Bota

Putin takohet me Assad: Duhet zgjidhje politike për Sirinë

Vladimir Putin ka kërkuar një marrëveshje politike në Siri, gjatë një vizite të rrallë dhe të palajmëruar në Rusi të presidentit sirian Bashar al-Assad.

Udhëheqësi rus nënvizoi nevojën për të gjetur një zgjidhje për konfliktin e stërzgjatur civil në Siri, njoftoi Kremlini.

Takimi në resortin e Sochit, buzë Detit të Zi, vjen dy vite pasi Rusia nisi fushatën ushtarake në Siri në mbështetje të forcave ajrore të Assadit. Dy krerët janë takuar së fundmi në vitin 2015, pak pas ndërhyrjes ruse.

Duke folur në televizionin rus, pas takimit, Putin tha se do të bisedonte me presidentin amerikan Donald Trump dhe emirin e Katarit për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin.

Të mërkurën, ai do të takohet me udhëheqësit e Iranit dhe Turqisë për bisedime tripalëshe.

“Kemi ende shumë rrugë për të bërë, para se të arrijmë një fitore të plotë mbi terroristët, – tha Putin në Sochi. – Por, për sa i takon punës sonë të përbashkët në luftimin e terrorizmit në territorin e Sirisë, ky operacion ushtarak po përfundon”.

Assad qëndroi në tokën ruse për rreth 4 orë, tha një zëdhënës i Kremlinit. Ndërhyrja ruse në konflikt konsiderohet gjerësisht se ka kthyer zhvillimet në favor të forcave të Assadit, që janë përballë rebelëve dhe xhihadistëve, përfshirë Shtetin Islamik.

Rusia është akuzuar për vrasjen e qindra civilëve sirianë në fushatën e saj ajrore, diçka që ajo vet e mohon. Assad, duke folur për televizionin shtetëror rus, pas takimit, tha se në këtë fazë, pas fitores mbi terroristët është në interesin e të gjithëve, që të ecet përpara përmes procesit politik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button