë edhe krimin, siç na tregon SPAK), duke i korruptuar ato dhe komponentët kryesorë të shoqërisë për të shuar çdo reagim që mund t’i kërcënojë pushtetin.
Një pushtet i gjatë dhe i personalizuar dobëson me qëllim çdo gjë rreth tij, duke e projektuar ndryshimin si frikë. Kur nuk ekziston ideja e një emri zëvendësues, elitat përdorin justifikimin “jemi mirë siç jemi, sepse ishim më keq”.
Në këtë lojë, edhe opozita e dobët bëhet e dobishme. Sa kohë që përballë qëndron një figurë e së shkuarës, pushteti e përdor frikën nga e djeshmja për të mbrojtur të sotmen.
Njësoj si pushteti, edhe opozita nuk lejon zgjedhje reale për lidershipin e saj, duke mbyllur hapësirat për alternativa të reja dhe duke çimentuar kultin e një individi që është njëkohësisht kryetar dhe pronar i partisë.
Në anën tjetër qëndron demokracia përmes institucioneve, sistemi që dominon në shumicën e demokracive europiane. Këtu pushteti nuk është pronë e askujt, por një funksion i përkohshëm. Institucionet kanë një jetë të tyren që nuk varet nga ekzekutivi; liderët vijnë e ikin, burimet dhe sistemi mbeten.
Në Gjermani, kur Angela Merkel u largua pas 16 vitesh, askush nuk pyeti çfarë do të ndodhë dhe kush do të vijë pas saj. Britania në 10 vitet e fundit ka ndërruar më shumë kryeministra se Shqipëria nga viti 1990 e deri tani. Në vendet e BE-së, ndryshimi i qeverive është normalitet.
Për të mbetur në rajon, Maqedonia pas Gruevskit ka ndryshuar tre kryeministra e qeveri. Mali i Zi më shumë. Serbia e rrëzoi Vuçiçin.
Në këto sisteme, pyetja “kush vjen pas meje?” është e pakuptimtë. Vijnë ata që fitojnë zgjedhjet brenda rregullave, institucionet janë më të forta se emri i individit.
Në demokracitë perëndimore, skandalet e rënda dhe protestat prodhojnë pasoja për pushtetin.
Në Shqipëri, skandalet mbivendosen, ndërsa protestat stigmatizohen si tentativa të armiqve të jashtëm dhe të brendshëm për “të përmbysur rendin kushtetues”. Politika kthehet në shou dhe njerëzit mpihen nga cirku dhe propaganda në majat e pushtetit.
Protestat e muajve të fundit nuk lindën nga një parti, por qytetarët dolën në rrugë për muaj të tërë nga lodhja. Kauza e Flamingove nisi për mbrojtjen e natyrës dhe kundër projekteve që shkatërrojnë interesin publik për llogari të një pakice politike dhe ekonomike.
Shumë shpejt kërkesat u zgjeruan në protesta kundër korrupsionit, mungesës së llogaridhënies së një pushteti që nuk dëgjon askënd.
Studentët dolën me një motiv edhe më të thellë: ata protestojnë sepse nuk shohin asnjë të ardhme në vendin e tyre dhe ndiejnë se kjo qeverisje nuk u ofron hapësirë për të jetuar me dinjitet.
Ata janë një brez që panë se si prindërit e tyre ulën kokën dhe pranuan të keqen si normalitet, prandaj vetë nuk mund ta konceptojnë më këtë si gjendje normale.
Këto lëvizje nuk ishin me sloganin “Rama ik”, por më shpesh me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, si refuzim i të dy anëve të politikës së vjetër.
Sistemi fillon edhe bie kur qytetarët dalin në rrugë pa u identifikuar me partitë e vjetra apo me individët që dominojnë prej dekadash jetën politike. Ai thyhet vetëm kur shfaqen forca që refuzojnë lojën “nëse nuk jam unë, është ai”.
Kur pushteti në Shqipëri ka bërë gjithçka për të dobësuar mekanizmat e kontrollit e balancës, shoqëria po detyrohet të gjejë një valvul shkarkimi jashtë këtij sistemi, qofshin ato edhe përmes rrugës si fillim, dhe të prodhojë antitrupat e saj për vetëkorrigjim.
Sot shumë shqiptarë nuk kanë më besim se ky sistem mund të korrigjojë veten, prandaj ndryshimin e kërkojnë jashtë partive politike aktuale.
Nuk është sekret fakti që shqiptarët nuk presin që kjo klasa politike mund të bëjë ndryshimin në vend. Ata nuk besojnë më se Rama do të rishpikë veten dhe as te rikthimi i tretë i Berishës dhe nuk pranojnë më thjesht rotacionin.
Prandaj ata kanë dalë në rrugë dhe do të vijojnë të dalin sërish për aq kohë që status quo-ja do të tentojë të mbajë të bllokuar të ardhmen e tyre.
Ata shpresojnë te protestat e vazhdueshme, te presioni apo faktorët e jashtëm që do të ndikojnë në krijimin e kushteve për ndryshim, e te presioni i brendshëm përmes SPAK-ut.
Shoqëria po kërkon një zgjidhje dhe rrugëdalje përtej PS-së dhe PD-së, përtej Ramës dhe Berishës.
Është një proces që ka lindur me protestat e flamingove, ka vijuar me ato të studentëve pa Ramën dhe Berishën, dhe kundër Ramës dhe Berishës. Si i tillë do të mbyllet pa ta.
Shoqëria është ndërgjegjësuar dhe e di që dikush do të vijë pas Ramës dhe ai nuk është as Berisha. Ajo nuk po kërkon një emër sepse emri nuk ka pikë rëndësie. Shqiptarët po kërkojnë të rrëzojnë një sistem dhe të ndërtojnë institucione me rregulla të qarta.
Në demokraci rregullat dhe institucionet janë gjithmonë më të forta se individi.
Prandaj pyetja që shtrohet “po iku Rama, kush do vijë?” sot është pyetja e gabuar.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.