Pse onkologët këshillojnë të hiqni dorë nga zbutësi i rrobave
Aroma e rrobave të sapolara mund të duket si sinonim i pastërtisë, por disa produkte që e krijojnë atë aromë po ngjallin shqetësim te mjekët. Sidomos kur bëhet fjalë për zbutësit e rrobave dhe fletët aromatizuese që përdoren në tharëse.
Në rrjetet sociale është e vështirë të mos hasësh postime që paralajmërojnë se një produkt i zakonshëm shtëpie “shkakton” kancer. Mes tyre përmenden shpesh edhe produktet që përdorim për larjen e rrobave.
Por mjekët sqarojnë: përdorimi një herë i një produkti nuk shkakton kancer.
“Pacientët më pyesin nëse një produkt specifik ua ka shkaktuar kancerin apo ua ka rritur ndjeshëm rrezikun,” thotë Dr. Krushangi Patel, onkologe, për Parade. “E vërteta është se kanceri zakonisht zhvillohet nga një kombinim faktorësh gjatë shumë viteve, përfshirë gjenetikën, stilin e jetesës dhe ekspozimet mjedisore. Prandaj është e rëndësishme t’i shohim produktet e përditshme në kontekst.”

Qëllimi, sipas mjekëve, nuk është të krijohet frikë, por të kuptohen më mirë faktorët që mund të kontrollojmë.
Dr. Tracy Proverbs-Singh, onkologe gastrointestinale thotë se informacioni mbi produktet që mund të rrisin rrezikun për kancer duhet parë si një mënyrë për të marrë vendime më të ndërgjegjshme, jo si arsye për panik.
“Ky informacion nuk ka të bëjë me të jetuarit në ankth të vazhdueshëm, por me vendime më të informuara për shëndetin afatgjatë,” shpjegon ajo.
Produkti që onkologët këshillojnë të shmanget është zbutësi i rrobave, bashkë me fletët aromatizuese që përdoren në tharëse.
Sipas Dr. Patel, shqetësimi kryesor lidhet me aromat artificiale, të cilat mund të përmbajnë ose të çlirojnë kimikate që nuk deklarohen plotësisht në etiketë.
Dr. Adeel Khan, hematolog-onkolog dhe epidemiolog, thotë se shumica e zbutësve të rrobave nuk përmbajnë qëllimisht substanca të njohura si kancerogjene në përbërësit aktivë. Problemi, sipas tij, është se disa prej tyre mund të përmbajnë përbërës aromatizues, papastërti ose nënprodukte të procesit të prodhimit që njihen ose dyshohen si kancerogjene.
Dr. Mohamad Khair F. Khasawneh shpjegon se mbetjet kimike të këtyre produkteve mund të qëndrojnë në rroba dhe të përhapen edhe në ajrin e shtëpisë.
Një nga shqetësimet lidhet me përbërjet organike të paqëndrueshme, të njohura si VOC. Një studim i vitit 2016 sugjeroi se produktet e aromatizuara të lavanderisë mund të lëshojnë përbërje të tilla. Kur këto produkte nxehen në tharëse, ato mund të çlirojnë VOC në ajër. Sipas Dr. Khasawneh, disa zbutës me aromë mund të lëshojnë substanca si acetaldehidi dhe benzeni, të cilat njihen si kancerogjene.
Një tjetër problem janë përbërësit e fshehur nën termin “aromë” ose “parfum”. Për shkak të rregullave që mbrojnë sekretet tregtare, prodhuesit mund të përfshijnë qindra kimikate nën këtë emërtim të përgjithshëm. Kjo do të thotë se konsumatorët mund të ekspozohen pa e ditur ndaj përzierjeve kimike që nuk i njohin plotësisht.
Ndryshe nga detergjenti, që shpëlahet gjatë larjes, zbutësit janë krijuar për të qëndruar në fibra. Kjo do të thotë se ekspozimi mund të vazhdojë në dy mënyra: përmes ajrit që thithim në shtëpi dhe përmes kontaktit të vazhdueshëm të rrobave apo çarçafëve me lëkurën.
Por sa e rrisin realisht rrezikun për kancer këto produkte?
“Rreziku varet nga faktorë si doza, shpeshtësia dhe kohëzgjatja e ekspozimit. Por, duke qenë se emetimet që lidhen me aromat nuk janë gjithmonë të qarta nga etiketa, shumë ekspertë këshillojnë të minimizohet ekspozimi i panevojshëm ndaj aromave, kur është e mundur.”
Sipas Dr. Proverbs-Singh, nuk ka një nivel universal që mund të quhet “i sigurt”, sepse këto produkte nuk lëshojnë një substancë të vetme të matshme, por një përzierje komplekse dhe shpesh të padeklaruar kimikatesh. Për më tepër, çdo njeri ka tolerancë dhe ekspozim të ndryshëm në jetën e përditshme.
Zgjidhja më e thjeshtë, sipas mjekëve, është të mos përdoren fare zbutësit dhe fletët aromatizuese për tharëse ose të reduktohet përdorimi i tyre.
“Shumica e rrobave nuk kanë nevojë për to,” thotë Dr. Khan. “Duke i shmangur, eliminohet një burim i rëndësishëm i kimikateve aromatizuese.”
Megjithatë, për ata që duan rroba më të buta ka alternativa më të sigurta.
Topat prej leshi për tharëse janë një nga opsionet më të rekomanduara. Sipas Dr. Proverbs-Singh, ata ndihmojnë në zbutjen fizike të rrobave, ulin elektricitetin statik dhe mund të shkurtojnë kohën e tharjes. Për ata që duan aromë, mund të shtohen edhe disa pika vaj esencial.
Një tjetër alternativë është uthulla e bardhë. Dr. Khasawneh sugjeron shtimin e gjysmë filxhani uthull të bardhë të distiluar gjatë ciklit të shpëlarjes në lavatriçe. Ajo ndihmon në shpërbërjen e mbetjeve të detergjentit që i bëjnë rrobat të ngurta, duke i lënë më të buta në mënyrë natyrale.
Për ata që preferojnë produkte të gatshme, mjekët këshillojnë alternativa pa aromë ose me bazë bimore, të verifikuara si jo toksike apo organike nga organizata të pavarura. E rëndësishme është të shmangen ngjyruesit sintetikë dhe aromat e paqarta në etiketë.
Sigurisht, ekspozimi zero ndaj kimikateve është pothuajse i pamundur në jetën e përditshme. Dhe mjekët theksojnë se askush nuk duhet të panikohet nëse i ka përdorur këto produkte për vite me radhë.
Qëllimi është më i thjeshtë: të reduktojmë ekspozimet e panevojshme aty ku mundemi.





Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.