Kryeartikull

Pusi i thellë i Vettingut

Bedri Islami

Ligji i famshëm i Vettingut ka mbetur në Komisionin e Venecias. Fjalët e ardhura prej andej, si një përshkrim nënzanor, duan të thonë se ky ligj do të marrë dritën e gjelbër dhe mund të vijë përsëri në prehrin e Gjykatës Kushtetuese, e që andej, për të rënë rishtas në Pusin e madh të Kundërshtisë.

Sipas një informacioni të paraqitur në një nga institucionet e rëndësishme evropiane që merren me çështjet e Sigurisë dhe të Stabilitetit 72 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë janë krejtësisht kundër këtij ligji, një pjesë e miraton në një shumicë të ndjeshme të neneve të tij, ndërsa pjesa më e pakët, në heshtje, e miraton atë. Zërat e shfaqur pro ligjit në rradhët e drejtësisë janë inekzistente.

Ndërkohë, si në një kor të përbashkët, e gjithë opozita, njerëz të fuqishëm nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe institucioni i presidentit është krejtësisht kundër këtij ligji dhe po përgatitet për kundërshtime të tjera, të cilat do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese.

Prej saj, Gjykatës Kushtetuese, ligji mund të dërgohet sërish në një institucion tjetër evropian për “të dhënë mendimin” e tyre dhe zvarritja do të jetë e habitshme, por e pritur.

Tanimë gjërat janë ndarë si me thikë: shumica qeverisëse, e cila e miratoi këtë ligj të rëndësishëm pa të cilin nuk mund të fillojë reforma në drejtësi, është në shpejtimin e procesit; ndërsa pjesa tjetër është në hedhjen në kosh të ligjit, qoftë përmes një marrëveshje partiake, qoftë si formë kompromisi, dhe, në fund të fundit, përmes kundërshtive të hapura, edhe pse mund të jenë dukshëm iluzore.

Ditë-nata kur u ngritën të gjitha duart për të miratuar ndryshimet në Kushtetutën e Shqipërisë, tanimë janë të largëta dhe, dalëngadalë, po harrohen. Më tepër se sa një bindje ajo natë ishte shfaqje e frikës e transformuar në vota dhe lojë politike për të kaluar lumin e rradhës.

Tri gjëra i kanë dhënë edhe më shumë zemër kundërshtarëve të ligjit të Vettingut:

Së pari, po afron dita e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe është lindur shpresa se, në valën e ndryshime që po ndodhin, ku e djathta radikale po bëhet forcë e ndjeshme politike, ndikimi i saj do të ketë jehonë edhe në Shqipëri.

E gjendur pa asnjë alternativë të besueshme politike, e stërlodhur përmes fjalëve “vizion” dhe “shpresë”, klasa politike që është sot elitë drejtuese e opozitës nuk të afron as vizion dhe as shpresë.

Dy herët e provuara, Dibër dhe Kolonjë, dëshmuan se sa larg nga ndjenja e realitetit është opozita dhe se, si ishte pritur, ora e opozitës ka mbetur në kohën berishiane. Asgjë më tepër se kjo ndjenjë varësie nga një e shkuar deri në krim, nuk e stërlodh dhe nuk e prangos një opozitë, që edhe pa këtë të kaluar, ende nuk e gjen dot veten në tregun e politikës. “Tregjet” e tjera ajo i njeh krejt mirë.

Shpresa se zgjedhjet e reja mund të sjellin përmbysje të pushtetit politik dhe se, përmes këtij ndërrimi do të kenë të drejtën e menaxhimit të ligjit të Vetingut, sipas shijeve dhe preferencave politike, do të sjellë edhe në të ardhmen kundërshti të ashpra ndaj ligjit të Vetingut. Duke mos mundur të marrin pas dorën e ngritur kur miratuan Kushtetutën, ata do të bëjnë çdo gjë që është e mundur që ky proces të ecë më tej, deri në “Kalendat greke”, ose më saktë, deri në ditën kur mendojnë se do të marrin pushtetin politik e administrativ.

E vërteta është se forca të djathta të politikës evropiane po njohin rritje të përkrahësve të tyre. Ka shumë shkaqe për këtë dhe këto shkaqe do të jenë edhe në të ardhmen, pasi asgjë nuk do të ndreqet në pak muaj, deri në qershorin e vitit të ardhshëm. Këto shkaqe janë më të ndjeshme në një vend si Shqipëria.

Fakti që deri më tani, asnjëherë nuk kemi pasur një forcë serioze të së djathtës, e këtu bën pjesë edhe PD-ja, dëshmon se sa larg jemi drejt një të djathte ekstreme.

Nuk janë të paktë njerëzit në kupolën drejtuese të PD-së të cilët ngulmojnë në shtyrjen drejt një largësie sa më të mundshme të ligjit të Vettingut, por, mes tyre, Berisha dhe Basha, janë njëkohësisht edhe më të rrezikuarit nga ky ligj. Më mirë se kushdo tjetër këtë e dinë vetë ata.

Nëse nga sistemi i drejtësisë do të hiqeshin të gjithë ata që kanë mbyllur aferat e stërmëdha të familjes biologjike Berisha dhe të vetë Bashës, kjo do të hiqte gurët mbi të cilët është mbështetur alibia e tyre politike dhe egërsia e tyre ndaj reformimit të drejtësisë.

Tani janë të ditura shkaqet e egërsisë së tyre, por, në fakt, ajo që dihet, është vetëm njëra nga majat e njohura, ndërsa thellësitë janë ende të panjohura për shumicën e njerëzve.

Rizgjimi i çështjeve të nxehta, të njohura, mes tyre edhe e Kosta Trebickës, vdekja e papritur e motrës së Trebickës, pikërisht kur po ngulmonte në këtë të vërtetë, raportet e rreme të ngritura mbi këtë ngjarje, mund të ishte fillimi i ngritjes së kapakut të ligësive dhe eliminimeve që kanë ndodhur në këtë çerek shekulli.

Ringritja e 21 janarit, ashtu si ka ndodhur, sidomos në mjediset brenda kryeministrisë, urdhrat që janë dhënë, regjistrimet që janë zhdukur përkohësisht, sepse ata ende ekzistojnë, do të ishin përsëri kapakët e zbuluar të vrasjeve të llogaritura gjakftohtësish.

Shpresa për një ndryshim të qeverisjes dhe vendosja e njerëzve të tyre në të gjitha kupolat e drejtësisë, si ka ndodhur deri më tani, është guri që e mban fort në dorë opozita e tashme, gur, të cilin, kanë shpresën t’ua hedhin mbi krye qeveritarëve të tashëm.

Çfarë do të ndodhë nëse shumica e tashme do të vazhdojë qeverisjen edhe në katër vitet e ardhshme, çka duket se edhe do të ndodhë, nëse nuk do të kemi rokadë koalicionesh?

Këtë as ata vetë nuk e dinë. Ata po luftojnë për çdo ditë të fituar, deri në qershor një herë, dhe më pas, do të shohin për “gjetje” të tjera.

Lumi është i vaktë tani, pas zgjedhjeve të qershorit 2017, ai mund të mbushet përsëri.

Opozita, tani për tani, po synon të hedhë të gjitha Draftin e ri Kushtetues të Drejtësisë, tashmë pjesë kushtetuese, në një pus të thellë, nga i cili të mos ketë dalje të tashme.

Së dyti, shpresa në ndryshimin e politikës amerikane ndaj Shqipërisë, sidomos në ligjin e Vetingut, duke e trajtuar si një pasion privat i ambasadorit Lu, i cili, si po e përsërisin deri në lodhje, është “shitur” tek e majta socialiste.

Ardhja e presidentit të ri amerikan Trump në Shtëpinë e Bardhë nga pakkush është pritur me aq entuziazëm dhe joshje sa në opozitën e tashme. Pak parti politike, edhe të së djathtës, kanë patur kaq entuziazëm politik. Njësoj si me linjën Lë Pen, me Alternativën për Gjermaninë, me forcat politike radikale serbe, kanë shprehur dalldinë politike edhe opozitarët tanë.

Natyrisht zgjedhja e presidentit të ri amerikan është një ngjarje e shënuar dhe verdikti i një sistemi zgjedhor duhet parë si kalim i natyrshëm i pushtetit presidencial. Të tjerat vijnë më pas, dhe kjo, është shenjë e maturisë politike. Aq më shumë që, mjaft nga deklaratat e stafit të presidentit të ri, duam apo nuk duam, nuk janë edhe aq entuziaste për pjesë të kombit shqiptar.

Përse opozita ka mbështetur një pjesë të rëndësishme të shpresës së saj tek presidenti i ri amerikan?

Më shumë nga deklarata e shefit të qeverisë shqiptare, zotit Rama, këta kanë shpresën e largimit të shpejtë të ambasadorit Donald Lu. Më shumë sesa kryeministri i Shqipërisë dhe shumica qeverisëse, ata i trazon deri në palcë pikërisht zoti Lu.

Nuk ka ndodhur që një ambasador amerikan të ketë ikur që këndej me një mendim pozitiv për liderët pëdëist. Ata kanë ardhur të matur, nga maturia kanë bërë edhe gabime të ndjeshme, janë përpjekur të bëjnë qetësimin e gjërave dhe, në fund, sa nuk kanë plasur nga arroganca, mashtrimi dhe korrupsioni i pamasë i kësaj opozite. Sidomos kur ishte në pushtet.

Largimi i zotit Lu dhe ardhja e një ambasadori tjetër do të thotë për të fillimi i lojës së vjetër me letra të reja. Zoti Lu, i stërkequr prej tyre dhe portaleve mediale pranë ose krejt të tyre, ka të keqen e madhe: ai e njeh këtë opozitë dhe për fat të keq të opozitës, ai ishte ambasadori që e njohu më shpejt nga gjithë të tjerët. Ai ishte e mbetet njeriu që i thonin PO në takimin kokë më kokë, në një zyrë, i thonin të shohim kur e përcillnin shkallëve dhe kur po ndaheshin i thonin, JO. Të gjithë makinacionet që janë luajtur kundër ligjit, deri në imtësi, zoti Lu jo vetëm i njeh, por edhe i ka përjetuar, i ka hequr mbi kurriz dhe, si rrallë herë, ai është detyruar të shkojë deri ku nuk mban valixhja e tij diplomatike: ose votoni, ose do të jeni në Listën e Zezë të Presidentit amerikan. Dhe kjo listë, ata e dinin mirë, del vetëm kur të mos jesh në këtë botë.

Një ambasador i ri do të thotë një lojë e re politike, manovrime të tjera, mashtrime të tjera dhe, duke e ditur se secili që mund të vijë do të kërkojë në fillim zbutjen e përplasjeve, shpresa e tyre është në një perceptim të ligjit të Vetingut si një lojë fshati.

E treta: loja politike e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në fakt ajo, LSI,  luan për vete dhe po luan aq fort, sa që Konventa e tyre e fundit nuk ishte asgjë tjetër veçse një kambanë që dy palët rreth saj, socialistët dhe demokratët, e dëgjuan secila për hesapin e vet. Dhe asnjëra nuk mund të thotë se e kuptoj.

Do i duhet të presin Konventën tjetër për ta kuptuar.

Kjo pritje është edhe shpresa e opozitës.

Përveç të tjerave, të joshur nga deklaratat politike të liderit të LSI-së, zotit Meta se, kërkohet konsensus në ligjet për drejtësinë, për to kjo, krejt hapur, do të thotë se ligjet nuk mund të kalojnë pa “konsensusin” e tyre. Që nuk mund të ketë.

Afishimi politik i LSI-së, si forca që rëndon në kandarin e pushtetit, pavarësisht se është e treta, por e treta e domosdoshme, mban pezull frymën e opozitës në shumë gjëra, por sidomos në ligjet e reja të Drejtësisë. Nuk kanë rrugë tjetër; ose të mbajnë ende frymën pezull, ose t’u merret fryma kur të përballen me risitë e ligjeve që mendohet se do të jenë një çlirim i ardhshëm i vendit.

Ende çdo gjë është në fundin e pusit.

Anatema e zotit Rama se opozita, në qëndrimin e saj ndaj këtij ligji, po mban qëndrim antikombëtar, sado mund të jetë i drejtë deri në dhimbje, përsëri nuk shkon deri në ndërgjegjen e njerëzve të cilët, mjerisht, shitjen e vendit e kanë përparësi.

Related Articles

Nje koment

  1. Bedri Islami.Ti je nje pleh shqipetar.Drejtesia eshte zoti per shqipetaret.PLEHRAT SI SALI BERISHADHE KOPEJA E VLADIMIR KRISTOS NE GJYKATEN KUSHTETUTESE DUAN TE HAPIN VARRIN OER SHQIPETARET.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button