Politika

Rama: Arsimi profesional, investim dhe garanci për zhvillim ekonomik

Arsimi profesional është një investim për Shqipërinë që duam, garanci për zhvillim ekonomik kombëtar e familjar dhe motor punësimi.

Kështu deklaroi dje kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e diplomimit në shkollën profesionale të Tekonologjisë së Informacionit dhe Komunikimit “Hermann Gmeiner”, në Tiranë.

Duke vlerësuar këtë shkollë elitë për TIK, e ideuar dhe ndërtuar sipas modelit austriak, kryeministri Rama u shpreh se “ky sistem është një pikë referimi se si duhet të jenë të gjitha shkollat e arsimit profesional në Shqipëri”.

Ai shprehu ambicien e qeverisë që deri në fund të këtij 4-vjeçari të kemi nga një shkollë të arsimit profesional në çdo bashki të vendit, që të jenë shkolla të binjakëzuara me shkolla simotra të një vendi, ku arsimi profesional është model i mirëfilltë zhvillimi. “Kështu po ndërtohen edhe 8 shkollat e reja që janë në proces dhe me këtë llogjikë do të shkohet më tutje”, tha Rama.

Duke e cilësuar ceremoninë e diplomimit në këtë shkollë, si kurorëzimin e një përpjekje për të ndërtuar një vatër të mirëfilltë ekselence në arsimin profesional, Kryeministri risolli në kujtesë problemin e madh të punësimit në Shqipëri, pikërisht për shkak të dështimit të sistemit të trashëguar të arsimit profesional.

“Historia është e pamëshirshme kur vjen puna tek arsyet pse në Shqipëri është një problem i madh punësimi. Kjo shihet kur vjen puna për të ndihmuar, mbështetur e inkurajuar për punë njerëz që nuk dinë të bëjnë asnjë gjë, për shumë arsye, por në radhë të parë sepse askush nuk u dha mundësinë të mësojnë të bëjnë diçka. Sado të komentohet me mënyra të ndryshme ajo shprehja e popullarizuar që ‘punë ka, por nuk ka profesionistë’ është dramatike e vërteta e shumë ndërmarrjeve sot që kanë punë, por nuk arrijnë dot të gjejnë njerëzit e duhur për të”, u shpreh Rama.

Arsimi profesional, tha Rama, është mundësi, investim dhe shtysë kryesore për punësimin e individit.

Duke u ndalur te masat që po merr qeveria për inkurajimin e kualifikimit të personave dhe orientimin e tyre drejt tregut të punës, Rama tha se “po bëhet një përpjekje e madhe për të punësuar ata që kanë dalë nga ndihma ekonomike dhe nuk kanë asnjë kualifikim dhe aftësi të dedikuar për një punë”.

“Ndaj, ne kemi vendosur t’i japim 55 mijë lekë në dorë, një shifër e barabartë me mesataren e ndihmës ekonomike, për t’u trajnuar dhe punësuar”, tha Rama.

Por sipas tij, në këtë shkollë kemi një situatë tjetër, sepse nxënësit e saj dalin nga shkolla me një aftësi të spikatur për punë, në një sektor ku tregu ka nevoja të mëdha që do të vijnë duke u zgjeruar.

Kjo do të jetë arsyeja, sipas tij, se pse ata që bëjnë arsimin profesional në TIK të kenë probabilitetin më të lartë për t’u punësuar. “Janë 20 për qind më të punësueshëm se ata që bëjnë arsimin e lartë. Ata që mbeten vetëm me arsimin e përgjithshëm shkojnë në punë më pak të paguara, dhe janë më shumë në numër, ndërsa ata që mbarojnë arsimin profesional kanë 12 për qind më shumë mundësi që të gjejnë punë”, tha Rama.

Vendet më të zhvilluara të Europës, sipas Ramës, kanë një sistem arsimi profesional shumë solid.

“Nëse vendet më të zhvilluara të Europës e përballuan më lehtë krizën e rëndë që kaloi gjithë Europa, kjo lidhet me sistemin shumë solid të punësimit të bazuar te arsimimi profesional. Ne jemi larg shumë akoma, por nëse kthejmë kokën pas, shikojmë se nga rreth 3 mijë nxënës që figuronin në arsimin profesional fantazëm, pasi shkollat ishin jashtë çdo lloj kushti, sot kemi të regjistruar 25 mijë e 300 studentë në arsimin profesional. Pra kemi 20 për qind të totalit, edhe pse ende janë pak në krahasim me atë që duhet të jenë për t’iu përgjigjur tregut të punës”, shtoi Rama.

Në një anketim me sipërmarrjen dhe investitorët e huaj për pengesat që ndeshin për të investuar më shumë në Shqipëri, sipas Ramës, pengesa e parë nuk janë as taksat, legjislacioni, apo gjykatat, por mungesa e krahut të kualifikuar të punës.

Adresimi i kësaj mungese, vijoi Rama, është domosdoshmëri. “Kemi nisur ta bëjmë që në fillim të qeverisjes tonë, por kërkon edhe kohën e vetë që të arrijmë në pikën ku të kemi një ekulibër mes nevojave të tregut dhe krahut të kualifikuar të punës, që del nga arsimi profesional”, shtoi Kryeministri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button