Qëllimi i mirë i kryeministrit…!
Sot është Parlament. Domethënë ditë e enjte. Dhe dita nisi me sqarimin e kryeministrit se nuk e ka ‘burgun’ me gazetarët dhe fjalën e lirë, por me shpifësit e rangut të lartë- politikanët dhe deputetët.
Kryeministri duhet mbështetur në kriminalizimin e shpifjes që duket se bëhet në kuadër të nismës ‘të pastrojmë më tej Shqipërinë’!
Kryeministri do të pastrojë Kuvendin, do që ta lartësojë institucionin më të lartë ku ulen përfaqësuesit e popullit, do që ta kthejë në vendin ku bëhen ligje dhe jo krime, do që në Kuvend të përplasen vizione dhe alternative dhe jo akuza monstruoze për krime të bëra dhe të pa bëra. Kryeministri kërkon që në Kuvend të mbizotërojë zotnillëku dhe jo batakçillëku!
Kryeministri kërkon të ndajë shpifjen nga politika! Aferim! Ardhtë një sahat e më parë kjo orë e bekuar.
Parlamentit i ka rënë reputacioni, jo vetëm për ‘kriminelët, banditët, vrasësit, trafikantët, por edhe për akuzat pa fre, shpifjet, fjalët e ndotura etj. Duhet pastruar një orë e më parë! EUREKA – shpifja si vepër kriminale!
POR…ana tjetër e medaljes na ofron një orë të kobshme.
Mos vallë me këtë ligj kryeministri kërkon t’i mbyll gojën opozitës që ka përballë dhe të zgjedhë një opozitë që i bën fresk se përndryshe e rras në burg?!
Shumë kush ka dëgjuar këto ditë akuzat/denoncimi e ish oficerit të policisë Dritan Zagani. Shumë kush është tronditur për faktet, por juristët që në këtë vend i kemi me bollëk mund të jenë tronditur jo aq shumë për faktet se sa për faktin se si u reagua? Ministri Brendshëm u përgjigj me një fjalë: ‘shpifje’!
Janë bërë edhe sondazhe për pyetjen: a duhet të kthehet Zagani? Por ka një pyetje retorike: pse nuk merret në pyetje z. Zagani atje ku është? Prokuroria jonë mund të hartojë pyetjet (edhe me ndihmën e të tjerëve siç ishte rasti hetimit për serverin e tatimeve) dhe t’ia dërgoj homologëve italianë/zvicerianë etj…
Një kryeministër që e ka merak shtetin ligjor, ka një rrugë të thjeshtë: përballë çdo akuze publike, një hetim publik. Hetim ndaj akuzës dhe jo akuzuesit! Hetim për të sqaruar opinionin dhe jo për t’i mbyllur gojën akuzuesit!
Nëse kërkon pastërti në Parlament, mund ta bësh me rregullore dhe etikë. Një maksimë thotë: moral është si sillemi me njerëzit që i njohim dhe etikë është si sillemi me ato që nuk njohim. Për fat deputetët e njohin njëri tjetrin me rrënjë e dhëmballë dhe mund të zgjedhin lirisht nëse do të jenë të moralshëm apo etik.
Kryeministri që në fushatën zgjedhore bëri premtime magjike, tani thotë se nuk ka shkopin magjik për të vënë rregull në këtë ‘rrumapall vend’, por ai duket se ka gjetur një fjalë magjike me të cilën kërkon t’i jap drejtim punëve. Fjala magjike që ka zgjedhur është: burg!
Burg për dritat, burg për ujin, burg për kuponin, burg për semaforin, burg për ndërtim pa leje…burg…Tani burg edhe për fjalën!
Nëse edhe kjo e fundit nuk jep rezultat atëherë mbetet edhe guri fundit: rikthimi dënimit me vdekje! Ja vlen se ndryshe nuk bëjmë dot shtet!
Nje analize profesionale dhe aktuale…qe te ben te kuptosh se intelekti nuk konvergjon gjithmone tek pika limite si pesha ,gjatesia e trupi dhe ngjyra e kravates,por tek format dhe menyrat se si tu dalesh perballe dhe te zgjidhes me guxim veshtiresite qe te dalin rruges…