Ekonomia

Qeveria vendos kufinj të rinj për pensionet e posaçme

Qeveria ka vendosur gjatë mbledhjes së fundit kufinj të rinj për pensionet e posaçme. Në vendimin e qeverisë thuhet se: pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se dyfishi i pensionit social dhe as më i lartë se katërfishi i tij.

“Kufiri maksimal i shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror të jetë deri në katërfishin e pensionit social, por shuma e pensionit, që i takon sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, plus këtë shtesë, të mos kalojë tetëfishin e pensionit social.”, thuhet në vendim.

Ky pension jepet për një kategori të veçantë qytetarësh që kanë dhënë kontribut të shquar në shoqëri dhe që kanë bërë emër në karrierën e tyre, të tillë; si aktorët; këngëtarët; shkrimtarë me emër; veteranë; shkencëtarë; sportistë, etj njerëz që dallohen për merita të veçanta. Efektet financiare, nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2015, llogariten në shumën 445 000 (katërqind e dyzet e pesë mijë) lekë dhe do të përballohen nga fondi i buxhetit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në bazë të legjislacionit pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë ata persona që: kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në Luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta; kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës apo kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist.

Për të përfituar këtë lloj pensioni, duhet bërë një kërkesë, propozim për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror nga: personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; titullarët e Ministrive, ku punon përfituesi përkatës; kryeministri; kryetari i Kuvendit; presidenti i Republikës. Kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentat, si vijojnë: fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile; vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse merr pension dhe masën e pensionit; vërtetim të KMCAP-it për personat e paaftë për punë; Kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë meritat e veçanta si titujt, medaljet, urdhrat etj; kopjen e noterizuar të Statusit të të përndjekurit politik.

Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë personat e sipërpërmendur si shtesë mbi pensionin që iu takon nga sigurimet shoqërore, ose si pension nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore. Me ligjin e vjetër pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të ishte më i ulët se pensioni bazë dhe as më i lartë se dyfishi i pensionit bazë, të miratuar në momentin e lindjes të së drejtës. Por pensioni bazë me skemën e vjetër ishte më i lartë se pensioni social me skemën e re sot, (pensioni bazë ishte 12 mijë lekë dhe pensioni social është 7 mijë lekë). Kjo do të thotë se me vendimin e djeshëm Qeveria e ul shumën e pensionit të posaçëm që iu takon artistëve dhe të tjerë figurave të shquara të vendit.

Vendimi i plotë i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 02 Shtator 2015

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.429, DATË 12.9.2002, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUSHTET E PËRFITIMIT, SHUMËN DHE PROCEDURËN E DHËNIES SË PENSIONEVE TË POSAÇME SHTETËRORE DHE TË SHTESAVE TË PENSIONEVE TË POSAÇME SHTETËRORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 6, e vendimit nr.429, datë 12.9.2002, të Këshillit të Ministrave ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se dyfishi i pensionit social dhe as më i lartë se katërfishi i tij.
Kufiri maksimal i shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror të jetë deri në katërfishin e pensionit social, por shuma e pensionit, që i takon sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, plus këtë shtesë, të mos kalojë tetëfishin e pensionit social.”.

2. Efektet financiare, nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2015, llogariten në shumën 445 000 (katërqind e dyzet e pesë mijë) lekë dhe do të përballohen nga fondi i buxhetit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button