Ekonomia

Raiffeisen Bank sekuestron Kurum, kërkon kredinë 3 milionë dollarë

Pas shpalljes së falimentit nga Kurum në fund të shkurti të këtij viti, Raiffeisen Bank ka sekuestruar aktivet e kompanisë më të madhe të prodhimit të çelikut në vend. Shoqëria Përmbarimore “E.P.S.A” sh.p.k., ka kërkuar bllokimin e kuotave/aksione dhe e të drejtave që rrjedhin nga zotërimi i aksioneve për debitorët: -1 Shoqëria “KURUM INTERNATIONAL”sh.a., me NUIS(NIPT) K02727230T dhe administrator Yusuf Sezai Kurum. 2- Hasmet Kurum, deri në një urdhër të dytë nga përmbaruesi gjyqësor.

Sipas të dhënave nga E.P.S.A bllokimi është bërë për një kredi të pashlyer prej 3 milionë dollar, sipas një kontrate kredie të shtatorit 2014. Dy ditë më parë, guvernatori i bankës së Shqipërisë pohoi se Kurum mund të rrisë kredinë e keqe të bankave në Shqipëri me rreth 1 pikë përqindjeje, ndërkohë që prodhuesi i çelikut e ka ekspozimin më të lartë ndaj institucioneve ndërkombëtare financiare.

Kreditë e Kurum

Janë një sërë institucionesh financiare, banka rajonale e vendase që kanë qenë të ekspozuar ndaj kompanisë së prodhimit të çelikut dhe energjisë, që shpalli falimentin për qëllime ristrukturimi së fundmi.
Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e grupit të Bankës Botërore, ka pohuar për “Monitor” se në fund të vitit 2013, IFC ka qenë pjesëmarrëse në një paketë borxhi për Kurum prej 106 milionë eurosh, së bashku me kreditorë të tjerë.
Huaja është marrë nga Kurum në kuadër të privatizimit të katër hidrocentraleve Bistrica 1, 2, Ulëz dhe Shkopet, me fuqi totale të instaluar 76.7 MË, që ajo i bleu nga qeveria shqiptare për rreth 109 milionë euro në fillim të vitit 2013. Krahas IFC, borxhi është bashkëfinancuar nga hua paralele nga Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi (BSTDB), Banka Kombëtare Tregtare dhe Raiffeisen Bank Albania. Financimi gjithashtu përfshin hua B nga FMO (Netherlands Development Finance Company), IFC, dhe Odeabank (dega turke e bankës Audi-Lebanon).

Sipas raportit “Shqipëria, Partneriteti i Grupit të Bankës Botërore, Vështrim i Programit” të publikuar nga Banka Botërore, pjesa e financuar nga IFC është 30 milionë euro.
Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi (BSTDB), një bankë rajonale ka gjithashtu një ekspozim mbi 30 milionë euro te Kurum. Ajo, sipas burimeve zyrtare nga faqja e internetit, i ka dhënë kompanisë së prodhimit të çelikut dy hua, të parën prej 20 milionë eurosh në vitin 2011 (dhënë për të rritur prodhimin, ndërkohë që plotësoheshin standardet e BE-së për mjedisin, shëndetin dhe sigurinë në punë) dhe të dytën prej 18 milionë eurosh në fund të 2013-s, në kuadër të paketës së huave prej 106 milionë eurosh, të përmendur më lart.

Nga bankat vendase mësohet se ekspozimin më të lartë e ka Raiffeisen. Në total, sipas bilancit, Kurum ka rreth 300 milionë euro detyrime, gjysma e të cilave ndaj bankave e institucioneve financiare e pjesa tjetër ndaj të tretëve.
Së fundmi Pro Credit dhe NBG kanë kërkuar bllokimin e kuotave të Kurum për mos kthim kredie.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button