Ekonomia

Punonjësit shqiptarë, ndër më të pamotivuarit në Europë

Punonjësit shqiptarë janë përgjithësisht ndër më pesimistët në Europë kur pyeten për perspektivën e avancimit të tyre në karrierë. Të dhënat janë nga një raport i Komisionit Europian për kushtet e punës dhe i referohen vitit 2016. Vetëm një e treta e të anketuarve shqiptarë kanë pohuar se ata bien dakord që kanë një perspektivë të mirë për të avancuar në karrierë.

Gati 40% e punonjësve shqiptarë mendojnë të kundërtën, pra që ata nuk kanë shumë shanse të ecin përpara në punë.

Punonjësit shqiptarë renditen ndër më pesimistët së bashku me shtete të tjera si Greqia, Gjermania, Sllovakia, Serbia, Lituania dhe Italia, që renditet e fundit.

Siç duket nga grafiku, pesha e punonjësve që mendojnë se puna e tyre ofron perspektivë të mirë për të ecur përpara në karrierë është mbi 45% në Maltë, Turqi, Danimarkë, Mbretërinë e Bashkuar, Maqedoni, Irlandë, Rumani dhe Luksemburg.

Për gjithë Europën, diferencat sipas gjinive janë të vogla; megjithatë, më shumë meshkuj sesa femra pranojnë që puna e tyre ofron perspektivë të mirë në karrierë (40% kundrejt 36%).

Në të kundërt, më shumë femra sesa meshkuj janë pesimistë për ecjen përpara në karrierë: 42% krahasuar me 36%. Këto diferenca janë më të theksuara te punonjësit e vjetër, veçanërisht femra (51% a atyre mbi 50 vjeç).

Ka diferenca të mëdha mes sektorëve, ku shërbimet financiare janë më optimiste për avancimin në karrierë (55%), ndërsa transporti (33%) dhe bujqësia (29%) kanë më të ulëtin.

Administrata publike dhe shërbime të tjera janë mbi mesataren për sa i përket këtij treguesi (43% dhe 39% përkatësisht) por industria (37%) dhe tregtia e mikpritja (35%) janë nën mesataren.

Për sa i përket profesionit, shumica e menaxherëve bien dakord me deklaratën që puna e tyre ofron perspektivë të mirë për zhvillimin në karrierë. Gjithsesi, punonjësit e kategorisë së ulët dhe ata të krahut të makinerive nuk bien dakord.

 

Një tjetër indeks i matur në raport është ai i perspektivës, që mat vazhdimësinë e punësimit të vlerësuar sipas statusit të punësimit të personit dhe llojit të kontratës, sigurisë në punë dhe perspektivës në karrierë.
Perspektiva e punës është e ndryshme nga siguria e punës, pasi kjo e fundit varet jo vetëm nga cilësitë e punës aktuale, por edhe cilësitë e individit dhe mjedisin e tregut të punës.

Indeksi përbëhet nga kontratat pa afat, ato me afat të caktuar dhe vetëpunësimi.
Danimarka, Luksemburgu dhe Mbretëria e Bashkuar janë shtetet e Europës që kanë pikët më të larta për perspektivën. Shqipëria, Greqia, Qipro dhe Italia e kanë më të ulëtën.

Për sa u përket profesioneve, punëtorët e bujqësisë dhe profesionet elementare kanë shënuar nivelin më të ulët të indeksit (53 pikë) ndërsa teknikët, profesionistët (të dyja 67) dhe menaxherët (68) kanë nivelin më të lartë.

Sipas sektorëve, rezultati më i lartë është në shërbimet financiare (71 pikë) dhe më i ulëti është në bujqësi (53).
Një detaj i rëndësishëm është se punëtorët me kohë të pjesshme renditen shtatë pikë më poshtë punonjësve me kohë të plotë në indeksin e perspektivës, 58 kundrejt 65.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button