Bota

Pse presidenti Biden zgjodhi këtë moment për shpalljen e kandidaturës?

Me publikimin e videos së fushatës të martën, zoti Biden çoi në vend pohimin që e kishte përsëritur vazhdimisht muajt e fundit se synonte të rikandidonte.

Figurat kryesore të demokratëve kanë paraqitur një front të përbashkët në mbështetje të presidentit, pavarësisht anketave që tregojnë se përkrahja ndaj tij është e ulët dhe shqetësimeve të shumë amerikanëve për moshën e tij, të cilët do të preferonin që presidenti 80 vjeçar të mos kërkonte një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Ja një vështrim arsyeve se pse ai e bëri në këtë moment njoftimin dhe se si mund të ndryshojnë ose jo rrethanat për të në vazhdim:

PSE TANI?

Një njoftim zyrtar për rizgjedhje do të thotë që presidentit tani i lejohet të mbledhë fonde drejtpërdrejt për fushatën e tij.

Presidenti Biden do t’i përdorë fondet e fushatës për pagat dhe logjistikën për të krijuar ekipin për zgjedhjet e vitit 2024 dhe për të mbajtur aktivitete jashtë angazhimit zyrtar presidencial. Ai ka planifikuar një darkë në Uashington të premten me donatorët kryesorë demokratë dhe drejtuesit e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC), duke i kushtuar vëmendje të veçantë atyre që japin dhurime të konsiderueshme, në mënyrë që të sigurohet që fushata e tij e rizgjedhjes të jetë e financuar mirë.

Një arsye tjetër se pse presidenti Biden priti deri në prill ishte se kjo i dhe mundësi të shmangte bërjen publike të shumës që mblodhi për fushatë e rizgjedhjes gjatë tremujorit të parë të vitit, kur donatorët zakonisht i ngadalësojnë kontributet e tyre, në periudhën pas një sezoni të ngjeshur për zgjedhjet e Kongresit vjeshtën e kaluar dhe përpara intensifikimit të garës presidenciale për vitin e ardhshëm.

E marta shënoni gjithashtu përvjetorin e katërt të shpalljes së kandidaturës nga zoti Biden për fushatën e tij presidenciale 2020.

FAKTORI I MOSHËS

Zoti Biden është presidenti më i mëshuar në historinë e SHBA-së dhe nëse ri zgjidhet do të jetë 86 vjeç në fund të mandatit të dytë. Ai e ka pranuar se mosha është një shqetësim “legjitim”, por i pyetur nëse do të mund të përballojë një fushatë tjetër dhe aq më tepër katër vjet të tjera në Shtëpinë e Bardhë, ka deklaruar vazhdimisht “Do ta shihni!”

Votuesit tani do të kenë mundësinë të bëjnë pikërisht këtë – por kjo nuk do të thotë se pyetje të tilla do të ndalen. Republikanët e kanë vënë theksin tek mosha e zotit Bideni, madje edhe disa demokratë kanë vënë shprehur rezerva nëse presidenti po i mban premtimet që bëri gjatë fushatës së vitit 2020 për të qenë një “urë” për një brez të ri udhëheqësish.

Ish-ambasadorja e OKB-së, Nikki Haley, një republikane që kandidon për president,e ka bërë thirrje për një testim të kompetencës mendore për kandidatët mbi 75 vjeç – një kategori që do të përfshinte si zotin Biden ashtu edhe ish-presidentin Donald Trump, që shpalli fushatën në nëntor.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, nuk i dha rëndësi një sugjerimi të tillë, duke vënë në dukje se presidenti Biden ndihmoi që demokratët të dilni me rezultate të forta në zgjedhjet e mesit të mandatit.

“Ndoshta ata po harrojnë fitoret që siguroi presidenti gjatë viteve të fundit, por unë jam e lumtur t’ua kujtoj në çdo kohë,” tha zonja Jean-Pierre në shkurt.

A DO TË NDIKOJË FUSHATA TEK DETYRAT E ZOTIT BIDEN SI PRESIDENT?

Nuk do të ketë ndryshime të mëdha, këmbëngulin ndihmësit e zotit Biden, të paktën tani për tani.

Presidenti do të presë presidentin e Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol në Shtëpinë e Bardhë për një darkë shtetërore të mërkurën dhe planifikon udhëtime jashtë vendit në verë.

Siç ka bërë muajt e fundit, zoti Biden gjithashtu do të bëjë udhëtime brenda vendit për ta vënë theksin tek arritjet legjislative të administratës së tij.

Aktivitete të tilla shpesh mjegullojnë kufirin mes detyrave zyrtare dhe promovimit politik të presidentit dhe partisë së tij, dhe dallimi do të bëhet edhe më i paqartë në të ardhmen.

Presidenti Biden ka denoncuar shpesh republikanët “ekstremistë” besnikë ndaj lëvizjes “Make America Great Again” të zotit Trump si një kërcënim për demokracinë bazë të Amerikës. Është një mesazh që ai do të vazhdojë ta përcjellë ndërsa gara e vitit 2024 fillon të nxehet.

A DO T’I DUHET PRESIDENTIT BIDEN TË LUFTOJË ME KONKURRENTË BRENDA DEMOKRATËVE?

Rreziku nuk është i madh. Autorja Marianne Williamson dhe aktivisti kundër vaksinave Robert F. Kennedy Jr. janë të vetmit demokratë që sfidojnë presidentin. Asnjëri prej tyre nuk paraqet ndonjë lloj opozite brenda partisë që kanë hasur kandidatë të mëparshëm, si fushata e Senatorit Ted Kennedy kundër Presidentit Jimmy Carter në vitin1980 ose kandidimi i Pat Buchanan-it kundër Presidentit George H.W. Bush në vitin 1992.

DNC-ja është aq plotësisht e përkushtuar ndaj zotit Biden këtë vit sa nuk po planifikon debate në me kandidatët brenda partisë.

Në favor të presidentit është edhe fakti se zgjedhjet paraprake të Karolinës së Jugut do të jenë të parat në vend të atyre të Ajovas që mbaheshin më parë.

Në fushatën e vitit 2020, zoti Biden e rigjallëroi fushatën e tij pasi humbi tre garat e para, pikërisht me një fitore të fortë në zgjedhjet paraprake të Karolinës së Jugut dhe ai personalisht udhëzoi që ky shtet të votonte i pari në vitin 2024 – duke forcuar popullaritetin e tij mes demokratëve atje.

Kjo mund të shërbejë si kundërpeshë për rezervat e thella të demokratëve ndaj zotit Biden në pjesë të tjera të vendit. Sipas një sondazhi të agjencisë Associated Press dhe Qendrës Kërkimore për Marrëdhëniet Publike, NORC javën e kaluar, vetëm 26% e amerikanëve – dhe vetëm rreth gjysma e demokratëve – thanë se dëshironin që zoti Biden të kandidonte përsëri. Por sondazhi arriti në përfundimin se 81% e demokratëve thanë se të paktën ndoshta do të mbështesnin presidentin në zgjedhjet e përgjithshme.

CILI DO TË JETË RIVALI REPUBLIKAN I PRESIDENTIT BIDEN?

Ish-Presidenti Trump kryeson mes kandidatëve të mundshëm republikanë për vitin 2024, duke krijuar kushtet për një pëballje tjetër në zgjedhjet e përgjithshme me zotin Biden.

Të vetmit kandidatë të tjerë të deklaruar republikanë në garë përfshijnë zonjën Haley, ish-guvernatorin e shtetit Arkansas, Asa Hutchison, biznesmenin Perry Johnson, autorin Vivek Ramaswamy dhe personalitetin e radios, Larry Elder.

Guvernatori i Floridës Ron DeSantis pritet gjerësisht të jetë rivali kryesore i zotit Trump, por nuk po nxiton të shpallë fushatën e tij.

Disa nga emrat e tjerë të pritshëm janë ish-nënpresidenti Mike Pence dhe senatori amerikan Tim Scott nga Karolina e Jugut.

Ekipi politik i presidentit Biden ka muaj që po përgatitet për një përballje tjetër me zotin Trump. Por këshilltarët e presidentit argumentojnë se edhe nëse një alternativë si zoti DeSantis fiton emërimin republikan, shumë nga kritikat për përqafimin e ekstremizmit MAGA qëndrojnë, pasi shumë figura qendrore republikane pajtohen me zotin Trump për çështjet kryesore politike dhe sociale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button