Punësimi në Shqipëri rritet në statistika, por bie në moshën e punës
Të dhënat e INSTAT tregojnë shtim të të punësuarve mbi 15 vjeç, ndërsa numri i punonjësve 15-64 vjeç po tkurret, duke ngritur shqetësime për emigracionin, tregun e punës dhe sistemin e pensioneve.

Publikimi i radhës i treguesve të punës nga INSTAT është një ndodhi që jep një pamje se çfarë po ndodh realisht në ekonomine tonë. Në këtë rafsh ia vlen për t’u ndalur sidomos në publikimin e pasqyrës “ Të punësuar kontribues në sigurimet shoqërore” dhe “Anketës Tremujore të Forcave të Punës”.
Sipas publikimit të punësuar kontribues në sigurimet shoqërore, në tremujorin e katërt të vitit 2025 krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023 vihet re dukuria e shtimit të të punësuarve kontribues në sigurimet shoqërore, një shtim prej 35,538 vetë në sektorin urban, nga të cilët 5,138 janë shtesa e tyre në sektorin shtetëror, ndërsa në të punësuarit kontribues në sektorin privat urban janë shtuar me 30,400 vetë. Pa u ndaluar në paradoksin e vazhdimit të rritjes të të punësuarve në sektorin shtetëror, në kushtet e dixhitalizimit (që kërkon një analizë të posaçme), nuk mund të mos vërehet fakti se vazhdimi i shtesës të të punësuarve kontribues në sigurimet shoqërore në sektorin privat urban në përmasa thuajse të barabarta sa shtimi i numurit të pensionistëve është një dukuri mjaft pozitive si në aspektin e arritjeve të atakimit të informalitetit dhe evazionit fiskal, por dhe të përballimit nëpërmjet kësaj rruge, të nevojave që vijnë nga shtimi i numurit të pensionistëve. Shtimi i të punësuarve kontribues të sigurimeve shoqërore në sektorin privat urban rezulton pothuaj i barabartë me shtimin neto të numurit të pensionistëve.
Grafiku Nr. 1

Krahas këtij publikimi interes të posaçëm përfaqëson dhe publikimi tjetër i INSTAT, “Përmbledhje e treguesve të tregut të punës vlerësuar sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, Tr.1/23-Tr.4/25.” Në mënyrë të përmbledhur jam ndalur në disa nga treguesit kryesorë të tremujorëve të katërt, për vitet 2023, 2024, 2025, që paraqiten në grafikun Nr 2 bashkëlidhur .
Grafiku Nr. 2
Këtë radhë sipas “Anketës Tremujore të Forcave të Punës” për të njëjtat periudha, për tremujorët e katërt të viteve 2023, 2024, 2025 prezantohet ecuria e të punësuarve. Nga të dhënat e grafikut Nr 2, rezulton se Të punësuar 15 vjeç e lart, në të gjithë sektorët, urban dhe rural, janë shtuar në Tremujorin e katërt nga një vit në tjetrin. Nëse në tremujorin e katërt të vitit 2023 numuri i tyre ishte 1 milion e 144 mijë e 651 vetë, në atë të vitit 2024 numuri i tyre ka arritur 1 milion e 164 mijë e 870 vetë, ndërsa në atë të vitit 2025 ka arritur në 1 milion e 172 mijë e 550 vetë duke u shtuar krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023 me 27,899 vetë. Pra pamvarësisht nga tkurrja e popullsisë gjithsej situate ekonomike e vendit karakterizohet nga fakti se numuri i të punësuarve sipas INSTAT vjen duke u rritur.
Ndërkohë sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës , nuk paraqitet e njëjta prirje, përsa i përket Të punësuarit e moshës së punës 15-64 vjeç. Nëse numuri i tyre në tremujorin e katërt të vitit 2023 ishte 1 milion e 58 mijë e 599 vetë ose 86 mijë e 53 vetë më pak se numuri i të punësuarve 15 vjeç e lart në atë periudhë. Në tremujorin e katërt të vitit 2024, numuri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç rezultoi me rënie ose 1 milion e 53 mijë e 530 vetë. Kjo rënie vazhdoi edhe në vitin 2025 ku në tremujorin e katër të tij, numuri i të punësuarve të këtij grupimi rezultoi 1 milion e 37 mijë e 238 vetë, duke u pakësuar me 21 mijë e 361 vetë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, por ndërkohë duke qenë 135 mijë e 313 vetë më pak se të punësuarit 15 vjeç e lart.
Sipas kësaj metodologjie matje, rezulton qartë se numuri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç në tërësi të sektorëve urban dhe rural së bashku pamvarësisht efektit sezonal po bie. Kjo duket qartë në grafikun Nr 2.
Ndërkohë kjo rënie në tremujorët e katërt ku jam ndaluar, po bie në vijimisi dhe në përmasa madje më të mëdha për popullsinë inaktive, për popullsinë në moshën e punës dhe të forcave të punës të moshës 15-64 vjeç.
Kjo rënie tani për tani nuk është shoqëruar me rënien e të punësuarve kontribues të sigurimeve shoqërore në sektorin privat urban, të prezantuar nga INSTAT.
Por me zhvillimet demografike dhe emigracionin neto, herët a vonë ka për të ndodhur.
Por ky moment kur numuri i të punësuarve kontribues të sigurimeve shoqërore ulet, kjo ka për të shoqëruar me probleme të mëdha si në fushën e pensioneve, punësimit, rritjeve dhe zhvillimeve ekonomik të pariparuashme, ashtu si tregon madje ekonomia e vëndeve shumë të zhvilluara si Japonia. Ndërkohë akoma më e vështirë bëhet arritja e rezultave të synuara nga masat e marra në këtë lëmë. “Sëmundja” ka për t’u agravuar në përmasa, zor të pariparueshme. Për rrjedhojë ndërhyrja sa më e shpejtë sot e jo nesër, në përputhje me gjendjen reale, të ecurisë të treguesve demografikë dhe të punësimit aktualisht, nuk është çështje dëshire.
- Fakti që “Të punësuar kontribues në sigurimet shoqërore” sipas INSTAT, nuk përfaqëson të gjithë të punësuarit kontribues të sigurimeve shoqërore, por vetëm ata në zonën urbane, ndërsa të dhënat e Anketës Tremujore të Forcave të Punës, duke bërë vlerësimin e ecurisë të të gjithë të punësuarve, si në sektorin urban, por edhe atë rural, por pa hedhur dritë se çfarë po ndodh, me kontribuesit e sigurimeve shoqërore në zonën rurale, apo se çfarë po ndodh me të punësuarit në bujqësi, të moshës 15-64 vjeç, dëshmon se në aspektin e vlerësimit, matjes të treguesve të mësipër është e domosdoshme të realizohen përmirësimet e nevojshme dhe të domosdoshme.
- Fakti që sipas INSTAT, jepet vetëm informacion për të punësuarit në bujqësi 15 vjeç e lart dhe se ata vazhdojnë të rriten nga 719 vetë në vitin 2023 në 432.544 për vitin 2024 duke mos dhënë informacion se çfarë po ndodh me të punësuarit në bujqësi të moshës 15-64 vjeç edhe në kushtet e migrimit të madh, si të brendshëm nga fshati në qytët dhe emigracioni neto jashtë vendit, i bën këto të dhëna nga ky institucion të pabesueshme, ose të mosdoshëm. se çfarë po ndodh me të punësuarit në bujqësi të moshës 15-64 vjeç, sipas këtij institucioni.
Ndërkohë si u evidentua edhe më lart diferenca midis të punësuarve gjithsej sipas INSTAT 15 vjeç e lart dhe atyre 15-64 vjeç është rritur nga 86 mijë në tremujorin e katërt 2023, në 135 mijë në vitin 2025 ose 49 mijë më tëpër, nuk jep një informacion të qartë se sa prej të punësuarve në sektorin privat që kanë dalë në pension, vazhdojnë ose janë të detyruar të punojnë edhe mbas plotësimit të moshës së punës për pension, paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore, por këto kontribute nuk u kthehen mbrapsh, bën të nevojshme dhe të domosdoshme që nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, të bëhet një publikim i plotë se sa janë kontribuesit e sigurimeve shoqërore që vazhdojnë të punojnë edhe mbas mbushjes së moshës në pension, sa prej tyre mund të përfitojnë rritje pensioni nga ata që janë në sektorin publik dhe sa të tjerë nuk përfitojnë shtesë pensionime që nëse punojnë në sektorin privat, por jo si të vetpunësuar.
Ky publikim dhe informim nuk është çështje dëshire, por masa më e lehtë e nevojshme dhe e domosdoshme për përmirësimin e reformimin e sistemit të pensioneve nga njëra, që edhe ata persona që janë në sektorin privat por jo të vetpunësuar të përfitojnë të drejtën që iu është dhënë dhe këtyre të fundit, të drejtën që t’u kthehen mrapsht kontributet e sigurimeve shoqërore që kanë paguar pas daljes në pension e kur vazhdojnë të punojnë, por dhe për të hedhur dritë mbi gjendjen reale të të punësuarve brenda moshës së punës 15-64 vjeç e mbi 15 vjeç , si në tërësi dhe sa prej tyre derdhin kontribute të sigurimeve shoqërore, por dhe të grupuar në sektorin urban e rural dhe më tej sipas klasikimeve e grupimeve që përdor ISSH.
Nëse ISSH vazhdon të mos e publikojë këtë informacion të domosdoshëm reforma e sistemit të pensioneve ka për t’u shtyrë në kalendat greke. Aq më tepër ndërkohë ka për t’u agravuar çështja e punësimit sot e në të ardhmen dhe ajo e pensioneve.
Media vizive apo e shkruar është e nevojshme të sigurojë këtë informacion dhe të informojë publikun, për të mundësuar të gjithë aktorët për të ndërmarrë masat dhe reformat e domosdoshme për t’u përballur me sfidat demografike, ato të punësimit dhe të pensioneve.
Nëse këtë nuk e mundëson ISSH ajo duhet t’i kërkohet dhe realizohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në konferencat mujore të shtypit. Dëmet e shkaktuara nga administra e sidomos ajo e lartë, qoftë pa bërë korrupsion e mitëmarrje, por duke mos realizuar transparencën e nevojshme e të domosdoshme, mund të jenë shumë të mëdha për zhvillimin ekonomik e social të vendit sot, por sidomos për të ardhmen.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.