Ekonomia

Qeveria shton kompetencat për Avokatin e Tatimpaguesit

Qeveria ka bëre gati një projektligj që parashikon të shtojë disa kompetenca ndaj Avokatit të Tatimpaguesit.

Sipas ndryshime ligjore Avokati i Tatimpaguesve gëzon të drejtën e njohjes dhe marrjes me shkrim nga strukturat e administratës tatimore të çdo informacioni të përgjithshëm apo të veçantë për një tatimpagues apo një grup tatimpaguesish, në çdo fazë të procesit administrativ.

Gjithashtu Ai mund të kërkojë informacion pranë çdo strukture të administratës tatimore, përfshirë Drejtorinë e Hetimit Tatimor, për aq sa nuk cenohen interesat e hetimit tatimor, siç përcaktohet në dispozitat ligjore në fuqi për këtë qëllim. Avokati i Tatimpaguesve gëzon të drejtën e njohjes dhe marrjes se informacionit edhe nga strukturat përkatëse të shqyrtimit administrativ tatimor në Ministrinë e Financave.

Sipas kompetencave të reja Avokati i Tatimpaguesve, në bazë të kërkesës se tatimpaguesit, ka të drejtë t’i rekomandojë Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve nxjerrjen e vendimeve teknike, në përputhje me përcaktimet e nenit 10 të ligjit nr.9920/2008. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve në çdo rast i kthen përgjigje të arsyetuar Avokatit të Tatimpaguesve, për marrjen parasysh ose jo të rekomandimit brenda një afati 30-ditor.

Me ndryshimet e reja ligjore Avokati i Tatimpaguesit ka autoritet të rekomandojë përmirësimin e procedurave tatimore, si dhe të rekomandojë lidhur me dispozitat e Kodit të Etikës.

Avokati i Tatimpaguesit nxjerr rekomandime me karakter të përgjithshëm në lidhje me çështjet e identifikuara gjatë ushtrimit të funksioneve të tij dhe i përdor ato si bazë për të bërë propozime për ndryshimin e legjislacionit përkatës;

Avokati i Tatimpaguesit nxjerr rekomandime me shkrim drejtuar Drejtorisë së Apelimit Tatimor ose Komisionit për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore dhe/ose i paraqet këto rekomandime në seancat dëgjimore administrative të mbajtura nga Drejtoria e Apelimit Tatimor ose Komisioni për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore.

Avokati i Tatimpaguesit i raporton me shkrim, periodikisht një herë në tre muaj Ministrit të Financave, ose sa herë që ai e kërkon. Në të njëjtën kohë ky raport i dërgohet edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button