Nga detyrimi për tu siguruar do të përjashtohen vetëm ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër-kallami ose të ngjashme dhe ndërtesat me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.
Detyrimin për blerjen e policës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qera, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre. Për shtresat sociale në në nevojë, primi i sigurimit të detyrueshëm do të financohet nga buxheti i shtetit.
Sigurimi do të mbulojë vetëm dëmtimet në banesë, por jo dëm tjetër pasuror (mobiljet, pajisjet e brendshme, etj) dëmet në njerëz, përfshirë vdekjen, apo lloje të tjera të dëmeve.
Shuma e sigurimit ose limit i përgjegjësisë që do të siguroohet do të jetë e barabartë me kufirin e saj të detyrueshëm, i cili përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Bordit Drejtues të Fondit Kombëtar të Tërmeteve, nëpërmjet ministrit përgjegjës për financat.
Pas përcaktimit të shumës së sigurimit, niveli i primit të sigurimit duhet të llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, mbas marrjes së mendimit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare. Në përcaktimin e primit të sigurimit, ndër të tjera, duhet të merret në konsideratë, humbja e mundshme maksimale për periudhën e caktuar të kthimit, shpenzimet e lidhura me cedimin në risigurim si dhe shpenzimet e tjera operative të Fondit Kombëtar të Tërmeteve.
Skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk do të përfshijë kompanitë private të sigurimeve, por do të menaxhohet nga Fondi Kombëtar për Tërmetet, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në pronësi të shtetit.
Fondi financohet nga policat e sigurimit, komisionet e marra nga transaksionet e risigurimit, të ardhurat nga investimi, buxheti i shtetit, të ardhura të tjera të ligjshme si grante dhe donacione.
Qytetarët që nuk paguajnë primin e sigurimit të detyrueshëm të banesës nga tërmeti nuk do të marrin dot shërbime publike nga platforma e-albania, përfshi shërbimet kadastrale, ndërsa bizneset nuk do të marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Sigurimi i detyrueshëm i tërmeteve në një skemë publike pothuajse do të përjashtojë kompanitë private të sigurimeve nga produkti kryesor i sigurimit vullnetar. Tashmë, për siguruesit privatë do të ngelet sigurimi i katastrofave të tjera natyrore, veç tërmeteve apo sigurimi nga zjarri. Megjithatë, sigurimi me detyrim nga rreziku i tërmeteve mund të ulë më shumë nxitjen që qytetarët të sigurohen vullnetarisht nga rreziqet e tjera.
Ideja e një skeme kombëtare të sigurimit nga tërmetet u rikthye në tryezën e qeverisë pas tërmeteve të vitit 2019, por u la sërish në harresë për pothuajse katër vjet, deri në publikimin e papritur të një projektligji ti ri në fillim të kësaj jave.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.