Qeveria pastron llogaritë e KESH dhe OSHEE me paratë e buxhetit
Borxhet e brendshme mbyllen 9 miliardë të taksapaguesve
Bashkitë – Para zgjedhjeve vendore, bashkitë lirohen nga detyrimet prej 269 milionë lekësh që i kishin OSHEE-së. Ndërsa, komunave u falen faturat me vlerë mbi 170 milionë lekë.
Ujësjellësit – Detyrimi i krijuar nga ujësjellësit, që nga viti 2007 deri në 2014, është 6.2 mld lekë. Nga kjo shumë, 3.2 mld lekë është vlera e kamatëvonesave të faturave të energjisë.
OSHEE – Detyrimi i OSHEE ndaj KESH u krijua në vitet 2011 dhe 2012. Bëhet fjalë për tri fatura të lëvrimit të energjisë elektrike nga KESH, të cilat në total kapin shumën 8 miliardë lekë.
KESH – I gjithë detyrimi i KESH-it është borxh i papaguar ndaj bankave të huaja, ku janë marrë kredi ose garanci të mbuluara nga shteti shqiptar për këto hua, deri më 31 dhjetor 2014.
Nga Zamir Alushi
Qeveria që nuk u fal qytetarëve asnjë faturë energjie, por i fal vetes dhe institucioneve jobuxhetore, 9 miliardë lekë energji të papaguar. Me një vendim të marrë në datën 11 shkurt 2015, Këshilli i Ministrave përcakton shumat e shuarjes, me kompensim, të detyrimeve ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore që financohen nga buxheti i shtetit. Subjekte të vendimit janë KESH, OSHEE dhe Ministria e Financave. Vendimi i propozuar nga ministrat e Energjisë dhe të Financave është transaksion mbi një zinxhir borxhesh që i kanë institucionet njëri-tjetrit, por që paguhen në fund me taksat e qytetarëve, para të keqadministruara nga politika dhe teknokratët. Kështu, taksapaguesi paguan disafish paaftësinë që ka krijuar këtë mal me fatura të mbledhura nga viti 2007 deri në 2014. Qytetari u ngarkua fillimisht me borxhin ndaj kompanisë çeke, më pas me çmimin e rritur të energjisë (ERE miratoi tarifat e reja të energjisë në bazë të bilancit me borxhe që këto kompani paraqitën), dhe tashmë do të paguajë borxhet e marra nga KESH nëpër banka, borxhet e OSHEE që nuk arkëton faturat, borxhet e bashkive dhe ujësjellësve që nuk shlyejnë energjinë.
Vendimi
Miratimi i shuarjes me kompensim të detyrimeve të krijuara, bëhet pas rakordimit që kanë kryer palët. Institucionet buxhetore dhe ndërmarrjet jobuxhetore kanë rakorduar detyrimet e energjisë elektrike, në kolonën “total debi e pranuar”, të krijuara deri më 31 dhjetor 2014. “Këto borxhe ndaj shoqërisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), do të shuhen deri në vlerën 9 miliardë lekë”, theksohet në vendimin e qeverisë. OSHEE në cilësinë e kreditorit jep pëlqimin për këtë shuarje. Ndërkaq, detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014, të OSHEE, ndaj KESH, për energjinë e lëvruar për furnizimin e konsumatorëve tariforë, do të shuhen deri në vlerën 9 miliardë lekëve. Dhe për të plotësuar trekëndëshin e borxhlinjve, vijnë detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014, të KESH, ndaj Ministrisë së Financave, për huat e marra nga KESH, për të cilat qeveria ka hyrë në marrëdhënie nënhuazimi, garancie shtetërore apo kredidhënieje. Sipas aktrakordimit të paraqitur do të shuhen detyrimet deri në vlerën 9 miliardë lekë. Vendimi i firmosur nga Kryeministri Rama dhe i botuar në Fletoren Zyrtare ka një hapësirë 1 miliard lekë që këto institucione mund ta shfrytëzojnë për borxhe të tjera që mund t’i kenë njëri-tjetrit. Diferenca mes vendimit dhe shumës faktike të borxheve që institucionet i kanë njëri-tjetrit del në pah nga pasqyrat e detyrimeve që shoqërojnë dokumentin, të cilat nuk e kalojnë shumën 8 miliardë lekë. Ky vendim dhe akti i rakordimit, i nënshkruar ndërmjet palëve, përbëjnë dokumentacionin bazë financiar për kryerjen e veprimeve kontabël dhe mbylljen e llogarive të pagueshme (kreditorët) apo të arkëtueshme (debitorët).
Detyrimet e bashkive
Falë këtij vendimi, para zgjedhjeve vendore, komunat dhe bashkitë lirohen nga detyrimet që i kishin OSHEE-së. Bashkitë nuk i kanë paguar faturat qysh nga viti 2007, ndërsa qeveria ka vendosur që t’u falë 269 milionë lekë detyrime të prapambetura që nga 1 janar 2007 deri në 31 dhjetor 2014. Këtu përfshihen edhe detyrimet e Bashkisë së Tiranës, që drejtohet nga opozita. Bashkitë kanë 727 kontrata me OSHEE-në në të gjithë vendin. Gjysma e këtij detyrimi është vlera e kamatëvonesave. Në një kohë që qytetarit të thjeshtë nuk i falet asnjë lek kamatëvonesë, administratorëve dhe kryebashkiakëve nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë për këto para të papaguara. Ka edhe shifra të pashpjegueshme në këto fatura energjie. Kështu, 46 borde kullimi në të gjithë vendin kanë harxhuar 41 milionë lekë, kurse kamatëvonesën e kanë 130 milionë lekë, baras me kamatëvonesën e bashkive. Edhe komunat janë një konsumator i madh që nuk e paguan energjinë. Ato kanë 619 kontrata energjie me OSHEE-në, për të cilat u falet detyrimi mbi 170 milionë lekë. Po ashtu, për komunat gjysma e detyrimit përbëhet nga kamatëvonesa. Por konsumatorët më të mëdhenj rezultojnë shkollat me 301 milionë lekë detyrime dhe spitalet me rreth 540 milionë lekë. Kjo është një shifër e çuditshme po të kihet parasysh se në shkolla energjia përdoret vetëm për ndriçim. Pjesa tjetër e borxhit për 8 miliardë lekësh ndaj OSHEE-së, është krijuar nga burgjet, çerdhet, komisariatet, konviktet, repartet ushtarake dhe ujësjellësit. Në gjithë vendin, ujësjellësit kanë 1017 kontrata me OSHEE-në. Detyrimi i krijuar që nga viti 2007 është 6.2 miliardë lekë, ku 3.2 miliardë lekë është vlera e kamatëvonesave. Përgjegjësia e krijimit të këtij borxhi është edhe e bashkive, të cilat i kanë në varësi këto ndërmarrje.
Borxhet e OSHEE-së
Detyrimi i Operatorit të Shpërndarjes ndaj prodhuesit të energjisë, KESH-it, u krijua në vitet 2011 dhe 2012. Bëhet fjalë për tri fatura të lëvrimit të energjisë nga KESH të cilat në total kapin shumën 8 miliardë lekë. Në këtë periudhë, OSHEE administrohej nga CEZ Shpërndarje, mëkatet e të cilit, i paguan sot qeveria.
Borxhet e KESH-it
I gjithë detyrimi i KESH-it është detyrimi i papaguar ndaj bankave të huaja, ku ka marrë kredi ose garanci nga shteti shqiptar për këto hua deri më 31 dhjetor 2014. Ndërsa, një pjesë e vogël e detyrimit është hua e marrë nga buxheti i shtetit. Detyrimet e KESH ndaj qeverisë rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara për nënhuat deri më 31 dhjetor 2014. Institucionet që kanë dhënë kredi janë banka tregtare dhe banka ndërkombëtare. Shpeshherë këto kredi nuk i kanë shërbyer qëllimit për të cilin janë marrë. Kështu, një nga detyrimet që KESH nuk e ka shlyer ndaj një banke, që e merr përsipër ta paguajë Ministria e Financave, është shuma 1.6 milionë euro e marrë për projektin e TEC-it të Vlorës. Ky TEC nuk u vu në punë kurrë dhe vazhdon të ndryshket bashkë me paratë e taksapaguesve. Shuma totale për këstet e papaguara të këtyre projekteve shkon në 8.5 milionë euro. Akoma më e madhe është vlera e garancive shtetërore të lëshuara bankave nga qeveria për KESH-in. Janë 47.4 milionë euro që tani do t’i paguajë Ministria e Financave nga buxheti i shtetit. Por, një hua tjetër e madhe i është marrë nga KESH-i qeverisë më 2012, e cila bashkë me interesat dhe kamatëvonesat kap vlerën mbi 152 milionë lekë. Po të kemi parasysh se me çfarë çmimesh e shiste energjinë KESH-i (në tenderët e fundit ra vlera në 10.7 euro/Mwh), kuptohet se korporata nuk do të arrinte t’i shlyente kurrë këto borxhe që kapin vlerën 8 miliardë lekë.