Qumështi, dhjetë dyshime, dhjetë përgjigje
Qumështi dhe prodhimet e tij sa të demonizuara aq edhe të pakuptueshme. Kërkimet shkencore tregojnë se ai mund të jetë i rrezikshëm nëse me të abuzohet, ashtu si edhe me ushqimet e tjera. Ja se çfarë duhet të dini tjetër
Të pimë apo të mos pimë qumësht?! Ashtu siç ndodh shpesh, kur bëhet fjalë për ushqime të cilat përfshijnë aspekte etike ose besime pak a shumë të bazuara, rriten edhe dyshimet. Ja një listë me argumentet më të përhapura në favor dhe kundër përdorimit të këtij ushqimi me origjinë shtazore. Por si qëndron e vërteta? Në shumicën e rasteve, është si gjithmonë, e vërteta më e madhe qëndron në mes.
- A është e vërtetë se pirja e qumështit në moshë të rritur është e panatyrshme?
“Qenia njerëzore është e vetmja ‘kafshë’, e cila vazhdon të pijë qumësht edhe pas shkëputjes së ushqyerjes me gji”, dëgjojmë të thuhet shpesh për të theksuar se nuk duhet të konsumojmë qumësht. Por në fakt, “një shembull i rëndësishëm i një mutacioni të dobishëm, që ka ndodhur përgjatë evoluimit njerëzor, është aftësia për të konsumuar laktozë në moshën e rritur”, kjo sipas mjekut gjenetist, Luca Cavalli Sforza.
- A është e vërtetë se konsumimi i qumështit mund të favorizojë sëmundjet kardiovaskulare?
Qumështi përmban yndyra shtazore dhe si i tillë, sipas kritikuesve të tij, favorizon sëmundjet kardiovaskulare. Por ndërkohë, studimi i publikuar te “American Journal of Clinical Nutrition” dhe i kryer nga studiuesit holandezë të Universitetit të Wageningenit, tregon se si pirja e qumështit redukton si rrezikun nga hipertensioni, ashtu edhe atë të goditjeve në zemër. Nga e gjithë kjo mund të dilet në përfundimin se nuk janë yndyrat shtazore ato të rrezikshmet, por abuzimi që bëhet me marrjen e tyre, siç ndodh me të gjitha llojet e ushqimeve, shtazore apo vegjetale qofshin ato.
- Qumështi u bën mirë apo keq kockave?
Një tjetër bindje shumë e përhapur është ajo sipas së cilës, qumështi acidifikon gjakun dhe është shkaktar i osteoporozës. Duhet theksuar se futja e substancave acide dhe bazike, nuk e ndryshon PH në gjak, i cili qëndron stabël në 7,4.
Nëse kjo nuk do të ndodhte, ne mund të vdesim në pak minuta. Pra organizmi ynë është ndërtuar nga një sistem i tillë ekuilibri, i cili është në gjendje të “trajtojë” substancat, si ato acide edhe bazike, në mënyrë që të neutralizoheshin dëmtimet e mundshme.
- Konsumimi i shumtë i qumështit mund të shkaktojë gurë në veshka?
Një studim i kryer nga Universiteti i Parmës dhe i publikuar në “New England Journal of Medicine”, ka evidentuar se si gurët në veshka nuk lidhen aspak me konsumimin e qumështit dhe të nënprodukteve të tij.
- A është e rrezikshme që qumështi të pihet i papërpunuar?
Rasti i qumështit të papërpunuar (të zier) shpërtheu në dhjetorin e vitit 2008 me përhapjen e distributorëve të qumështit të menaxhuar nga fermerët, ku u verifikuan raste të helmimit me E.Coli O 157.
Rrezikshmëria e qumështit krudo vjen nga kontaminimi potencial bakterial, që mund të ndodhë gjatë mjeljes e që mund të shkaktojë një shumëllojshmëri të sëmundjeve, duke përfshirë antraksin e brucelozës, tuberkulozin, salmonelën etj. Pra, para se ta konsumoni valojeni mirë.
- A e stimulon zhvillimin e tumoreve kazeina (proteina) e qumështit?
Një studim mbi këtë përgjigje është trajtuar shumë nga “China Study” (studimi kinez), ku mjaft eksperimente janë realizuar te minjtë laboratorikë dhe kjo gjë rezultonte të ishte e vërtetë, pra, proteina e qumështit me emrin kazein, zhvillonte tumoret te këta minj.
- A të shëndosh qumështi?
Qumështi mund të shkaktojë rritje të peshës në bazë të sasisë së konsumuar, konfirmon një studim i kryer nga Shkolla e Mjekësisë së Harvardit. Por një studim tjetër i publikuar në “Medicine and Science in Sport and Exercise”, ka theksuar se pirja e qumështit në vend të ujit gjatë bërjes së ushtrimeve fizike, rrit masën muskulare dhe ul atë yndyrore. Ndërkohë, një hulumtim tjetër i “International Journal of Obesity” ka demonstruar se konsumimi në masë të madhe i qumështit dhe nënprodukteve të tij, me kalimin e kohës shkakton një rritje të vogël të peshës dhe sidomos të belit.
- Më mirë qumështi i freskët apo ai i konservuar?
Në rastin e qumështit të konservuar ju do të fitoni në kohë, por do të humbni në cilësi. Valimi i tij nga kompanitë e përpunimit dhe të ambalazhimit, në temperatura të mëdha (në mënyrë që të mos prishet për 4-5 ditë), shkakton humbjen e përqindjeve të shumë vitaminave (A,C, B1, B6,B12).
- Qumësht për të tërë jetën apo me moderim? Cili është konsumi ideal?
Udhëzimet shkencore për një ushqyerje të shëndetshme rekomandojnë konsumimin e qumështit dhe të nënprodukteve të tij për të gjithë jetën. Për sa i përket konsumit ideal, ju duhet të pini tre racione në ditë (375 ml) qumësht ose kos, si dhe të hani tre racione djathë (100 gr) në një javë.
- Ata që janë intolerantë nga laktoza, duhet ta eliminojnë fare qumështin nga dieta e tyre?
Kjo varet nga organizmi i çdokujt që vuan nga intoleranca e laktozës. Pra është specifike. Ndaj përgjigjja më e mirë për këtë rast janë analizat te mjeku specialist.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.