Ekonomia

QKR: Po rritet aplikimi online i bizneseve

Biznesi po rrit regjistrimet online në QKR dhe vetëm ditën e djeshme u regjistruan në mënyrë elektronike 500 biznese të reja.

Shmangia nga radhët nëpër sportelet e QKR-së po lehtëson procesin e regjistrimit përmes plaformës elektronike online.

Burimet nga QKR pohojnë se fushata ndërgjegjësuese në media po jep rezultatet e veta, pasi lehtësirat që ofron kjo platformë regjistrimi jo vetëm që i kursen kohë biznesit, por dhe e mëson me gjithë shërbimet që ofron portali qeveritar e-Albania.

Sipas QKR-së, regjistrimi i një biznesi fillestar në rrugë elektronike zgjat deri në 20 minuta dhe është i thjeshtë.
Për aplikimin online, biznesi duhet të krijojë profilin e tij në portal nëpërmjet hedhjes së të dhënave të kartës së identitetit në e-Albania (që automatikisht verifikohen në databazën e gjendjes civile).

Krijimi i profilit të biznesit verifikohet me dy mënyra: nëpërmjet kartës së identitetit verifikohen të dhënat e individit në Regjistrin e Gjendjes Civile si dhe në Regjistrin e QKR-së, ku verifikohet ekzistenca e biznesit dhe ku kërkohet ndihma e ekspertëve.

Nisur nga avantazhet e regjistrimit online, vetëm në ditët e para të muajit shtator, u regjistruan 4,847 biznese, ose 3,8 herë më shumë se në vitin 2014.

Burime në QKR pohojnë se ky aplikim bëhet pa pagesë apo kosto shtesë dhe shihet si një proces që do të forcojë besimin reciprok të administratës dhe biznesit, pasi garanton aplikime të sigurta, shërbime të shpejta, të pandërprera, pa kosto, rrit transparencën dhe ul korrupsionin.

Por deri tani po vërehen disa probleme, që lidhen me adresa jo të sakta të bizneseve, mungesa të kontratave të rregullta të qirasë, të cilët krijojnë vështirësi në aplikimet online.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button