Qeveria malazeze mbron ndalimin e gazetarit Jovo Martinoviç
Qeveria e Malit të Zi po mbron vendimin e saj për të ndaluar një gazetar hulumtues nën akuzat për trafikim droge. Në përgjigje të një letre nga tre grupe për të drejtat e njeriut dhe shtypit ku u kërkohej autoriteteve malazeze të lironin gazetarin Jovo Martinoviç, zyra e kryeministrit Milo Gjukanoviç tha se aktakuza dhe ndalimi i gazetarit nuk kanë të bëjnë me punën e tij profesionale, por janë rezultat i një hetimi kriminal.
Srdjan Kusovaç, këshilltar i kryministrit Gjukanoviç, thekson në përgjigjen e tij, se ndalimi i zotit Martinoviç ishte në përputhje me ligjin dhe ai do t’i nënshtrohet një procesi të drejtë gjyqësor.
Organizatat Human Rights Watch, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Gazetarët pa Kufij thanë të hënën në letrën e tyre se ndalimi dhe ndjekja penale e zotit Martinoviç “shkel të drejtat e tij të lirisë, të drejtën e tij për një proces të rregullt gjyqësor dhe shpërfill detyrimet e Malit të Zi ndaj respektimit të lirisë së shtypit.”
Letra e përbashkët u bën thirrje autoriteteve që të marrin parasysh faktin se raportimi hulumtues i zotit Martinoviç ofron një shpjegim logjik të arsyes se pse ai ishte në kontakt me trafikantët e drogës.
“Martinoviç, një gazetar i respektuar, i cili hulumton krimin dhe korrupsionin, ka kaluar 11 muaj në burg pa parë asnjë provë reale kundër tij,” tha Hugh Williamson, drejtor i organizatës Human Rights Watch për Evropën dhe Azinë Qendrore. “Në qoftë se akuzat janë të besueshme, atëherë prokuroria duhet t’ia tregojë ato zotit Martinoviç dhe avokatit të tij në mënyrë që ata t’i shqyrtojnë provat”, shtoi zoti Willimason.
Autoritetet malazeze më 22 tetor të vitit 2015 ndaluan gazetarin Jovo Martinoviç nën dyshimet për pjesëmarrje në një rrjet të trafikimit të drogës. Tani ai është në pritje të përfundimit të një hetimi kundër tij dhe 17 të dyshuarve të tjerë.
Më 8 prill të këtij viti, pasi ai kishte qenë i burgosur për gati gjysmë viti, Zyra e Prokurorisë Speciale ngriti një aktakuzë kundër tij dhe 13 personave të tjerë.
Zoti Martinoviç ka hulumtuar krimin dhe korrupsionin për media të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë revistën The Economist, gazetën Financial Times dhe agjencinë e lajmeve CAPA.
Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s që po kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është renditur në vendin e 106 nga 180 vende, në raportin e vitit 2016 mbi lirinë e shtypit në botë, të publikuar nga organizata Gazetarët pa Kufij.