Politika

Rama: Bashkëpunim i ngushtë me Azerbajxhanin, hapa konkrete për projektin e gazifikimit të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “me Azerbajxhanin do të punojmë shumë ngushtësisht për gazifikimin e Shqipërisë dhe në këtë aspekt hapi i parë shumë i rëndësishëm është nisja e një pune konkrete për gazsjellësin joniano-adriatik, i cili e kthen Shqipërinë në një nyje shumë të rëndësishme të shpërndarjes së gazit”.

Në një intervistë pas vizitës zyrtare në Azerbajxhan, Rama informoi se “kemi vendosur të nisim një proces për të fuqizuar marrëdhënien tonë bilaterale përmes energjisë dhe turizmit”.

“Me presidentin Aliyev jemi në kontakt prej kohësh dhe kemi krijuar një miqësi shumë të mirë, edhe falë faktit se nga njëra anë kemi në mes një mik të madh të përbashkët, presidentin Erdogan, nga ana tjetër, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Shqipëria ka qenë një mbështetëse e palëkundur e kauzës së Azerbajxhanit për rikthimin e një pjese të territorit nën sovranitetin e vet. Me këtë vizitë, ne faktikisht kemi hedhur një hap të rëndësishëm, jo se kështu duhet thënë kur bëhet një vizitë, por sepse faktikisht kemi vendosur të nisim një proces për të fuqizuar marrëdhënien tonë bilaterale përmes energjisë dhe turizmit”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se “do të punojmë shumë ngushtësisht për gazifikimin e Shqipërisë dhe në këtë aspekt hapi i parë shumë i rëndësishëm është nisja e një pune konkrete për gazsjellësin joniano-adriatik, i cili faktikisht përmes TAP-it lidh pjesën e sipërme që do të thotë Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë, Bosnjën dhe faktikisht e kthen Shqipërinë në një nyje shumë të rëndësishme të shpërndarjes së gazit”.

Nga ana tjetër, Rama informoi se “në takim u fol edhe për t’u ulur së bashku, ekspertët shqiptarë, ekspertët azerë dhe ekspertët turq për të eksploruar mundësinë e ndërtimit të një rafinerie të re”.

“Ashtu sikundër kemi folur edhe për të pasur nga ana e Azerbajxhanit investime në turizëm, duke pasur parasysh edhe shembullin e shkëlqyer që Azerbajxhani ka dhënë në Malin e Zi, me ndërtimin e një infrastrukture ultra moderne mikpritjeje. Vitin e ardhshëm ne kremtojmë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Azerbajxhanin dhe do të jetë një vit me lajme të mira, qoftë për sa i përket konfirmimit të këtyre që kemi rënë dakord, qoftë për sa i përket hapjes së një kapitulli tjetër për 10-vjeçarin e ardhshëm”, shtoi ai.

Rama tha se “së shpejti në Tiranë do të kemi një hap të parë shumë të rëndësishëm për sa i përket këtij kapitulli të ri që ka të bëjë me një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e furnizimit me gaz të Shqipërisë dhe të rajonit, si dhe pastaj për rrjedhojë edhe të shtrirjes së rrjetit të furnizimit të brendshëm me gaz të Shqipërisë”.

Rama shtoi se “investimet janë gjithnjë të lidhura me hapa të njëpasnjëshëm, me studime, me projekte, me financime kështu që nuk janë gjëra që ndodhin sa hap e mbyll sytë, por në këtë marrëdhënie ne i kemi vendosur bazat dhe një pengesë e madhe ka qenë pandemia, e cila ndërhyri në mes në mënyrë shumë agresive e në ndërkohë ndër shumë të këqijat e mëdha që ka sjellë lufta në Ukrainë, ka sjellë të mirën, nëse mund ta quajmë kështu, të përshpejtimit të këtij procesi”.

Ndërkohë, Kryeministri informoi se takimet me kryetaren e parlamentit dhe kryeministrin e Azerbajxhanit kanë qenë komplementare me takimin shumë të gjatë dhe shumë intensiv që pati me presidentin Aliyev.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button