Qeveria në telashe, dorëhiqet edhe Sekretari i Jashtëm Johnson, May mbron planin për “Brexit”
Presioni ndaj Johnsonit ishte rritur ndjeshëm, pasi një natë më parë, dorëheqjen nga kabineti e dha David Davis, Sekretari për “Brexit”, me justifikime të njëjta. Megjithatë, kryeministrja Theresa May, gjatë fjalës së saj në Parlament pati veç lavde për dy ministrat e larguar, pavarësisht reagimit që kjo shkaktoi në sallë (të qeshura).
“Për sa i takon ‘Brexit’-it, dua të falënderoj miqtë e mi Davis dhe Johnson për punën që kanë bërë gjatë dy viteve të fundit. Ne nuk jemi dakord për rrugën më të mirë ndaj angazhimit tonë të përbashkët, për të respektuar rezultatin e referendumit, por dua të vlerësoj punën që dy ish-ministrat kanë bërë”, tha Theresa May.
May mbrojti planin e saj tregtar “post-Brexit”, që solli largimet nga qeveria, ndërsa shtoi se ai është gjithashtu sfidues edhe për Bashkimin Europian.
May tha se Brukseli duhet të shohë përtej pozicionit aktual që ka me Britaninë, ndërsa pranoi para Parlamentit se dalja nga unioni pa një marrëveshje është një mundësi për të cilën vendi duhet të përgatitet.
Kaosi që rrethon “Brexit”-in, i rënduar nga dorëheqjen e fundit, u theksua edhe nga presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, i cili tha se është për të ardhur keq, që ministri David Davis nuk mori me vete edhe idenë e “Brexit”-it kur u dorëhoq.
“Rrëmuja e shkaktuar nga ‘Brexit’ është problemi më i rëndë në historinë e raporteve mes Britanisë dhe BE-së, e është ende shumë larg zgjidhjes, me apo pa zotin Davis”, theksoi Tusk.