Opinion

Rama-Basha dhe një teori e vogël konspiracioni

Skender Minxhozi

Pse u mbyll aq me nxitim dhe surprizë Çadra e opozitës? Pse marrëveshja Rama-Basha prodhoi fushatën më të qetë të 26 vjetëve të fundit, që solli në jetë  edhe rezultatin më të parashikueshëm që mund të imagjinohet në 25 qershor? Përse në këtë frymë të papritur paqëtimi (dhe dorëzimi pa kushte), që pasoi natën e 17 majit, Sali Berisha, fajkoi historik i të djathtës shqiptare, i zhyti thellë në vezmen e tij legjendare, plumbat dhe barutin që rëndom i përdorte kundër të majtës? Madje e quajti 17 majin “një fitore për të gjithë shqiptarët”! Përse më vonë, kur rezultati doli dhe gjysma e PD kërkonte kokën e kryetarit, sërish ish-kryeministri ishte në krye të listës së atyre që donin shpëtimin dhe rizgjedhjen e Bashës? Pse hyri në garë me aq nxitim Eduard Selami, duke legjitimuar indirekt një fushatë që përndryshe do të ishte thjesht farsë dhe asgjë më tepër? Përse ai ishte sërish i pari që humbi, por edhe i pari që pranoi rezultatin dhe ofroi bashkëpunim me kryetarin e rizgjedhur?

Përse në gjithë këtë katrahurë, kryeministri Rama heshti me stoicizëm për shumë javë, ndërkohë që çdo politikan rrace do ta kishte shfrytëzuar sadopak amullinë në kampin kundërshtar? Përse ju dorëzua edhe një herë në dorë kryetarit humbës partia më e madhe e së djathtës, megjithëse në kurrikulën e lidershipit të tij ka arshivuar vetëm humbje therëse, qysh nga korriku i vitit 2013? Përse Rama nuk thotë thuajse asgjë për ministrat e djathtë që vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, edhe kur tagri i tyre i vetëm, kontrolli i administratës gjatë fushatës, ka kohë që është konsumuar?

Këto pyetje dhe hamendje mbështjellin si një mjegull e trashë mëngjesi, prej më shumë se dy muajsh, jo vetëm mendjet e hutuara të përkrahësve të së djathtës shqiptare, që panë rezultatin shokues të 25 qershorit, por më gjerë edhe të gjithë opinionin publik, i cili u mësua me vështirësi me ndryshimin dramatik të gjendjeve në skenën tonë politike, në kapërcyellin e verës së këtij viti. Topitja kapi gjithkënd që kishte ndjekur me shqetësim tonet luftarake dhe kërcënuese të Çadrës, e që papritur, brenda harkut të pak orëve, asistoi në një mrekulli politike që klasa jonë drejtuese s’e ka pasur “për zakon” të prodhojë, për aq sa mbajnë mend të moçëm e të rinj në këtë vend.

Marrëveshja që vendosi mandatin e dytë qeverisës të Edi Ramës dhe opozitën e dytë të Partisë demokratike, u poq në kushte që lenë shumë për të hamendësuar. Një heshtje varri që pasoi një prag lufte. Një qetësi olimpike që i zuri vendin një beteje thuajse finale. Një shtrëngim duarsh e supesh, që spostoi në mënyrë spektakolare akuzat për hashash dhe thirrjet për tërheqje zvarrë.

Ka diçka që duket sikur nuk shkon në gjithë këtë mes. Diçka që i jep të drejtë teorive të konspiracionit, atyre mendjeve dyshuese që na thonë me ngulmim se e gjitha kjo ka qenë një lojë e madhe politike. Shqiptare dhe e huaj. Një nga ato lojra që nuk kanë mbaruar, por që sapo kanë nisur. A duhet besuar vërtetë diçka e tillë? Pra, që krerët politikë “më të rëndë” të këtij vendi, përjashtuar Ilir Metën dhe një dyzinë liderësh periferikë, të kenë rënë dakord, pas muajsh e vitesh përplasjesh brutale, që t’i japin rrugë një paqeje të qëndrueshme dhe mbi të gjitha afatgjatë?

Duket si një pjesë teatri, si një hapësirë pas perdesh, ku po luhet një truk i madh që ndjehet në ajër, shihet në sytë e në gjestet e protagonistëve, në veprimet a mosveprimet e tyre, por që askush nuk e pranon se po ndodh. Rama, Basha dhe me shumë gjasë edhe Berisha, duket se janë futur qysh në natën e 17 majit, në një spirale kompromisesh që vazhdon të kushtëzojë sjelljen dhe vendimmarrjet e tyre. Edhe tani kur kutitë e zgjedhjeve kanë nxjerrë fituesin dhe humbësin më të qartë të imagjinueshëm. Basha hesht më shumë sesa flet, Berisha gjuan me “pambukun” e Facebook-ut të tij, Rama dialogon me popullin, pa shkrepur asnjë fishek djathtas. Të gjitha shenjat janë që 17 maji vazhdon të mbetet në këmbë. Deri kur?! Kjo është pyetja një milionëshe.

Nëse vërtetë egziston një projekt politik mes Ramës dhe Bashës pas 17 majit, rizgjedhja e kryetarit demokrat ishte dhe mbetet parakushti i palëvizshëm. Tani që cikli është mbyllur me qëndrimin e Bashës në postin e tij, me betimin e presidentit Meta dhe rrugëtimin drejt Kuvendit të ri, kjo skemë e supozuar mund të fillojë të marrë formë.

Dhe këtu qëndron nyja e vërtetë e asaj që mund të jetë vendosur në 17 maj. Cila do të jetë e ardhmja e marrëveshjes që solli paqen elektorale? A do të ketë një bashkëpunim çfarëdo mes PS e PD, siç përflitej rëndom para zgjedhjeve? Shifrat e 25 qershorit e kanë bërë numerikisht të pavlerë një afrim mes Ramës dhe Bashës nën çatinë e një qeverie të madhe koalicioni. Të paktën në optikën që ai imagjinohej para zgjedhjeve. Por zhvlerësimi është vetëm shifror, jo politik. Sepse vetë Rama e di mirë se në parlamentin e ardhshëm nuk do të ketë më përballë një, por dy opozita. Njëra prej tyre, ajo e LSI, po premton luftë qysh të nesërmen e zgjedhjeve të qershorit. Duke u afruar eventualisht me PD, PS do të ulte edhe më tej peshën dhe vlerën e partisë së Metës në Kuvend. Duke siguruar krahët nga një bashkim i mundshëm forcash, me kalimin e kohës, mes faktorëve opozitarë në parlament.

Nga ana tjetër, reformat e mëdha që tashmë figurojnë në tekstin e marrëveshjes së 17 majit, janë më të mundshme në formën e një vijimi negociate me Bashën, sesa me LSI, e cila në parim do ta bënte të vështirë çdo shtrëngim duarsh me Edi Ramën. Sidomos në kushtet kur njerëzit e LSI në qeverisjen qëndrore, po fillojnë të largohen në shifra të ndjeshme.

Në këto kushte mbetet të shihet se çfarë forme konkrete do të kishte dhe sa larg do të shkonte një bashkëpunim politik eventual mes dy partive të mëdha. Një koalicion i madh duket pak i mundur, siç thamë, për shkak të konfigurimit që krijuan zgjedhjet. Për më tepër që Basha do ta ketë më të vështirë se në 17 maj, që ta justifikojë një lëvizje të tillë ekstreme, në kushtet kur brenda PD është ende e fortë ndjesia se afrimi me Ramën i kushtoi rëndë Partisë Demokratike në zgjedhje.

Përtej kësaj, nuk do të ishte aspak e pamundur që mes dy palëve të ketë një kanal të hapur komunikimi e bashkëpunimi, për të çuar në pozicione të përafërta në lidhje me reformat e administratës, zgjedhjeve dhe hapave drejt integrimit europian. Vitrina e 17 majit, e paqartë, hermetike dhe e dyshimtë, vijon të jetë gjithaq tërheqëse, befaquese dhe tunduese për një masë të madhe shqiptarësh, të cilët përjetuan zgjedhjet më të qeta falë asaj nate, kur dy burra që shaheshin nga mëngjesi në darkë, vendosën të ulin mrekullisht armët./Javanews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button