Opinion

Pse PD nuk është parti demokratike

Petro Dhimitri

PD lindi kur studentët dhe lëvizja popullore e fuqishme kundër komunizmit në dhjetor të 1990-ës kërkuan vendosjen e pluralizmit edhe në Shqipëri. Lindi si një parti që populli e donte të ishte si partitë e djathta Europiane. Pas disa luhatjeve, kur nuk mundi të rezistone më, Ramiz Alia u tërhoq. PPSH lejoi multi partitizmin. Foshnja që lindi u pagëzua me emrin  Partia Demokratike. Se të tillë e donte populli i etur për liri dhe demokraci. Po dikatatori e kishte menduar mirë hilenë e ” sinqeritetit” të tij. E kishte gati planin që PPSH-ja t’i merrte nën sqetull filizat e reja.Porosia ishte që në to të futeshin sa më shumë njerëz nga i famëshmi Sigurim, sa më shumë komunistë e bij komunistësh që duhet të thoshnin njëmijenjë të zezat kundër PPSH-së. Ai vetë thirri komunistin Sali Berisha, sekretar i partisë i Fakultetit të Mjekësisë, që të vihej në krye të kësaj lëvizjeje. Vetëm ai, komunisti i devotshëm, duhet të merrte drejtimin e asaj foshnjeje. Komunistin tjetër, ministrin Skënder Gjinushi e caktoi të formonte Partinë Social Demokrate. Në Komitetin Qendror të Partisë u thirrën ish komunistët Sabri Godo dhe Vangjush Gambeta. Ata krijuan Partinë Republikane.Nga nismëtarët e PD-së komunisti Gramoz Pashko ishte rrethit të udhëheqjes së lartë. Eduard Selami po nga familje komunistësh. Këshilltar i Berishës fillimisht ishte anëtari i Komitetit Qendror të PPSH-së Mehmet Elezi… Më bukur nuk kishte se si të zbatoheshin porositë e Gorbaçovit që ia kishte sjellë edhe Ramiz Alisë. Ne populli nuk e dinim  as mund ta mendonim këtë prapaskenë. Ne mbështetëm pa rezerva partitë e reja dhe drejtuesit e sajë, qofshin komunistë ,vetëm pse dolën kundër PPSH-së. Si tani më kujtohet që në koridoret e gazetës Bashkimi komunistët po lëviznin. Dy prej tyre u morën me përgatitjen e programit të PD-së.Njeri u bë edhe anëtar i kryesisë. Një tjetër drejt e në gazetën e parë antikomuniste. I katërti, që ishte drejtues, u emërua drejtor i Radio-Televizionit Shqiptar. U përzgjodhën këta se Sali Berisha komunistët njihte, atyre mund t’u besonte dhe jo ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Jo. Kurrë! Kjo ishte edhe porosia e dikatatorit. Këtu duhet të hap një parantezë. Vërtetë diktatori ngarkoi Berishën të udhëhiqte lëvizjen popullore kundër komunizmit, po, duke qenë shumë i zgjuar dhe dinak, ai menjëherë iu kundërvu atij. Pse? Po të bënte lojën e Ramiz Alisë si Perëndimi dhe populli kishin për ta hequr qafe shumë shpejt. Doktori nuk bëri gabimin e Sabri Godos që në treminutëshin televiziv për zgjedhjet e para pluraliste, i bëri thirrje popullit të votonte për Ramiz Alinë. Nga ai çast u pa se kush e krijoi atë parti, prandaj dhe deri më sot ajo ka mbetur si fosil politik.

 

DREJTIMIN E PARTISË ME DORË TË HEKURT: Të gjithë intelektualët e asaj kohe ishim mëkuar me mësimet e Partisë, të xhaxhit Enver dhe me ideologjinë marksiste leniniste. Berisha nuk mund të bënte përjashtim. Aq më shumë se si sekretar partie ai nuk kishte lejuar devijime. Kishte zbatuar në mënyrë të verbër luftën e klasave. Si mund t’i jepte frymëmarrje demokratike partisë kur ai nuk kishte haberin se ç’ishte demokracia?! Prandaj shumë shpejt ai filloi ta drejtonte PD-në me dorë të hekurt siç drejtonte dikur organizatën bazë të partisë. Fluturoi shumë shpejt koha tejet e shkurtër e shfaqjes hapur të mendimit ndryshme. Me radhë, njëri pas tjetrit u përjashtuan ose u larguan nga  partia ata që nuk  mendonin si kryetari. Me emra nuk po i përmend se janë shumë, shumë. Nga dhjetoristët e vitit 1990 tani kanë mbetur në PD vetëm dy njerëz: Sali Ram Berisha ( që drejton pas kuintave) dhe deputeti i rizgjedhur dr. Tritan Shehu, i cili këto kohë nuk ka patur ndonjë rol me rendësi. Ku dhe pse firuan nismëtarët, ata që u përballën me komunizmin?! Të gjithë dolën devijatorë. Berisha i anatemoi dhe përjashtoi bashkëluftëtarët ashtu si Enver Hoxha. Është e njëjta praktikë e partive komuniste  të cilat e kanë 0 demokracinë e brendshme në parti. Kjo nuk ndodh në asnjë nga partitë e djathta Europiane. Në të njëjtat gjurmë shkoi edhe Lulzim Basha, kryetari i emëruar nga doktori pse ishte i njohuri i vajzës së tij. Që para katër vjetësh, pa u bërë as edhe ndonjë diskutim e debat, Lulzim Basha hoqi figurat e njohura të partisë. Donte ta kishte dorën e lirë për të vepruar siç dëshironte. Ai arriti deri aty sa të gjithë kandidatët për deputetë t’i caktonte vetë, pa pyetur fare struktuarat e partisë. Edhe ai e anashkaloi aq shumë statutin formal sa për një vit të tërë, edhe pse ishte vit prag zgjedhjesh, nuk mblodhi asnjëherë kryesinë e partisë?! Në ç’parti të djathtë Europiane veprohet kështu?! Po, veprohet vetëm në ato parti që nuk janë demokratike. Gojët e liga duan të thonë se në Europën e prapambetur, kur një parti humb zgjedhjet, menjëherë kryetari shpejton dhe jep dorëheqje i ziu, sepse e di që kanë për ta hequr në mos sikterisur. Doemos e kanë shumë gabim, sepse ai kryetar është me përvojë, duan të thonë disa. Ato disa në PD janë si shumë. Akoma u ka mbetur mendja te praktika e komunistëve që udhëheqësit i mbanin në postet drejtuese tërë jetën, po qe se nuk dilnin armiq. Prandaj sot e gjithë ditën po diskutojnë në PD që ta mbajnë kryetar përjetësisht Lulzim Bashën. Bilanci i drejtimit të tij është shumë negativ. Ka humbur dy zgjedhje Parlamentare, një tjetër për pushtetin vendor, një herë nuk mori fare pjesë në zgjedhje dhe një herë doli nga Parlamenti për të gjezdisur nëpër rrugë, që si kohë i  bie 12 vjet. E megjithatë ka trushpëlarë që duan ta mbajnë kryetar?! Qofshin ata! Ka të ngjarë Rama të ketë derdhur shumë para që Bashën mos ta heqin. Me të në krye të PD-së, Partia Socialiste ka shanset t’i fitojë zgjedhjet pambarimisht. Pse do të pyesni? Sepse populli nuk shikon te PD-ja një parti demokratike.

 

ME FUQI ABSOLUTE SI RAMIZ ALIA. në  kushtetutën tonë kompetencat e Presidentit si kryetar i shtetit  janë thuajse honorifike, përveç faktit që ai është komandant i ushtrisë. I tërë pushteti është përqendruar në dorën e Kryeministrit. Ky përcaktim nuk shkon për rastin e Berishës si President, sepse ai ishte realisht edhe kryetar i partisë, edhe si kryeministër i pa emëruar, sepse Meksi ishte po i PD-së dhe i bindej urdhërave të kryetarit. Megjithatë ai ishte i shqetësuar. Donte sa më shumë pushtet. Që të realizonte atë ëndërr duhej ndryshuar kushtetuta. Sejmenët e tij bënë një goxha kushtetutë  që do t’i jete atij frenat e Shqipërisë. Nuk ishte i këtij mendimi populli, që,përmes votës së tij, e hodhi poshtë ëndërrën e doktorit.  Megjithatë ai nuk hoqi dorë nga kjo ide. U përpoq ta realizonte me hile, d.m.th. tërthorazi që të drejtonte edhe drejtësinë, d.m.th. gjyqësorin. Pretekstin e gjeti. Të gjithë prokurorët dhe gjykatësit ishin të emëruar nga PPSH-ja. Ata zbatonin ligjshmërinë që kishte hartuar po PPSH-ja. Sa të bëheshin ndryshimet në kodin panal dhe atë civil duhesh kohë. Berisha nuk mund të priste. Mendja e tij trilloi një artifis antikulturë, duke propozuar që prokurorët dhe gjykatësit të përgatiteshin me kurse disamujore.!? Thua se po ktheheshim në Mesjetën e herëshme!? Të gjithë do të ishin antarë të Partisë Demokratike. Vetëm kështu ai mund ta shtrinte pushtetin e vet absolut. Dhe e shtriu. Hoqi prokurorët dhe gjykatësit e komunizmit. Në vend të tyre, në shumë qytete me rëndësi si dhe në Tiranë caktoi kryeprokurorë dhe kryetarë gjykatash vetëm tropojanë, që ishin miq ose të njohur të tij. Pastaj kudo juristët berishjanë me disa muaj kurs?! Në Shqipëri, merreni me mënd se në ç’duar ra drejtësia shqiptare e cila katandisi deri në atë gradë sa të detyrohej SHBA-ja të na diktonte REFORMËN NË DREJTËSI. Kështu e koncepton doktor Berisha drejtësinë. Si me urdhërin e peshkut tërë anëtarët e asaj partie të madhe ose e duartrokiutën ose heshtën që të mos anatemoheshin.Nuk e di në ç’vend demokratik të Europës ka ndodhur kjo?!  Dëmi që i ka sjellë Shqipërisë ç’drejtësia e PD-së ëshë aq i madh sa mund të themi i pariparueshëm. Vazhdojnë të gëzojnë lirinë, madje bëjnë edhe deklarata e na bëjnë moral njerëz që me kohë duhet të ishin pranguar. Edhe PS për t’i ballafaquar me ligjin këta njerëz ka lënë shumë për të dëshiruar. Ja pra, sa dëm i shkaktohet popullit kur një udhëheqës ka në dorë të gjitha pushtetet. Dëme në vijimësi nga treshja komuniste ENVER, RAMIZ, SALI.

QEVERISJE E TIPIT KAP Ç’TË MUNDËSH:

Kur PD mori pushtetit, gjendja e Shqipërisë ishte katastrofike. Edhe ajo pak industri që kishim, prej disa vitesh ishte rrënuar. Në fshat tokat qenë lënë pa punuar. Njerëzit e kishin mendjen për të ikur. Papunësia ishte shtruar këmbëkryq. Arka e shtetit ishte pothuajse bosh. Vendi mbahej me paratë që sillnin emigrantët. Njerëzit e dinin se qeveria nuk mund ta ndryshonte gjendjen si me sustë, po ama kishin besim se diçka kishte për t’u rregulluar. Ndihmat nga Perëndimi vazhdonin të vinin.Tregëtia private vazhdoi të lulëzonte.Qeveria nxiti iniciativën e lirë.Më të fortët u inkurajuan të bënin ligjin, sidomos po të ishin idhtarë të PD-së. Korrupsioni, që kishte filluar që me Nanon, shpërtheu në të gjithë segmentet e shtetit. Berisha kryeqendrën e drogës në Gjirokastër e mori në mbrojtje.Ai guxoi t’i mashtronte shqiptarët duke u thënë se paratë në firmat piramidale i keni të sigurta?! Në Tiranë Parku Rinia u mbush me kioska.Pati dyndje edhe veriorësh për të zaptuar troje e për të bërë ndërtime të paligjshme. Në dogana njerëzit e PD-së kalonin maunet pa paguar taksën ose duke paguar fare pak. Transporti i klandestinëve me gomone pësoi rritje. Procesi i kthimit të pronave po çalonte.Korrupsioni në çdo zyrë të shtetit erdhi dhe u bë galopant. Të gjithë e kishin mendjen si e si të pasuroheshin duke shkelur ligjet. Nuk bënin përjashtim as udhëheqësit e PD-së, madje as familja Berisha. Ata e panë se si byroistët e PPSH-së kur lanë karriket, mbetën vetëm me rrobat e shtatit. Ramiz Alia nuk kishte as edhe një dhomë e kuzhinë ku të fuste kokën, po u strehua te e bija.Jo, kurrë ata nuk kishin për të katandisur në atë gjendje. Sa kishin pushtetin duhet të siguronin edhe veten me çdo kusht. Berisha i la të gjithë vartësit të shkelnin ligjet, që gjithmonë t’i kishte në dorë. Ishte koha kur PD filloi të transportonte naftë kontrabandë për Serbinë e Milosheviçit. U thye embargoja e Kombeve të Bashkuara vetëm e vetëm që  drejtuesit e PD-së të pasuroheshin.E dinin mirë thënien proverbiale: kush ka paranë, drejton dhe politikën.Të asaj kohe tetëvjeçare të kësaj qeverisjeje, i përkasin pronat e dyshimta të shumë politikanëve që populli po pret me padurim të bëhen objekt i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përflitej shumë për udhëheqës konkretë . Nuk ishte fjala se blenë një apartament, jo. Ata ndërtuan pallate residenciale. Me pagën e tyre mujore  atë pasuri nuk mund ta vinin as për 100 vjet. Fëmijët e tyre i nisën për studime kudo në botën e zhvilluar edhe pse si këpurdhat në Shqipëri hapën dyert shumë universitete private. Si tërë mekanizni qeveritar, ato  u kthyen në vatra të mashtrimit. Mund të regjistroheshe në cilin do vit, po të paguaje para. Mund të merrje edhe diplomë pa shkuar fare as edhe një ditë në auditore ose edhe pa qenë fare  në Shqipëri. Ku ishte niveli i shkollës sonë dhe ku e katandisi, sidomos qeveria e prapshtë e PD-së?! Tenderat u bënë një minierë ari për fuksionarët e selisë blu. Në këtë katraurë korruptive ata merrnin thelën më të madhe. Sipas funksioneve,  edhe nëpunësit më të vegjël nuk dilnin duarbosh. Populli atyre duhet t’u paguante nën dorë për çdo dokument: Çertifikatë lindjeje apo vdekjeje, për çertifikatë familjare apo për regjistrim prone. Edhe mjekët, sidomos kirurgët, kërkonin hapur ”taksën” e operacionit. Mësuesit filluan të merrnin para për një notë më të mirë. Të gjitha këto populli i di më mirë se unë, madje ka fiksuar me emra edhe kokat e korrupsionit. Ato i takojnë udhëheqjes më të lartë.

Kjo katraurë korruptive nuk erdhi nga mosdija e qeverisë. Përkundrazi, liderët e tyre e dinin mirë se ç’po gatuanin: pasurimin marramendës të tyre.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button