Qeveria zviceriane, 6.6 milionë euro për zhvillimin e insfrastrukturës së gazit në Shqipëri
Qeveria zviceriane përmes sekretariatit të shtetit për çështjet ekonomike SECO, i ofron Shqipërisë një grant prej 6.6 milionë euro për zgjerimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së gazit.
Për të konkretizuar këtë, në Tiranë u nënshkrua të mërkurën marrëveshja nga Ambasadorja e SECO-s, Beatrice Maser, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri e konsideroi grantin e dhënë nga qeveria zviceriane si mjaft të rëndësishëm për ndërtimin e kapaciteteve të brendshme për shpërndarjen e gazit në vend.
“Asistenca e qeverisë zviceriane nëpërmjet kësaj marrëveshje bën të mundur që përdorimi i gazit të jetë një realitet në Shqipëri”, tha Gjiknuri.
Ai shprehu gadishmërinë për të rritur bashkëpunimin me qeverinë zviceriane në fushën e energjisë, konkretisht për efiçencën energjitike.
Ndërkohë ambasadorja zviceriane, Beatrice Maser theksoi se qeveria e Zvicres do të mbështese qeverinë shqiptare edhe në fusha të tjera.
Por theksoi ajo, duhet bërë më shumë në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor, që sipas saj është edhe një ndër 5 rekomandimet e progres raportit për Shqipërinë.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani, në fjalën e tij vuri në dukje se financimi prej 6.6 milionë eurosh përmes grandit të qeverisë zviceriane do të ndihmojë Shqipërinë në zgjerimin e përdorimit të gazit në vend.
Krahas kësaj marrëveshjeje, SECO ka kontribuar në Shqipëri edhe në një sërë projektesh të tjera, në vlerë prej mbi 77 milionë euro, përfituese e një pjese të të cilave është edhe Ministria e Financave.