Punë, punë! dhe punë(sim) pak
Ndue Dedaj
Janë të paktë shqiptarët që punojnë, dhe pse përditë thërrasim: “Punë, punë!…” Çfarë ka ndodhur kështu me ne, na ka lënë puna, apo e kemi lënë ne atë? Ka një çerek shekulli që ka papunësi masive. Gjithë këto vite papunësia ka qenë pazotësia më e madhe e qeverive dhe punësimi një fill i këputur i qeverisjeve. Është bërë çfarë është mundur, pa pasur ndonjë strategji për këtë qëllim. Hendeku është bërë më i madh me lëvizjen e popullsisë nga zonat malore drejt qyteteve, kryesisht nga Veriu, ku njerëzit që dikur merreshin me mineralet, pyjet, blegtorinë mbeten pa punë në periferitë e Durrësit, Tiranës, Lezhës etj., në pritje të ndonjë mrekullie punësimi në sistemin e ri. Por jo, vetëm sa shtoheshin sheshet “Omonia” në qytete me njerëz me vegla pune në duar, që rrallëkush i ftonte për të punuar. Natyrisht që në një sistem si ky, askush nuk të emëron më në një punë të përhershme, por shteti është për të hapur ngado shtigje punësimi. Nuk ka fushatë ku nuk premtohet shifra standard “300 mijë vende pune” që do të hapen më sot e më nesër, brenda këtij mandati apo atij tjetrit, por prapë puna për shumëkënd është një mollë e ndaluar si në fillimet e shekullit XX. Në këtë pikë, gjërat kanë ndryshuar pak, sidomos në fshat, ku fshatari shqiptar në më të shumtën është sërish te parmenda, pasi shteti nuk ofron mundësi që veprimtaria e tij bujqësore të modernizohet e kooperohet si në Perëndim. Nisma fermere ka në vreshtari, perimore, mbarështimin e tufave etj., por ato nuk kanë peshë në tregun prodhues e punësim pasi nuk kanë dalë nga kuadri familjar. Fushat e Shqipërisë janë për t’u qarë nga shterpësia shumëvjeçare që i ka zënë. Kujtohuni pak – sapo mbyllëm një fushatë zgjedhore – a pati politikanë dhe kandidatë për kryetarë bashkie që premtuan diçka racionale për fshatin? Të gjitha takim-dëgjesat në fshatra u zhvilluan në lëndina si qëmoti e jo në mjediset e ndonjë punishteje apo ferme. Po bëjmë qendra qytetesh model për nga infrastruktura dhe mjaft mirë që po ndryshon pamja urbane e vendit, por askund nuk është investuar në krijimin e ndonjë qendre rurale zhvillimi, që t’i tërhiqte njerëzit drejt pasurive natyrore për punë e investim. Shqiptarët masivisht, në fushë e në mal, kanë punuar vetëm në kohën e monizmit, në industri, hidrocentrale, hekurudha etj., pavarësisht nivelit të ulët të pagave e pensioneve, pa folur për sektorin kooperativist ku puna ishte rraskapitëse dhe paga qesharake.
Por nuk është se e kaluara na ndihmon në ndreqjen e së tashmes. Sot kemi Shërbim Kombëtar të Punësimit që mbështet programe, informon, këshillon e trajnon në këtë lëmë, e megjithatë papunësia është e lartë. Pa iu hyrë shifrave, që iu përket specialistëve t’i analizojnë, mund të thuhet që shumica e njerëzve të aftë për punë, janë të papunë. Ky është problemi kryesor i shqiptarëve në këtë kohë, rrjedhimisht dhe i qeverisjes qendrore e vendore. Paçka se qeveria e mat punësimin me vendet e punës që krijohen nga biznesi apo investimet, punësim ka pak, ndërkohë që për punë ka uri. Nuk mund të jenë disa fasone të shpërndara nëpër Shqipëri shpëtimi, me gjithë vlerën e tyre, as disa ferma ende të pakonsoliduara dhe sidomos disa miniera ku vdesin minatorët, ku mjafton të përmendësh Bulqizën fisnike që nuk del asnjëherë nga zija. Mundi dhe heroizmi i saj 65-vjeçar në galeritë e kromit nuk vlen për të mbajtur gjallë një dorë njerëzish, jo më t’i bëjë ata të rrojnë në luks, ani se ecin mbi thesare. Dhe a e keni vënë re, për politikë janë mbushur sheshet deng me qindra herë, politikanët kanë shpejtuar të përmendin shifra të larta me 10, 30 apo 100 mijë pjesëmarrës në mitingje, por nuk dimë dhe një rast të vetëm gjithë këto vite kur njerëzit të jenë mbledhur për të protestuar për mungesën e punës dhe papunësinë kronike. A thua se ata nuk e duan punën. “Zyrat e Punës” nuk ndërmjetësojnë dot për punë, nuk i pyet kush për asgjë, asnjë nga firmat që bën ndërtime veprash të mëdha në territorin e tyre nuk do t’ia dijë për to, thjesht japin asistencën sociale – mbase në pritje të reformimit si institucioni i vetëm që merret me shërbimin e punës. Po bashkitë e reja a do të kenë ndonjë rol në këtë çështje? A do të krijojnë ato mundësi punësimi për banorët e tyre? Iniciativa e lirë nuk mund të lulëzojë pa një shtet social që di si t’i ndërtojë politikat dhe strategjitë e punësimit. Deri tani nuk ka pasur një bashkërendim kushedi të pushtetit qendror me atë vendor për sa i përket punësimit, duke e mbajtur barrën më shumë ai qendror. Por tash nuk ka kuptim që të mos përfshihen dhe bashkitë në këtë “valle”. Problemi është se si do të caktohet me ligj përgjegjësia e njërës palë dhe e palës tjetër mbi menaxhimin ekonomik të pasurive minerale, pyjore, ujore, bimore, turistike, trashëgimore etj. Nëse bashkitë nuk do të jenë nga pak dhe “Komitete Ekzekutive” zor se ato do të dalin nga niveli i shërbimeve ku janë sot. Bashkia merret me tenderët e shkollave, duke mos e pasur arsimin në vartësi dhe nuk zhvillon politika e “tenderë” për punët publike në komunitet, për mbarështimin e pyjeve, kullotave, tokave, mineraleve, monumenteve etj. Nëse nuk do të ketë kompetenca të reja të mjaftueshme në këtë drejtim, që ta bëjnë atë vendimmarrëse dhe (bashkë)pronare me qeverinë, bashkia nuk mund të veprojë, çka do të thotë se ajo me ligj i ka duart e lidhura për sa i përket fuqizimit ekonomik të banorëve dhe punësimit të tyre.
Një vit më parë janë përuruar disa zyra punësimi në Vlorë e ndokund tjetër, si një përpjekje e qeverisë për të përmirësuar diçka, qoftë dhe si imazh, por nuk dimë të kenë funksionuar realisht. Ndërkohë, këto ditë janë diskutuar disa ndryshime në Kodin e ri të Punës, ku për herë të parë parashikohen agjencitë e punësimit që do të ndërmjetësojnë në këtë fushë. Ministri i ri i Mirëqenies Sociale, Klosi, citohet të ketë thënë se kompani të mëdha (si TAP-i që pritet të punësojë 9000 vetë) po afrohen në vendin tonë, ndaj ka shumë nevojë për një mekanizëm të ndërmjetëm që të realizojë punësimin e kualifikuar të njerëzve. Ky është një veprim i drejtë, pasi dhe pa mbërritur “kompanitë e mëdha”, problemi i punësimit ka qenë problematik me kompanitë e huaja që veprojnë në Shqipëri, në sektorë të ndryshëm ekonomikë dhe që nuk e mbajnë veten për të vogla. Mbi bazën e cilave kritere e kontrata serioze merren prej tyre në punë punëtorët në metalurgjik, miniera, hidrocentralet e rinj, apo thjesht me kush t’iu trokasë në derë dhe me të “njohur” të personelit shqiptar të tyre? Ka një sërë problemesh në këtë mes, punëtorët largohen nga puna si t’i leverdisë firmës, punojnë me orë të zgjatura dhe përgjithësisht paguhen pak, shumë më pak se specialistët, bie fjala, turq të të njëjtit objekt. Nga marrja në punë e punëtorëve të pakualifikuar dhe mungesa e sigurimit teknik kanë ndodhur dhe aksidente të rënda.
Te ne ka treg zarzavatesh e gjithnur sendesh e rrangullash, “Gab” me shumicë e të tjerë, por nuk ka një treg pune për të qenë. Baret, restorantet dhe hotelet janë “ndërmarrja” më e madhe punësimit që e kemi, natyrisht me tepri e pagesa modeste. Ëndrra për të qenë jurist, ekonomist, arkitekt shpesh përfundon kamerier në lokalet e pafundme të Tiranës etj. Tregu nuk funksionon normalisht jo vetëm kur në fabrikën e miellit në periferi shkruhen shtatë e punojnë shtatëmbëdhjetë punëtorë, por as në një sektor elitar, siç është masmedia, ku gjithashtu në disa sosh punohet në “të zezë” dhe me probleme të pagesave. Një treg i ndikuar, ku më pak e ku më shumë nga politika, ndokund dhe i varësuar prej saj, është i rrezikuar të dështojë, aq më tepër ai mediatik që është tepër i ndjeshëm si avangardë e një shoqërie në zhvillim.
P.S. E kishim përfunduar shkrimin kur dëgjuam ministrin e linjës të deklaronte se për dy vjet qeverisje ishin hapur 120 mijë vend pune dhe se në dy vitet e tjera do të hapej “kusuri” prej 180 mije vende pune, që të kapej kësisoj në katër vjet shifra historike 300 mijë vende pune! Qofshim ne të gabuar me këtë shkrim, mjaft që për popullin të ketë punë dhe jo propagandë punësimi.