Rama: 5 % taksë për 140 mijë $ xhiro, s’e ka asnjë vend i rajonit
Kryeministri Edi Rama vizitoi një sipërmarrje të përpunimit të drurit dhe të arredimit në Kashar, e cila është krijuar dhe drejtohet nga një sipërmarrës, që punën dhe përvojën e 24 viteve në emigracion e ka investuar në këtë biznes.
Biznesi, i cili po konsolidohet nga viti në vit, duke rritur gradualisht edhe xhiron vjetore, do të përfitojë nga lehtësia më e fundit fiskale e qeverisë, tatimi mbi fitimin nga 15 në 5%, si rezultat i rritjes së pragut të xhiros vjetore deri në 14 milionë lekë, të cilën sipërmarrësit e shohin si një mundësi për të zgjeruar aktivitetin dhe investuar në teknologji moderne.
“E kanë xhiron nën 80 milion lekë, por çdo vit që kur është kthyer nga Greqia kanë vetëm rritje në biznesin e tyre. Janë nga ato bizneset e reja, që kanë krijuar emigrantët e kthyer në Shqipëri, që kanë marrë me vete edhe gjithë aftësitë andej dhe çdo vit, ne kemi vëzhguar nga tatimet, sesi rritet xhiro”, u shpreh Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj.
Drejtuesi i sipërmarrjes shprehet i kënaqur që kërkesa për prodhimet e tij, sa vjen dhe shtohet, duke i dhënë mundësi që jo vetëm të rrisë xhiron vjetore, por edhe të paguajë një taksë më të ulët. “Sivjet kemi dhe me shumë porosi normalisht. Deri vjet xhiro vjetore ka qene tek 8 milionë lekë të reja. Kjo nuk na jepte mundësi të zgjeroheshim si biznes. Këtë vit, nga 8 milionë do të shkojmë në 14. Kjo gjë na jep mundësi që ne të zgjerohemi si biznes, të shtojmë punëtorët. Gjithashtu ai 15 % tatim-fitim që është bërë 5%, na jep më shumë dorë që të ecim më përpara dhe të shtojmë punëtorët.”.
Duke inkurajuar sipërmarrësit që të rrisin numrin e të punësuarve, Kryeministri tha se me rritjen e xhiros vjetore deri në 14 milionë lekë që përfiton nga tatimi mbi fitimin 5%, biznesi i vogël çlirohet nga informaliteti dhe deklarimet abuzive, të cilat bëheshin për të mos paguar detyrimin prej 15% të tatim-fitimit.
“Ky është dhe qëllimi. Këtë gjë ne do të kishim dashur ta bënim më përpara, por nuk i kemi patur mundësitë. Janë krijuar mundësitë për ta bërë dhe gjithë ideja kjo është, që atë që ndodhte në pragun 80 milionë, aty ku praktikisht ezaurohej vetëm me 5% taksën e fitimit dhe kalonte në 15%, – ta shmangim, sepse mblidheshin të gjithë aty dhe normalisht, edhe ju keni qëndruar aty poshtë për të mos e nxjerrë kokën sipër, që të merrnit trefish goditje fiskale.
Aty është një fashë e tërë që kishte hile, informalitet, gënjeshtra për të gënjyer njëri-tjetrin. Tani besoj që kjo çlirohet komplet, sepse deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit me 5 % taksë, nuk e ka asnjë vend i rajonit. Na intereson shumë punësimi, ngaqë ju do të rrisni investimin për t’u zgjeruar, sepse nuk do të keni më frikë që po të kaloj këtë, do më vijë trefish taksa. Na intereson shumë për këto lloj investimesh prodhuese që janë shumë pozitive për tregun vendas, por edhe për eksportet, sepse janë shumë nukle të tilla që kanë kapacitete profesionale për t’ju përgjigjur eksportit.”
Ndërkohë, Kryeministri këshilloi se një menaxhim i mirë i të ardhurave, në raport me punonjësit, do të jetë shumë më dobiprurës për vetë sipërmarrjen. “Duhet ta ndani fitimin me punëtorët në sensin që ata jetojnë në një familje që prodhon dhe fiton edhe ta ndjejnë si pjesë të tyre këtë gjë e jo që thjesht vijnë këtu për të punuar dhe trajtohen thjeshtë si punëmarrës, por edhe si pjesë e zhvillimit.
Aty ku punëtorët ndjehen si aksionerë të ndërmarrjes, në kuptimin pjesëmarrës, pasi pronari kujdeset edhe për disa aspekte që janë përtej asaj që “kjo është rroga”, aty kompanitë ecin shumë më mirë. Ke njerëz me energji pozitive që japin gjithçka nga vetja,”- u shpreh kryeministri. Sipërmarrësi premtoi se “ 10% fitimi i ynë do të shkojë tek rrogat, tek punëtorët tek makineritë e teknologjisë së re”.