Ekonomia

Qeveria, 5 milionë dollarë investime për shndërrimin e Spitalit rajonal të Shkodrës në një model të ri shërbimi

5 milionë dollarë janë investimet e realizuara deri tani, si dhe ato të parashikuara së shpejti për shndërrimin e Spitalit rajonal të Shkodrës në një model të ri të shërbimit mjekësor, modern e bashkëkohor.

Sipas zyrës për shtyp të qeverisë, këto investime janë kryesisht nga buxheti i shtetit, financime të huaja dhe nga partneriteti publik-privat, të cilat e plotësojnë funksionimin e spitalit rajonal të Shkodrës dhe e bëjnë një nga qendrat më të rëndësishme të veriut të Shqipërisë, por edhe në të gjithë vendin.

Ky spital ofron së fundi, një gamë më të gjerë shërbimesh ndaj pacientëve, cilësi të lartë, si dhe pajisje mjekësore diagnostifikuese dhe kuruese të teknologjisë më të avancuar.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishin në spitalin e Shkodrës ku inspektuan pavionet e reja të tij, si dhe biseduan me stafin e mjekëve dhe infermierëve.

Shërbimi i pediatrisë, do të rehabilitojë pacientët e vegjël në një repart tërësisht të ri reanimacioni, të pajisur sipas standardeve më të larta europiane të shërbimit ndaj pacientit, me shtretër dhe aparatura monitoruese.

Po ashtu pavioni i kardiologjisë është njëri prej investimeve më të rëndësishme në këtë spital. Shërbimi i ri ofron mundësi që pacientët të kryejnë aty, të gjitha ekzaminimet e nevojshme, dhe me cilësi të lartë, si dhe të trajtohen në repartin e ri të Reanimacionit.

Qendra për koronarografinë, e cila do të nisë nga puna në fillim të vitit të ardhshëm, është e para qendër e tillë jashtë Tiranës, që do tu vijë në ndihmë, jo vetëm banorëve të Shkodrës, por edhe të gjithë Veriut, duke shmangur radhët e gjatë të pritjes në spitalin e Tiranës.

Investimet për kardiologjinë arrijnë rreth 75 milionë lekë.

Mjeku specialist i këtij pavioni e informoi Kryeministrin se vënia e saj në funksion bën të mundur diagnostifikimin e shpejtë të sëmundjeve koronare dhe ndërhyrjeve në kohë për të shpëtuar jetë.

Investime të rëndësishme janë realizuar edhe në kabinetin e diabetit, për të cilin mjekët informuan se fillimisht u konceptua si dhoma e edukimit për diabetin, e cila sensibilizonte pacientët e shtruar në të gjitha pavionet për rrezikshmërinë e sëmundjes dhe që në të ardhmen do të vijojë me edukimin e pacientëve ambulatorë.

Gjithashtu kabineti i kimioterapisë dhe shërbimit paliativ ka marrë vëmendjen maksimale përsa i përket investimeve. Mjekët informuan Kryeministrin se aparatura e kimioterapisë është në spital dhe se stafi i infermierëve është i trajnuar për të filluar nga puna. Nga marsi i vitit që vjen pacientët e rajonit të Shkodrës me sëmundje tumorale që kanë nevojë të kryejnë kimioterapi nuk do të udhëtojnë deri në Tiranë për të marrë këtë shërbim, por do ta bëjnë atë në spitalin e Shkodrës.

Ndërkohë që këto ditë do të përfundojë puna për instalimin e rezonancës magnetike, për të cilën mjekët u shprehën se do të ketë impakt të madh tek popullsia, duke iu mundësuar atyre një shërbim shumë të nevojshëm.

Duke e vlerësuar këtë si një prej investimeve më të rëndësishme, në tërësi për shërbimin spitalor rajonal, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u shpreh se për vetë peshën që kanë, sëmundjeve kardiovaskulare dhe trajtimit të tyre iu është kushtuar një vëmendje e veçantë, në politikat shëndetësore. Ministri tha se paralelisht me vënien në funksion të kësaj qendre po punohet edhe për plotësimin e burimeve njerëzore.

Kështu, vitin e ardhshëm do të investohet në reanimacionin e përgjithshëm me një financim të Bankës së Këshillit tëEuropës rreth 47 milionë lekë.

Ministri Beqaj tha se janë një sërë shërbimesh në këtë spital për të cilat është investuar dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke e renditur Spitalin e Shkodrës në një prej qendrave më të rëndësishme të kujdesit mjekësor në vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button