Qeveria nuk do ta vonojë rikthimin e demarkacionit në Kuvend
Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi vazhdon të mbetet ende sfidë për institucionet e vendit.
Pas tërheqjes së projektligjit nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në seancën e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar, ky projektligj mund të rikthehet sërish nga qeveria e Kosovës në Kuvend për votim.
Këshilltari i kryeministrit, Faton Abdullahu ka thënë për Telegrafin se ende nuk mund të themi saktësisht se në cilën ditë do të ndodhë riprocedimi i marrëveshjes për Demarkacionin.
“Në këtë fazë të zhvillimeve nuk mund ta themi me saktësi, sidomos jo në cilën ditë, do të ndodhë riprocedimi, por ajo që mund të themi është se për shumë arsye riprocedimi i demarkacionit nuk do të vonohet. Kjo do të ndodhë pa prolongime të pajustifikueshme”, ka thënë Abdullahu.
Ai ka theksuar se periudhën kohore prej tërheqjes së projektligjit deri te procedimi i serishëm në Kuvend do ta shfrytëzojnë pos tjerash edhe për të vazhduar tutje me sqarime e interpretime të drejta për tu dhënë mundësi të gjithëve subjekteve të ndryshme, deputetëve dhe faktorëve të tjerë relevantë të cilët kanë hezitime, paqartësi e keqkuptime në këtë aspekt të informohen drejtë gjithanshëm me qëllim që të reflektojnë dhe më pas të vendosin në interes të Kosovës.
“Gjithsesi se demarkacioni do të kthehet në Kuvend jo vetëm pse kjo është një nga kushtet për liberalizimin e vizave por gjithsesi edhe pse kjo çështje është e ndërlidhur jetësisht me shtetndërtimin si çështje proces, me normalizimin e raporteve tona me fqinjët si edhe me integrimet evropiane”, u shpreh Abdullahu.
Ndërkohë, për opozitën, ratifikimi i marrëveshjes aktuale për Demarkacionin është çështje e mbyllur dhe se për shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi duhet të ri-negociohet.
Në seancën e 1 shtatorit, kur kryeministri Isa Mustafa vendosi ta tërheqë këtë projektligj nga votimi në Kuvend, monitoruesit e punës së këtij institucioni besonin se koalicioni nuk i kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim, ngase Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit, nuk mori pjesë në seancë.
Tani mbetet të shihet se kur do ta ri-procedojë qeveria të njëjtin Projektligj në Kuvend dhe nëse paraprakisht do të ketë bisedime ndërmjet dy partive më të mëdha të koalicionit, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike me Listën Serbe, për të siguruar votat e nevojshme për ratifikim.