PSG sjell humbjen e parë për Barcelonën e Luis Enrikes
Natë rekordesh për legjendat Françesko Toti dhe Çavi Hernandez
Sfidat e djeshme në Ligën e Kampioneve kanë treguar një ekuilibër të jashtëzakonshëm, pasi katër sfida janë mbyllur në barazim, ndërsa katër të tjerat janë fituar me diferencën e vetëm një goli. Suksese të rëndësishme kanë arritur Bajern Mynih, PSG e Çelsi që kanë marrë të vetëm kreun e grupeve të tyre. Ndërkohë, ekipet “e vogla” si Bate, Maribor e APOEL vazhdojnë të tregojnë se nuk marrin pjesë rastësisht në këtë turne.
Grupi E
Bajern Mynih ka bërë detyrën duke marrë fitoren e dytë radhazi 1-0 në po aq ndeshje të luajtura, për të kryesuar i qetë grupin. Bavarezët kanë dominuar mbajtjen e topit, duke realizuar 698 pasime në këtë sfidë, por në fund, diferencën e ka bërë një penallti e transformuar saktësisht nga Tomas Myler në pjesën e parë. Ne një stadium të boshatisur si dënim nga UEFA për thirrjet raciste të tifozëve rusë, edhe CSKA Moska ka krijuar rastet e saj, por është ndalur nga Nojer dhe sidomos pasaktësia e sulmuesve të vet. Në ndjekje të bavarezëve është vënë Roma, e cila ka barazuar 1-1 në fushën e Mançester Sitit. Ndonëse vendasit kaluan shpejt në avantazh me anë të penalltisë së Agueros, italianët u kundërpërgjigjën me Françesko Totin. Ky i fundit shënoi një gol mjeshtëror në minutën e 23 të sfidës, duke hyrë në histori si futbollisti më i vjetër që shënon në Ligën e Kampioneve, në moshën 38 vjeç e 3 ditë, duke kaluar rekordin që mbahej nga Rajan Gigs, i cili kishte shënuar në moshën 37 vjeç e 289 ditë.
Grupi F
Supersfida e ditës së djeshme ishte dueli mes dy pretendentëve për fitoren e Ligës së Kampioneve, PSG dhe Barcelona, e përfunduar me suksesin e merituar 3-2 të parisienëve. Ndonëse në radhët e PSG mungonte sulmuesi kryesor, Zlatan Ibrahimoviç, ekipi vendas krijoi raste të shumta para portës së Ter Shtegen, që nuk u shfaq i sigurt në daljet e tij, sidomos në rastin e golit të dytë të Verratit. Barcelona reagoi duke shënuar dy gola shumë të bukur me Mesi e Neimar, por në fund nuk shfrytëzoi disa mundësi të krijuara para portës vendase për të evituar humbjen e parë të Luis Enrikes në stolin e katalanasve. Në këtë ndeshje, për t’u shënuar është edhe aktivizimi për herë të 143 i Çavi Hernandez në Ligën e Kampioneve, duke kaluar Raul dhe vendosur një rekord të ri për turneun. Ngushëllimi i vetëm i katalanasve mund të jetë fakti se kanë ruajtur vendin e dytë në grup, pas barazimit surprizë 1-1 mes qipriotëve të APOEL dhe Ajaks, ku holandezët regjistruan ndeshjen e tetë radhazi pa fitore jashtë fushe në Ligën e Kampioneve.
Grupi G
Çelsi nuk e ka pasur të vështirë të rimerrte kontrollin e grupit të vet, duke fituar 1-0 në fushën e Sporting Lisbonës. Suksesi nuk ka qenë i thjeshtë për londinezët që kanë krijuar e shpërdoruar shumë raste në pjesën e parë, por edhe kanë lënë hapësira në pjesën e dytë, ku sulmi i shpejtë i portugezëve mund t’i kishte ndëshkuar. Një surprizë e madhe ka qenë barazimi 1-1 jashtë fushe i Maribor ndaj gjermanëve të Shalke, me ekipin slloven që kaloi në avantazh në fundin e pjesës së parë, por nuk arriti të administronte siç duhej rezultatin dhe i fali barazimin Huntelar në pjesën e dytë të sfidës.
Grupi H
Xhekson Martinez ka qenë heroi i Portos, pasi me dy gola në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Shakhtar Donjetsk, ka arritur të siguronte një pikë për ekipin e tij, që deri në minutën e 89 po mundej 2-0. Barazimi 2-2 ka mbajtur portugezët në vendin e parë në grup, ku tani ndiqen në mënyrë të paparashikuar nga bjellorusët e BATE, të cilët kanë fituar 2-1 ndaj Atletik Bilbaos, duke treguar se mund të bëhen edhe ata protagonistë në një nga grupet më të ekuilibruara të këtij edicioni.
Liga e Kampioneve
Grupi E
Mançester Siti-Roma 1-1
5’ (p) Aguero / 23’ Toti
CSKA Moskë-Bajern Mynih 0-1
22’ (p) Myler
Renditja: B. Mynih 6 pikë, Roma 4, M. Siti 1, CSKA Moskë 0.
Grupi F
APOEL-Ajaks 1-1
32’ (p) Manduka / 28’ Andersen
PSG-Barcelona 3-2
10’ D. Luiz, 26’ Verrati, 54’ Matuidi / 12’ Mesi, 56’ Neimar
Renditja: PSG 4 pikë, Barcelona 3, Ajaks 2, APOEL 1.
Grupi G
Sporting L.-Çelsi 0-1
34’ Matiç
Shalke-Maribor 1-1
56’ Huntelar / 37’ Bohar
Renditja: Çelsi 4 pikë, Maribor 2, Shalke 2, Sporting L. 1.
Grupi H
Sh. Donjetsk-Porto 2-2
52’ Teikseira, 85’ L. Adriano / 89’ (p), 90’+4’ Martinez
BATE-A. Bilbao 2-1
19’ Poliakov, 41’ Karnitski / 45’ Aduriz
Renditja: Porto 4 pikë, BATE 3, Sh. Donjetsk 2, A. Bilbao 1.
Sot
Grupi A
Atletiko Madrid-Juventus
Malmoe-Olimpiakos
Grupi B
Ludogorets-Real Madrid
Bazel-Liverpul
Grupi C
Zenit-Monako
- Leverkusen-Benfika
Grupi D
Arsenal-Gallatasaraj
Anderleht-B. Dortmund