Punëtorët e KEDS-it kërkojnë rritje pagash për 120 euro
Punëtorët e KEDS-it kanë filluar grevat me kërkesat e tyre për përmirësim të kushteve të punës dhe ngritje të pagave prej 120 euro.
Greva e cila ka filluar të mërkurën ka zgjatur rreth një orë dhe se ajo do të vazhdoj dhe në ditët në vijim.
Fehmi Pajzaiti, kryetar i sindikatës tha se greva e tyre është e drejtë dhe ligjore dhe është duke u mbajtur në të gjitha nën distriktet dhe distriktet me përjashtim të Gjilanit.
Ai thotë se mbi 80 për qind të punëtorëve po e mbështesin grevën, gjë që u jep shtytje dhe motiv për të vazhduar më tutje, në kërkim të realizimit të kërkesave të tyre. Ndërsa, thotë se ata po kërcënohen nga menaxhmenti i KEDS-it.
“Kjo është formë kërcënimi nga ana e menxahmentit të KEDS-it, prapë se prapë kërkesat e punëtorëve janë kërkesa të punëtorëve dhe mbesin kërkesa të punëtorëve deri në realizimin e plotë të tyre. Edhe pse ishim një takim me manaxhmentin dje, sot ka qu shkresë prapë thotë të përdorën procedurat e ndërmjetësimit, që për ne si sindikatë janë të shteruara dhe harxhuara. Tash mund të vie në shprehje vetëm procedurat e pajtimit për ndërmjetësim, që do të thotë se nëse ata janë të gatshëm që të futen në procedurat për ndërmjetësim. Jemi të gatshëm dhe të hapur për të gjitha dialogjet dhe bisedimet me ta, mirëpo, le të dinë të gjithë ata që janë dhe ata që nuk janë, sepse nuk janë kërkesa vetëm të individëve por janë kërkesa jetike të punëtorëve”, tha ai.
Ndërsa, zëdhënësi i Këshillit grevist, Hysni Gashi tha se greva do të vazhdojë edhe në ditët tjera, sipas skenarit të përgatitur. Sipas tij, ata nuk do të ndalen së mbrojturi të drejtat e punëtorëve.
“Greva paralajmëruese do të vazhdojë sipas skenarit të përgatitur, pavarësisht kërcënimeve që po i bën menaxhmenti. Ne jemi të detyruar për shkak të sjelljeve jo njerëzore të menaxhmentit të KEDS-it ndaj punëtorëve, kundërshtojnë edhe të mbajmë këtë grevë sot. Greva ka karakterin paralajmërues dhe vetëm në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve”, tha ai.
Kurse, zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, tha se menaxhmenti i KEDS-it ka treguar vullnet për të diskutuar për të gjitha kërkesat e parashtruara. Ai thekson se pothuajse për të gjitha kërkesat është arritur marrëveshje, përveç kërkesës për ngritje të pagave.
Ndërsa, konsideron se grevat e punëtorëve të KEDS-it janë organizuar pa u respektuar hapat ligjor për të cilët është informuar sindikata. Ai thotë se në grevën e sotme ka pasur një numër të vogël pjesëmarrësish e po ashtu anulim për pjesëmarrje në grevë të disa distrikteve të KEDS-it, si në Prizren, Gjakovë dhe Gjilan.
“E kemi njoftuar sindikatën për plot gjëra tjera si p.sh që të hyrat e lejuara të ZRRE janë të përcaktuara deri në vitin 2017 dhe neve nuk na lejohet të ketë ngritje të pagave për punëtorët deri në vitin 2017 dhe nga ZRRE. Dhe një ngritje e tillë ndoshta do të reflektonte në ngritjen e tarifave të energjisë, për të cilën ne më së paku jemi të interesuar tash që të ketë ngritje të tarifave të energjisë, vetëm që të ketë ngritje për pagat e punëtorëve në KEDS të cilat vlerësojmë se janë prapë të larta, mbi standardet apo mesataren në Republikën e Kosovës dhe dukshëm mbi rrogën minimale në Kosovë”, ka theksuar Shkodra.
Ndryshe, greva e punëtorëve të KEDS it do të vazhdojë dhe në ditët në vijim nga ora 09:00 deri në orën 10:00. Ajo do të përfundoi të premten, ku greva do të jetë më e gjatë e cila do të filloj nga ora 9:00 deri në 16:30.