Punësimi, në vend mungojnë punonjësit e kualifikuar
Në zyrat e punës janë regjistruar rreth 150 mijë persona të papunë, në një kohë kur biznesi ka nevojë për 26 mije e 800 punonjës të kualifikuar.
Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi deklaroi se këto shifra të fundit tregojnë se Shqipëria ka mungesa të mëdha përsa i përket punonjësve të kualifikuar.
“Ne kemi një situatë paradoksale në vend. Në zyrat tona të punës sot kemi 150 mijë vetë që kërkojnë punë, ndërkohë që në të njëjtat sportele kemi 26 mijë e 800 vende të reja pune. Pra, biznesi kërkon punë, ndërsa Shqipëria nuk ka punonjës të kualifikuar”, tha Klosi.
Klosi kërkoi që zyrat e punës të jenë më aktive dhe të zgjidhin problematikën e qytetarëve, të cilët janë në kërkim të një vendi pune.
“Kërkesa jonë e vazhdueshme është që zyrat e punës të jenë si pikë fokale, ku biznesi të shkojë i qetë dhe të kërkojë punëmarrës, por që edhe këta të fundit të shkojnë dhe ta kërkojnë punëdhënësin”, u shpreh Klosi.
Ministri i Mirëqënies Sociale tha më tej se, gjatë vitit të ardhshëm do t’i kushtohet një rëndësi e veçantë arsimit profesional.