Pse tranzicioni demokratik na ka zhgënjyer?
Gjatë 30 viteve të fundit është shkruar shumë mbi proçesin e tranzicionit postkomunist në Shqipëri. Ky subjekt është trajtuar nga këndvështrime të ndryshëm. Disa autorë kanë studjuar reformimin ekonomik të shoqërisë shqiptare, të tjerë janë fokusuar në transformimin politik të saj, disa e kanë përqendruar vëmendjen në transformimin e institucioneve të shtetit, ndërsa të tjerë në transformimin e kulturës politike.
Autorë të ndryshëm janë përpjekur të argumentojnë se procesi i tranzicionit postkomunist në Shqipëri tashmë ka përfunduar. Të tjerë janë të mendimit se, edhe pas tri dekadash, Shqipëria vazhdon të jetë në tranzicion. Unë i përmbahem pikëpamjes së dytë. Në këtë ese, sidoqoftë, dëshiroj të shtjelloj përse shoqëria që kemi krijuar deri më sot në vendin tonë pas rënies së komunizmit na ka zhgënjyer e vazhdon të na zhgënjejë.
***
Si çdo transformim rrënjësor në jetën e një shoqërie, periudha postkomuniste ushqeu që në fillim shpresa të mëdha në radhët e shqiptarëve dhe të popujve të tjerë europianolindorë, shumë nga të cilat shpejt ua lanë vendin zhgënjimeve të thella. Zhgënjimet që mund të pësojnë një individ, ose një komb janë rrjedhojë e zhvillimeve stresuese në jetën e tyre. Por, cilat zhvillime çojnë në zhgënjime dhe pse? Zakonisht, shkaqet e zhgënjimeve kërkohen në rezultatet e ngjarjeve e të zhvillimeve që ndodhin në jetën e gjithsecilit prej nesh, ose në jetën e shoqërisë. Nëse e shohim çështjen nga ky kënvështrim, pra nga zhvillimet e derisotme dhe rezultatet e tyre, mund të themi pa asnjë hezitim se vitet e gjatë të tranzicionit postkomunist në Shqipëri kanë prodhuar drama të mëdha, stresuese, në jetën e vendit dhe në psikologjinë e në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë: një eksod masiv në fillimin e viteve 1990; një kolaps total ekonomik dhe rënien thuajse totale të shtetit më 1997, pas shembjes së firmave piramidale të tipit Ponzi; dështimin e një grushti shteti një vit më vonë; kabinete qeveritarë të paqëndryeshëm në fund të asaj dekade dhe në fillimin e viteve 2000; një korrupsion galopant në çdo nivel të tri shtyllave prej të cilave formohet dhe mbahet në këmbë shteti—gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit—si dhe një amulli e paprecedent në drejtimin e shtetit, pas daljes së opozitës nga parlamenti, në fillim të këtij viti, çka i ka bërë sërish evidente tendancat autoritariste. Këto të gjitha janë bërë shkak zhgënjimesh të mëdha.
***
Në këtë ese, sidoqoftë, unë kam zgjedhur të flas jo për zhgënjimet që kanë krijuar zhvillimet e mësipër, por për zhgënjimet që kanë krijuar, si kudo në Europën Lindore, edhe në Shqipëri, shpresat që ngjalli shembja e sistemit të socializmit shtetëror. Argumenti që përpiqem të shtjelloj është ky: shpeshherë, zhgënjimet janë rezultat i paevitueshëm i vetë shpresave të fillimit, pasi vetë këto shpresa janë të parealizueshme. Herë të tjera, shpresa të caktuara krijojnë zhgënjim pikërisht në momentin kur mendohet se ato janë realizuar. Përvojat e tranzicionit postkomunist në Europën Lindore, ashtu si dhe ato të periudhës së socializmit shtetëror, variojnë shumë nga njëri vend në tjetrin. Po kështu variojnë edhe shpresat që ushqyen dhe zhgënjimet që provuan qysh nga fillimi i këtij procesi popujt e ndryshëm të këtij rajoni dhe, ndoshta, më shumë se të tjerët, populli shqiptar. Unë përpiqem të vë në dukje, në mënyrë joshteruese, disa prej shkaqeve, si dhe të argumentoj se pse disa prej shpresave më të mëdha në fillimet e tranzicionit postkomunist shpejt ua lanë vendin zhgënjimeve të thella.
Shkaku i parë Shumë njerëz besuan—dhe shpresuan—se, me shembjen e sistemit të socializmit shtetëror, ai sistem (si dhe zakonet, praktikat dhe mentaliteti që lidheshin me të) do të zëvendësoheshin over night nga një sistem i konsoliduar demokratik (dhe nga zakone, shprehi, praktika dhe një mendësi e re), gjë që mund të ndodhte kaq shpejt dhe ende duket si një diçka e largët në kushtet e shoqërisë sonë. Shumë nga tiparet e rendit që përmbysëm, sidomos mendësitë dhe shumë praktika të vjetra në organizimin dhe në drejtimin e punëve të shtetit, si dhe në marrëdhëniet shoqërore mes individëve, apo në marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit, u mbijetuan ndryshimeve politike dhe ekonomike e vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot.
Shkaku i dytë Një shkak tjetër është ai, të cilin mund ta quajmë ëndrra të pamundura. Në Shqipëri, si dhe në vende të tjerë të Europës Lindore, pati shumë njerëz, të cilët sinqerisht besuan se, sapo rendi i socializmit shtetëror të shembej, progresi drejt lirisë, demokracisë dhe prosperitetit do të ishte linear dhe i pandalshëm. Zhgënjimet që rezultuan kur u kuptua se kjo ishte praktikisht e pamundur, ishin në proporcion të drejtë me shkallën në të cilët njerëzit kishin besuar në këtë ëndërr. Nëse shpresat te të cilat njerëzit besojnë me pasion nuk realizohen, kjo, natyrisht, krijon zhgënjime tek ata. Sa më të mëdha e jorealiste të jenë shpresat dhe sa më i sinqertë të jetë besimi në realizimin e tyre, aq më i thellë është zhgënjimi që pësojmë nga dështimi i tyre. Zhgënjimet e kësaj natyre, të cilat lidhen me dështimin e projekteve për të krijuar shoqëri të vërteta demokratike, të lira e të pakorruptuara, legjitimojnë në shumë nga vendet e Europës Lindore atë që gjermanët e quajnë Demostalgie—nostalgji për periudhën e hershme, të romantizuar, të tranzicionit demokratik në vitet 1989-90, kur një pjesë e madhe e qytetarëve dhe opozita demokratike në këta vende kërkonin një transformim të vërtetë demokratik, respektimin e lirive qytetare dhe të të drejtave të njeriut, kauza këto, të cilat, në mjaft vende—por veçanërisht në Shqipëri—duket se janë harruar.
Shkaku i tretë Një tjetër shkak më kujton aforizmin e një filozofi amerikan, i cili thotë: “Nuk ka asnjë arsye të supozojmë se e vërteta, kur e zbulojmë atë, do të jetë domosdo interesante për ne”. Në analogji me këtë aforizëm, mund të themi se, ne nuk kishim asnjë arsye të supozonim se shoqëria postkomuniste do të ishte domosdo diçka atraktive për të gjithë. Qysh nga fillimi i tranzicionit postkomunist (madje, edhe në vendet që kanë pasur tranzicionin më të lehtë e më të suksesshëm), ka pasur dhe vazhdon të ketë njerëz që mendojnë të kundërtën, të cilët ushqejnë nostalgji për sistemin e vjetër. Për ta, çdo gjë, ose shumëçka që ka ndodhur pas shembjes së komunizmit është një zhgënjim i madh. Një nostalgji e tillë, për të cilën gjermanët përdorin termin Ostalgie, s’është veçse një vlerësim retrospektiv i jetës dhe i organizimit shoqëror në kushtet e socializmit shtetëtor, që e gjejmë kryesisht në radhët e moshave të rritura—por, sidomos, në moshat e thyera—të cilët, me pensionet e tyre minimale, e kanë të vështirë të përballojnë nevojat për jetesë në kushtet e reja të ekonomisë së tregut të lirë dhe shërbimeve inadekuate të shtetit për ta.
Shkaku i katërt Një arsye tjetër ka të bëjë me natyrën moniste të shpresës dhe me pluralitetin e zhgënjimeve njerëzore. Isaiah Berlin, një ndër mendimtarët liberalë më të shquar të shekullit të 20-të, ka thënë se jo çdo gjë që ne dëshirojmë do të jetë në harmoni me të gjitha gjërat e tjera që duam të arrijmë dhe të kemi. Këtë e konfirmon më së miri përvoja e shumë prej vendeve ish-komuniste, në mënyrë të veçantë përvoja e vendit tonë. Shumë shpresa të fillimit ishin “moniste”, në kuptim që i jep kësaj fjale Isaiah Berlin: fundi i komunizmit do të mundësonte krijimin e çdo gjëje të mirë që popujt e Europës Lindore dëshironim dhe të asgjëje që ishte, ose është e padëshiruar për ta. Në të vërtetë, ajo çfarë ka ndodhur pas shembjes së sistemit të socializmit shtetëror është një dukuri tepër komplekse. Ndërsa shumë zhvillime që pasuan përmbysjen e sistemit të vjetër ishin rezultati i pritur dhe i dëshiruar nga të gjithë, kishte dhe vazhdon të ketë zhvillime e dukuri, të cilat ishin dhe mbeten të padëshiruara për shoqërinë, ose për grupe të caktuar të saj. Ky, ndoshta, është një tipar universal i kushteve të jetës shoqërore, të cilin nuk mundet ta evitojë dot asnjë sistem shoqëror.
Shkaku i pestë Mund të flitet edhe për një shkak tjetër, i cili më kujton zhgënjimet që rezultojnë nga martesa. Ka njerëz, të cilët mendojnë se martesa u ka plotësuar atyre të gjitha nevojat dhe dëshirat që kanë por, me kalimin e kohës, kuptojnë se ata nuk janë tërësisht të kënaqur prej saj, madje mund të jenë shumë të pakënaqur. Në analogji me këtë, mund të thuhet se, edhe pse disa nga shpresat që ngjalli periudha postkomuniste ndër popujt e Europës Lindore janë realizuar, kjo nuk ka mundur t’i shmangë zhgënjimet për atë çfarë nuk është realizuar deri më sot në shumë nga vendet e këtij rajoni. Sigurisht që sistemi i socializmit shtetëror është përmbysur dhe nuk mund të rikthehet më, liria e fjalës është bërë realitet, radhët e dikurshme në dyqane janë zhdukur, produktet ushqimorë dhe mallrat e konsumit gjenden me bollëk, kushtet e jetesës janë përmirësuar në mënyrë të ndieshme për një pjesë të madhe të popullsisë, kapitali i huaj ka hyrë në çdo vend por, megjithatë, shumë njerëz vazhdojnë të mbeten të zhgënjyer nga zhvillimet e derisotme. Kjo vjen ngaqë, edhe pse shumë nga arritjet e para të periudhës postkomuniste ishin vërtet spektakolare—zgjedhjet e para pluraliste, çmontimi i aparatit të vjetër shtetëror, liria e fjalës dhe e shtypit, fytyrat e reja që u ngjitën në skenën politike, hartimi i kushtetutave të para postkomuniste, restaurimi i pronës private, reformimi kapitalist i ekonomisë etj.—me kalimin e kohës, këto arritje filluan të merren si të mirëqena dhe qytetarët natyrshëm filluan të kërkojnë më shumë. Retorika antikomuniste nuk mund të shërbente pafundësisht për të legjitimuar qeveritë e reja dhe steka ngrihej gjithnjë e më lart, çka do të thotë se, me kohë filluan të shtrohen e të kërkojnë zgjidhje të kënaqshme probleme të reja. Dhe, pasi atyre u gjenden zgjidhje, të tjera probleme shtrohen për zgjidhje në një shoqëri postkomuniste, e cila është në evolucion të pandërprerë.
Shkaku i gjashtë Shumë nisma dhe reforma në të gjitha lëmitë e jetës në shoqëritë postkomuniste janë pritur me zhgënjim nga një pjesë e madhe e popullsisë, jo vetëm sepse ato kanë dështuar të kënaqin shpresat jorealiste, ose të parakohshme të tyre, por edhe për shkak se vetë këto nisma apo reforma ndonjëherë janë ndërmarrë për t’u dhënë zgjidhje të pamenduara mirë problemeve të rëndësishme të shoqërisë, fjala vjen, në fushën e marrëdhënieve pronësore, në fushën e drejtësisë, në fushën e arsimit, në fushën e kujdesit shëndetsor, në atë të sigurimeve shoqërore etj. Zgjidhje të pamenduara mirë në të gjitha këto fusha mund të krijojnë—dhe kanë krijuar thuajse kudo, veçanërisht në Shqipëri—probleme të reja, në vend që të zgjidhnin të vjetrat, duke i bërë kështu edhe më të thella zhgënjimet që vazhdojnë të përjetojnë shumë qytetarë në vendin tonë dhe në vende të tjerë të Europës Lindore.
Shkaku i shtatë Ishte diçka e natyrshme—dhe e drejtë—që t’ua atribuoje shumë prej gjërave më të këqija të sistemit të socializmit shtetëror shtetit të gjithëfuqishëm dhe monopolit të tij në çdo fushë të jetës. Diagnoza e atij sistemi, me të gjitha të këqijat e veta, në mënyrë logjike do të çonte në përfundimin se, për të krijuar një shoqëri vërtet të lirë, roli i shtetit duhej të minimizohej në mënyrë drastike. Madje, shumë njerëz besonin—dhe vazhdojnë të besojnë—se sa më shumë që të kufizohet roli i shtetit në shoqëri, aq më mirë është. Për fat të keq, ajo që ndodhi në disa prej shoqërive më të varfra e më të prapambetura postkomuniste, ishte pikërisht kjo—minimizimi i rolit të shtetit. Shumë shpejt, frikës nga shteti i fortë ia zuri vendin frika nga pasiguria dhe nga krimi (real apo i imagjinuar)—pra, frika nga dobësia e shtetit. Njerëzit, të cilët jetesën e tyre e përballojnë vetëm me pagën, ose me pensionin që marrin nga shteti, janë ndeshur e ndeshen kudo me buxhete që tkurren dhe me mundësi shumë të kufizuara për një jetesë normale, humanisht dinjitoze.
Në shumë vende, shteti postkomunist e ka pasur dhe e ka të vështirë të mbledhë taksat për buxhetin e vet, me anë të të cilave të paguajë punonjësit dhe shërbimet e tij. Nga ana tjetër, shumë nga asetet e çmuara të shtetit komunist, përfshirë edhe sektorë të tërë të ekonomisë, në disa vende u shitën, ose u privatizuan fare lirë nga biznesmenë, kryesisht vendas, të cilët u shndërruan në oligarkë të vërtetë. Kjo oligarki dhe monopolet e tyre sundojnë jetën ekonomike dhe politike në shumë nga këta vende.
Shqipëria është, ndoshta, rasti më tipik—dhe më i dhimbshëm—në këtë aspekt. Tranzicioni postkomunist duket se rikonfirmoi një të vërtetë, e cila, në mënyrë inherente karakterizon çdo shoqëri njerëzore: e kundërta e një gjëje të keqe (komunizmi), nuk mund të ishte domosdo një gjë vetëm e mirë (postkomunizmi), ose njëlloj e mirë për të gjithë.
Shkaku i tetë Një shkak tjetër më kujton proverbin amerikan, që thotë: “There’s no such thing as a free lunch” (Nuk ka drekë falas). Shumë njerëz, në mënyrë naive menduan se, me shembjen e sistemit të socializmit shtetëror dhe me krijimin e një shoqërie të lirë, çdo gjë që ata shpresonin të arrinin do të ishte “free” për ta, pra nuk do të kushtonte asgjë. Në të vërtetë, shumë nga reformat që ndërmorën shtetet postkomunistë kishin dhe vazhdojnë të kenë një kosto të lartë për qytetarët, gjë që natyrshëm ka krijuar dhe vazhdon të krijojë zhgënjime të shumta në radhët e një mase të gjerë njerëzish.
Kjo, në një kuptim real të fjalës, ka provuar dështimin e vetë teorive sociale mbi tranzicionin, të cilat nuk arritën të parashikonin dot koston e lartë—e shprehur si pabarazi, si dislokim social, psikik dhe ekonomik i një pjese të madhe të anëtarëve të shoqërisë dhe shumë dukuri të tjera—që do të shoqëronte transformimin ekonomik dhe politik të shoqërisë postkomuniste dhe zhgënjimet që do të krijonte ky proces në segmente të gjerë të popullsisë.
***
Në fillimet e tranzicionit postkomunist ishin të shumtë ata që besuan se vendosja dhe konsolidimi i një rendi demokratik do të ishte diçka relativisht e lehtë dhe e shpejtë dhe se shteti ligjor, barazia dhe prosperiteti nuk do të vononin të bëheshin tipare të çdo shoqërie postkomuniste. Një shpresë e tillë ishte, qysh në fillim, e destinuar të dështonte dhe të zhgënjente shumë njerëz.
Tashmë, dihet se vizioni fillestar mbi tranzicionin postkomunist ishte tepër rozë, ndërsa parashikimet e bëra nga shumica e politikanëve dhe e ekonomistëve perëndimorë dhe nga shumë akademikë ishin tepër euforike.
Shpresat dhe parashikimet mbizotëruese mbi tranzicionin postkomunist kanë qenë, përgjithësisht, të mbështetura në supozimin naiv se institucionet demokratikë dhe ata të tregut të lirë do të ishin lehtësisht të eksportueshëm si një “model” dhe të transplantueshëm njëlloj në të gjithë shtetet ish-komunistë dhe se procesi i tranzicionit në këta vende do të zgjaste vetëm rreth pesë vite ose diçka më shumë.
Përveç kësaj, kushtet dhe rrethanat specifike të çdo vendi nuk u morën sa duhet parasysh, çka ushqeu besimin naiv se ajo çka i shkonte për shtat Polonisë ose Hungarisë, do u shkonte njëlloj për shtat edhe vendeve të tjerë të këtij rajoni. Koha provoi se asnjëri nga këta skenarë nuk u realizua. Dështimin e këtyre supozimeve, shpresave dhe iluzioneve euforike të Perëndimit dhe të vetë popujve europianolindorë e ka pohuar, më qartë se kushdo, i ndjeri Zbigniew Brzezinski, i cili, qysh në vitin 1995, shkruante: “Ne e kemi mbivlerësuar ritmin e tranzicionit postkomunist. Fillimisht u prirëm të supozojmë se disa modifikime, kryesisht të karakterit ekonomik, që do të inicionin një ekonomi të lirë tregu, do të krijonin jo vetëm një treg të lirë e të qëndrueshëm, por edhe një demokraci funksionale.
Tashmë, ne e dimë se këta dy procese janë shumë më kompleksë nga sa supozuam fillimisht dhe se demokratizimi i vërtetë dhe një transformim ekonomik i vërtetë do të zgjasin ndoshta po aq sa zgjati edhe faza ideologjikisht e motivuar e vetë rendit komunist”. (bota.al)
Fatos ne keto 30 vjet demokraci perdite e me shume behesh nje socialist i terbuar po te shikosh emrin tend ne nje artikull dihet se si do shkruash,duket eshtedhe faji i moshes dhe nostalgjia per komunizmin