Qentë agjentë punojnë deri në 9 vjeç, rastet kur janë “skarco”
Nënkomisari Xhelil Zika: Parashkollorët Xhejzo dhe Konti janë shumë premtues
Nënkomisar Xhelil Zika, specialist i përgatitjes së qenve, ka më shumë se 20 vjet që punon në institut dhe di historinë e çdo “agjenti”. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, ai ka treguar të gjithë procedurën e përgatitjes. Zika arrin të dallojë se cili prej tyre do të bëhet një agjent i mirë, dhe cili është i dobët në klasë. Në rrëfimin e tij, trajneri do të tregojë më me detaje gjithçka që ndodh në Institutin e Përgatitjes së Qenve.
Në çfarë faze trajnohen qentë?
Pasi këlyshët mbushin dy muajsh, largohen nga nëna e tyre, për t’u trajtuar në mënyra të veçanta. Atyre u jepet ushqim tjetër, i cili duhet të jetë i shëndetshëm. Rreth orës 08:30, ata nxirren në natyrë të hapur. Qëndrojnë 3-4 orë jashtë, në mënyrë që të mësohen me ambientin. Nga ana tjetër, punonjësit e institutit kujdesen për pastrimin e pavijonit, vendosjen e ushqimit dhe ndërrimin e ujit, i cili duhet të jetë i pastër dhe i freskët. Gjithashtu veterineri i shikon çdo ditë, për të parë nëse çdo gjë është në rregull apo jo.
Për sa kohë bëhet kjo procedurë?
Kjo procedurë vazhdon deri sa këlyshët shkojnë 5-6 muajsh. Më pas nis një tjetër fazë trajnimi. Ekspertët që ne kemi këtu, nisin punën për t’i trajnuar. Ata i përgatisin qentë me lojëra të ndryshme, i bëjnë të bindshëm ndaj urdhrit të njeriut. E gjithë kjo metodë pune vazhdon deri kur qentë të shkojnë afro 1 vjeç. Në këtë fazë, arrijmë të kuptojmë disa cilësi të qenve, të cilët kur të futen në shkollë do të marrin një “profesion”, i thënë ndryshe drejtim. Të gjithë duhet të kalojnë fazën parashkollore që më pas të perfeksionohen për nevojat që ka Policia e Shtetit. Një qen i mirë, është ai që i bindet urdhrit të shoqëruesit të tij. Në të kundërt, qeni nuk ka premisa për t’u bërë një agjent i mirë. Një tjetër element identifikues, është lodra. Nëse qeni e dashuron topin e tenisit, atëherë ai ka premisa për t’u bërë shumë i aftë.
Çfarë ndodh pas kësaj faze?
Gjatë vitit, në institut zhvillohen trajnime me qentë dhe punonjësit e policisë, të cilët quhen shoqërues. Këta të fundit vinë nga 12 drejtoritë e qarqeve të policisë. Në muajin shtator pritet të nisë kursi mes shoqëruesve dhe qenve. Qarqet do të dërgojnë ekspertët e tyre, për t’u trajnuar së bashku me qentë dhe procesi zgjat katër muaj. E gjitha kjo procedurë bëhet që qeni të krijojë një lidhje afektive me shoqëruesin e tij. Çdo drejtori policie në vend, bën kërkesa për furnizimin me qen, sipas nevojave që kanë. Nisur nga faza parashkollore, ne kemi një ide se cili prej qenve do ta bënte më mirë detyrën e tij, e cili jo. Dikush mund të jetë i aftë për identifikimin e drogës, dikush për atë të kufomave apo dikush për eksplozivin. Pasi qentë marrin pjesë në fazën e shkollimit, ata i nënshtrohen testit të seleksionimit. Nëse e kalojnë me sukses, do të largohen së bashku me shoqëruesit nëpër qarqe.
Si veprojnë qentë kur identifikojnë kufoma, drogën, eurot dhe eksplozivin?
Ata çdo ditë bëjnë stërvitje për të mos humbur aftësitë apo reflekset. Ne përpiqemi që ata të jenë në kontakt me drogën, kufomat, eksplozivin apo eurot, në mënyrë që të mos harrojnë erën e tyre. Kur dalin në aksion, qentë e dinë se çfarë duhet të kërkojnë. Në momentin që ai ndien erën e drogës dhe lëndëve të tjera, që është specializuar, ulet aty dhe nuk lëviz deri sa policia ta gjejë. Qentë nuk janë agresivë dhe të rrezikshëm për qytetarët. Ata e kryejnë punën e tyre, pa shfaqur rrezik.
Çfarë ndodh me qentë që nuk e kalojnë testin?
Ata quhen qen “skarco”, pasi nuk shërbejnë për policinë. Të pakta janë rastet që qentë nuk arrijnë të kalojnë testet, pasi ne kultivojmë racën më të mirë të tyre, siç është ajo e Pastor Tedesk. Ata përdoren nga e gjithë bota, për këtë punë. Normalisht edhe për ata ka një procedurë. Autoritetet përgjegjëse marrin masat që të zhvillojnë ankande për shitjen e tyre.
Aktualisht a keni qen që nuk e kalojnë testin?
Ende nuk e kemi zhvilluar testin, por, sipas parashikimeve të mia, janë dy vëllezër që mua nuk më bindin. Nuk besoj se do të jenë të aftë të kalojnë testin. Gjithsesi, ata ende nuk kanë kaluar në provë, por duhet të jemi të vëmendshëm që të furnizojmë policinë me qen të aftë, sepse ata kanë përgjegjësi shumë të mëdha mbi supe, prandaj për vlerësimin e tyre është ngritur një komision i posaçëm në institut.
Cilat janë specifikat e trajnimit në këtë institut?
Këtu përgatiten qen për zbulimin e drogës, të eksplozivëve dhe armëve të tjera luftarake, e për kufoma. Së fundmi, instituti është pajisur me një qen që identifikon sasitë e mëdha të eurove. Ne do të vijojmë trajnimin e mëtejshëm për këtë kategori qensh, të cilët do t’u shërbejnë pikave të kalimit kufitar. Shumë eksponentë kriminalë tentojnë të kalojnë para kesh, në sasi të mëdha eurosh, nëpërmjet doganave. Qeni me emrin Konti, arrin të diktojë eurot që transportohen nga këta individë.
A keni ju një qen të preferuar?
Unë nuk mund t’i ndaj dot, pasi përpiqem që të arrij maksimumin për secilin prej tyre. Gjithsesi në klasë ka qen të talentuar dhe të dobët. Për momentin, i preferuari im është Xhejzo. Ai është parashkollor dhe në shtator do të hyjë në shkollë. Besoj se do të bëhet agjent shumë i mirë. Ndërsa Goldi nuk është shumë premtues.
Sa vite qëndrojnë qentë në detyrë?
Ata janë të aftë që të shërbejnë deri në moshën 8-9 vjeç. Kjo varët nga qeni, nuk është taksative. Pas mbushin moshën, nxirren në ankand. Ndërsa për ata qen që ngordhin, ne i varrosim këtu në institut. Prej shumë vitesh, ata kanë varrezat e tyre.
Bisedoi: S.Muça
Historiku
Instituti, që pas Luftës II Botërore
Në vendin tonë, qentë e shërbimit kanë filluar të përdoren që pas Luftës së II Botërore, në vitet 1945-1949. Ata përdoreshin nga forcat e ruajtjes së kufirit dhe forcat e ndjekjes. Sipas të dhënave, qentë e stanit shërbenin për të sinjalizuar dukjen e njerëzve të dyshimtë, për afrimin e lëvizjeve të tyre, në afërsi të postave kufitare. Më 15 gusht 1950, u çel kursi i parë i përgatitjes së shoqëruesve të qenve të shërbimit. Fillimisht në institut u përgatitën rreth 20 qen, të importuar nga Çekosllovakia. Mbas viteve ‘90 filloi trajnimi i specialistëve në disa vende të Europës për t’iu përgjigjur në kohë detyrave për luftën ndaj krimit të organizuar. Në këtë situatë u përgatitën qentë policorë sipas specialiteteve. Instituti vazhdon bashkëpunimin për qasjen me institutet homologe ndërkombëtare në shkëmbimin e eksperiencave në këtë fushë.