Intervista

Qato: Pronat do verifikohen, në Hipotekë 42,975 vendime

91426NGA LORENC  RABETA

42,975 vendime të marra në kohë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do t’i nënshtrohen verifikimit në Hipotekë për të kuptuar sa prej tyre janë kthyer në tituj pronësie. Sipas drejtoreshës së Përgjithshme të AKKP-së, një veprim i tillë është i domosdoshëm për të kuptuar ç’ka ndodhur gjatë këtyre viteve me pronat. Sipas Qatos, një verifikim i tillë gjithashtu është i domosdoshëm për të llogaritur faturën financiare të procesit të kthim- kompensimit të pronave. Qato sqaron së fundmi AKKP ka krijuar Regjistrin Themeltar të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, falë të cilit mund të flitet për një proces efektiv të kompensimit të pronarëve. Sipas saj, pas zbardhjes së të gjitha vendimeve dhe të gjitha aplikimeve nga ana e pronarëve, them me saktësi se shifra e plotë është 8,343 dosje. Ky proces ka bërë gjithashtu të mundur edhe zbardhjen e jo pak, por 1628 vendimesh gjykatash për pronat të cilat u janë atashuar tashmë dosjeve përkatëse.

Para pak ditësh prezantuat Regjistrin Themeltar të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Për çfarë bëhet fjalë në terma praktikë? 
Është regjistri themeltar i vendimmarrjes së procesit Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke nisur që nga viti 1993, deri në 2013, e në përditësim edhe për vitin aktual. Bëhet fjalë për një bazë të unifikuar të dhënash, ku është hedhur çdo vendim i Komisioneve të Kthimit të Pronave të ndërmarrë nga Komisionet e Kthimit e Kompensimit të Pronave sipas organizimit nëpër bashki, më tej nëpër zyrat rajonale, deri në strukturën që kemi sot. Do të thotë që në terma praktikë është regjistruar çdo e dhënë që gjendet në dosjet e aplikimit të subjekteve dhe çdo vendim që është marrë lidhur me atë dosje. Të dhënat janë pasuruar edhe me detaje teknike si, lloji i pasurisë që pretendohet apo që kërkohet të kompensohet me vendim, sipërfaqen e njohur e kthyer apo e kompensuar. Të gjithë këtyre të dhënave u janë bashkangjitur edhe vendimet gjyqësore, në ato raste kur ekzistojnë dhe kur ne i zotërojmë. Njëherësh kemi marrë edhe nismën që çdo vendim gjykate t’ia bashkëngjisim dosjes përkatëse. Për këtë proces kemi kërkuar zyrtarisht ndihmën e gjykatave përkatëse.
Po thoni që vendimet e gjykatave lidhur me një dosje nuk gjendeshin së bashku me dosjen në fjalë, por diku tjetër? Si vepronte një punonjës i AKKP-së për të lidhur dosjen e një subjekti me vendimet gjyqësore që mund të ishin marrë lidhur me të? 
Po them pikërisht që nuk ishte në gjendje t’i lidhte të dyja. I kemi gjetur vendimet e gjykatave të grumbulluara të tëra në një cep të zyrës së përfaqësimit ligjor, ku për më tepër qëndronin edhe të paprekura. Bëhet fjalë për jo pak, por 1628 vendime gjykatash, të cilat ua kemi atashuar tashmë dosjes përkatëse. Në këtë mënyrë çdo dosje tashmë përmban një sasi shumë më të madhe dhe shumë më të saktë informacioni. Me pak fjalë, ndërmorëm një proces për krijimin e një baze të dhënash, ku çdo dosje të ketë bashkangjitur gjithë informacionin e mundshëm dhe çdo vendim të mundshëm që është marrë lidhur me të.
Në terma praktikë, çfarë përfiton një pronar që pretendon të marrë pronën e tij tashmë që informacioni është i grumbulluar i tëri në një regjistër.
Së pari, për të qenë të sinqertë, më duhet të pranoj që flasim për një proces, i cili nuk përfundon me kaq. Një hap i dytë shumë i rëndësishëm është bashkëlidhja e të gjitha vendimeve të marra në kohë me çfarë është regjistruar në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Është shumë e rëndësishme të dimë me qartësi se sa nga këto vendime janë kthyer në tituj ekzekutivë dhe në certifikata. E thënë më thjeshtë, kemi në dorë 42975 vendime të marra në kohë dhe duam të zbardhim se sa nga këto vendime janë kthyer në tituj pronësie.
Po thoni që asnjë institucion shtetëror nuk është në gjendje të përgjigjet saktësisht për këtë numër vendimesh, nëse këto pasuri janë regjistruar nëpër ZRPP dhe nëse janë lëshuar tituj pronësie mbi to? 
Deri tani ka qenë e pamundur të bëhej një gjë e tillë. Më duhet të them se kjo është një punë shumë e vështirë, pasi na duhet bashkëpunim me arkivat e zyrave vendore të hipotekave. Tashmë kemi nisur një projekt me zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive. ZQRPP ka lidhur online arkivat e rreth 10 rretheve. ZQRPP, falë një marrëveshjeje do të na japë edhe ne të njëjtin akses që u jep noterëve në regjistrat e saj dixhitalë të pasurive të paluajtshme. Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave do të ketë të njëjtin akses që gëzojnë noterët tek informacioni online i ZQRPP.
Keni kaluar nëpër duar 42975 vendime të marra në kohë. Çfarë nxori në pah ky proces, çka ndodhur me çështjen e pronës në Shqipëri gjatë këtyre viteve? Krijohet një ide duke parë të gjitha këto vendime? 
Kur u shkrinë zyrat rajonale të Kthimit e Kompensimit të Pronave për t’u përqendruar në Tiranë, u bë procesi i dorëzimit të të gjitha dosjeve që zotëronte secila zyrë. Nëpër këto zyra në atë moment ekzistonin dosje në shqyrtim e sipër, por edhe aplikime që nuk qenë marrë kurrë në shqyrtim. Dimë që kur janë grumbulluar në Agjenci të gjitha këto dosje kanë mbërritur nëpër thasë, pa procesverbale e pa u skeduar. Çdo vit, me iniciativë të drejtorit të përgjithshëm të AKKP, një pjesë e këtyre dosjeve nxirrej nga arkiva për t’iu nënshtruar shqyrtim administrativ. Rezulton se 5555 dosje ishin të paprekura, domethënë nuk i qenë nënshtruar asnjëherë kurrfarë shqyrtimi.
Si përkthehet kjo praktikisht për një nga 5555 dosjet që përmendët. Personi që i takon dosja paraqitej në AKKP dhe nuk merrte asnjë lloj përgjigje për aplikimin? 
Merrte përgjigje të turpshme. I thuhej që dosja juaj ekziston, por gjendet diku në arkivë e pashqyrtuar.
Çfarë lloj dosjesh janë, për çfarë tipologjie pretendimesh bëhet fjalë më së shumti? 
Nga të gjitha llojet, kërkojnë kthim apo kompensim, por ka nga ato që ngrenë edhe pretendime të pabazuara. Por që gjithsesi Agjencia duhet t’i marrë në shqyrtim e t’u kthejë përgjigje. Në fund të hetimit tonë administrativ, një pjesë prej tyre mund të rezultojnë pretendime të pabaza, por kjo mund të thuhet vetëm pasi t’i nënshtrohen hetimit administrativ, gjë që nuk ka ndodhur. Agjencia ka detyrim të kthejë përgjigje për këto dosje, qoftë kjo negative apo pozitive. Deri dje politika ka qenë e orientuar drejt sasisë së vendimeve për pronat, duke lënë në plan të dytë cilësinë e tyre.
Edhe për sasi nuk mund të flasim në vitet e shkuara, pasi janë dhënë shumë pak vendime për pronat… 
Shumë e vërtetë. Kemi të bëjmë me një sasi minimale vendimesh të dhëna dhe në një pjesë të madhe rastesh problematike. Përjashto vendimet e dhëna për kompensimin e pronarëve të prekur nga ndërtimet informale dhe disa raste të tjera, kemi shumë pak vendime kthimi prone. Një fakt tjetër që bie në sy në shqyrtimin e vendimeve të dhëna në vite është se në pjesën dërrmuese të rasteve bëhet fjalë për vendime refuzimi dhe jo vendime kthimi. Aktualisht po kërkojmë një proces të drejtë shqyrtimi të dosjeve jo për të krijuar shifra e për të thënë që po marrim masa, por për t’u dhënë përgjigjen e duhur pretendimeve të njerëzve.
I ka agjencia kapacitetet njerëzore dhe teknike për të marrë në shqyrtim më shumë se 5555 dosje? 
Do t’i shqyrtojmë një për një. Dhe nuk janë 5 mijë, janë shumë më tepër se aq. Dëgjojmë rëndom nëpër media që dosjet në pritjet për kthim ose kompensim ishin diku te 6-7 mijë. Pas zbardhjes së të gjitha vendimeve dhe të gjitha aplikimeve nga ana e pronarëve, them me saktësi se shifra e plotë është 8,343 dosje. AKKP ka ndër mend të dërgojë si propozim në qeveri një platformë lidhur me zgjidhjen e këtij problemi. Opsioni më i mirë për shqyrtimin e këtyre dosjeve është ndarja e tyre sipas qarqeve përkatëse, duke u bazuar në një vendimmarrje të unifikuar dhe të përqendruar në njësinë më të vogël administrative, duke e mbyllur këtë proces një herë e mirë për këtë njësi. Sigurisht që çdo platformë që do të propozohet, do të dalë mbas këshillimeve me ekspertët e fushës dhe grupet e interesit.
Kjo do të thotë që AKKP të ketë struktura në rrethe, si dikur? 
Jo, do të thotë që stafi i AKKP-së do të impenjohet në shqyrtimin administrativ të pretendimeve të një komune të caktuar, sipas një procedure që do të ngrihet për këtë rast. Ne synojmë shqyrtim, hetim administrativ të unifikuar… kjo është rruga për të shmangur vendimet me mbivendosje kufijsh, siç janë ndërmarrë deri më sot. Flasim për vendimmarrjeje, që të mund të shmangin sa më shumë të mundet ankimimet në dyert e gjykatave.
Pritet nga dita në ditë që qeveria të miratojë hartën e re të çmimeve të pasurive të paluajtshme. 
Harta është dërguar për miratim në qeveri dhe pritet të miratohet nga dita në ditë. Në përcaktimin e çmimeve është përdorur metodologjia e përcaktuar dhe e miratuar me nxitim nga qeveria e shkuar në vitin 2012. Harta e çmimeve bazohet te përllogaritja e transaksioneve të pronave (shitjeve e blerjeve) të kryera realisht, por dimë që jo gjithnjë te noteri deklarohet shuma e vërtetë e transaksionit. Nevojitet një reformë në këtë fushë dhe një metodologji e re, e cila do ta afrojë hartën e vlerës së tokës me çmimet e tregut. Duhet bërë e mundur që te noterët të mos deklarohen vlera fiktive shitjesh e blerjesh, por të deklarohen ato realet.
Të flasim pak për kuadrin e madh të çështjes së pronës. Kemi një regjistër ku janë arkivuar të gjitha pretendimet për pronat. Pritet që brenda pak ditësh të kemi edhe hartën e çmimeve të pronave. Ekziston mundësia që qeveria të ketë tani një faturë për koston e kthimit dhe kompensimit të pronave? 
Regjistri që sapo prezantuam, të cilin po vazhdojmë ta përditësojmë me të dhënat që marrim, do të jetë guri i parë i themelit për përllogaritjen e saktë të faturës së kompensimit. Kjo, pasi ky regjistër pasqyron edhe llojet e vendimmarrjes: nëse është vendim kthimi, kompensimi, apo një kombinim i të dyjave. Aktualisht në agjenci janë ngritur grupet e punës, që janë duke identifikuar dhe nxjerrë mënjanë të gjitha vendimet e kompensimit. Në këtë mënyrë do të krijohet për herë të parë lista kronologjike e vendimeve për kompensim të dhëna në 21 vite. Në bazë të kësaj liste do arrihet më në fund të zbardhet numri total i vendimeve për kompensim dhe nga ana tjetër do nisë analizimi i informacionit që përmbajnë këto vendime për të nxjerrë metrat katrorë, llojin e pasurisë, zonën kadastrale dhe formën e kompensimit. Besoj se pas zbardhjes së këtyre të dhënave, do të kemi më në fund një faturë kompensimi.
Me shumë gjasa do te jetë një faturë me shumë zero. Nga ç’drejtim mendoni se do të jetë i orientuar kompensimi i pronarëve, nga ai financiar apo fizik? 
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të peshojmë nga njëra anë rezultatin që do të na japë fatura e kompensimit dhe nga ana tjetër analizën e burimeve financiare, të fondit fizik dhe formave të tjera që qeveria do të përdorë për kompensimin e pronarëve për të vendosur një rregullim që t’u afrohet sa më shumë parimeve të pranuara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Por edhe kur flasim për kompensim fizik gjërat nuk janë aq të lehta. Para pak muajsh qeveria i hoqi Agjencisë një fond prej 19 mijë hektarësh, që i ishte vënë në dispozicion nga ekzekutivi i mëparshëm pikërisht për kompensimin e pronarëve. Është e vërtetë që u premtua për këtë qëllim një fond tjetër prej 25 mijë hektarësh, por u hoq një fond që ekzistonte fizikisht dhe ju dha një tjetër të cilin qeveria ende duhet të zbardhe ku gjendet.
Aspak. Fondi prej 25 mijë hektarësh tashmë është në fazën e identifikimit në terren nga një grup i përbashkët pune i Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Brendshme, Zyrave rajonale të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nën asistimin e AKKP. Nuk mund t’ju flas për të dhëna të sakta deri në metra katrorë, pasi më duhet të azhornohem, por deri tani grupet e punës kanë zbardhur sipërfaqet në pronësi të shtetit në 4 qarqe. Deri tani sipërfaqja totale i kalon 25 mijë hektarët. Kemi shansin që në përfundim të identifikimit të këtyre sipërfaqeve, në dispozicion të kompensimit të pronarëve të kemi shumë më tepër se 25 mijë metra katrorë, që do të jetë fond toke i identifikuar dhe i materializuar në terren. Tjetra që duhet të them është se, kur u përcaktua fondi prej 25 mijë hektarësh, u llogarit si fondi minimal i domosdoshëm për procesin e kompensimit, ndërkohë që në fund mund të kemi në dispozicion më shumë se kaq. Muaji tetor është edhe afati i fundit për zbardhjen e këtij fondi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button