Rama-deputetëve: Nuk bëj ndryshime në qeveri për tekat e asnjërit në PS
Durrës
Shuhen pakënaqësitë brenda grupit. Largime vetëm nëse ndonjë ministër përfshihet në skandale
ARTEMISA HOXHA
Kryeministri Edi Rama konteston zërat për ndryshime në qeveri, duke deklaruar se ato do të realizohen vetëm në rast se ministrat e tij përfshihen në ndonjë skandal. Ky ka qenë qëndrimi i prerë i Kryeministrit në mbledhjen rreth 8-orëshe të zhvilluar me dyer të mbyllura me grupin parlamentar të PS-së. Sipas burimeve në mbledhje mësohet se Rama iu është drejtuar deputetëve se “nuk bëj ndryshime për tekat e asnjërit në grupin e PS-së”. Një ditë para fillimit të sesionit të ri parlamentar, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi në qytetin bregdetar të Durrësit të gjithë deputetët e majtë, për t’iu dhënë në këtë mënyrë udhëzimet për sesionin e ri. Mbledhja e ndarë në dy pjesë, është përshëndetur në radhë të parë nga vetë kreu i partisë, i cili gjatë fjalës së tij ka shuar përfundimisht thashethemet për një ndryshim të kabinetit qeveritar. Burime brenda grupit bëjnë të ditur se gjatë mbledhjes, Kryeministri Edi ka theksuar se nuk do të ketë ndryshime të tjera në qeveri përveç zëvendësimit të Ilirjan Celibashit me Ermonela Felajn. Sipas tij, nëse do të jetë e domosdoshme një ndryshim në kabinetin qeveritar, ky do të vijë pas një arsye shumë të fortë për largimin e një ministri që mund të jetë përfshirja e tij në një skandal, që do të dëmtonte jo vetëm personin, por dhe imazhin e qeverisë së majtë. Duke rikonfirmuar edhe këtë sesion ministrat në detyrë, Rama nuk la jashtë vëmendjes edhe përmirësimin e disa aspekteve të funksionimit të marrëdhënies së qeverisë dhe grupit parlamentar. Pas diskutimit të kryesocialistit Rama, fjalën e mori kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi. Para deputetëve të pranishëm Rucci në diskutimin e tij u përqendrua për nisjen e fillimit të sesionit të ri parlamentar si dhe frymën konstruktive që duhet të ketë në grup për një sesion pozitiv për të majtët dhe një bashkëpunim të ngushtë për reformat që do të ndërmerren nga kjo qeveri.
Por, nuk kanë munguar as replikat gjatë mbledhjes së djeshme, të cilat kanë pasur në fokus autoritetin e deputetëve, lidhjet e tyre me zonën elektorale, qëndrimin ndaj punësimit, dhe investimeve në zonat elektorale, si dhe nevojën për një institucion të funksionimit të raporteve mes deputetëve, partisë dhe qeverisë. Për të shuar këto “rebelime” mësohet se Rama ka bërë të ditur ngritjen e një sekretariati të veçantë në Kryeministri për marrëdhëniet me deputetët. Ndërsa është diskutuar dhe për Kodin e Etikës së Grupit të PS-së, me të cilët deputetët shprehën vullnetin se nuk do të dalin nga qëndrimet për votimet e ligjeve në Parlament.
Kritikat
Mësohet se mbledhja ka pasur fillimisht tone kritike sidomos nga deputetët me përvojë të Partisë Socialiste si Arta Dade, Bashkim Fino, Fatmir Xhafaj, por dhe nga disa të tjerë që edhe më herët kanë shprehur kritika ndaj qeverisë. Pas fjalës së Ramës dhe Ruçit deputetët, ku disa prej tyre mësohet se u larguan, drekuan në ambientet e një hoteli privat në qytetin bregdetar. Çdo gjë ishte parapërgatitur nga kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Pjesa e dytë e mbledhjes së djeshme, që zgjati deri në orët e pasdites u përqendrua në diskutimet e deputetëve. Edhe pse ligjvënësit kishin rreth një muaj pushime nga sesioni i kaluar, ata, sipas një komunikimi që iu është bërë në mbledhjen e fundit të grupit, duhet që të ishin në terren për të dëgjuar shqetësimet e elektoratit të majtë në mbarë vendin. Pikërisht shqetësimet e shumta në lidhje me punësimet në administratë dhe pretendimet e elektoratit se nuk janë mbajtur premtimet për t’u punësuar kanë qenë në fokus të diskutimit në pjesën e dytë pas mbledhjes. Në lidhje me këto, kryesocialisti ka siguruar se qeveria do të ketë vëmendjen e duhur ndaj shqetësimeve të tyre dhe ata do të ndihen përfaqësues të pushtetit në zonat elektorale.
Në lidhje me këtë, në mbledhje u vendos që të ngrihen katër grupe pune, të cilët do të kenë si qëllim njëkohësisht edhe koordinimin e deputetëve për problemet e tyre me qeverinë. Grupi i parë kishte pikërisht si qëllim atë të koordinimit të deputetëve për problemet e tyre me qeverinë. Grupi i dytë do të përgjigjet për cilësinë e ligjeve dhe rekomandimin e qëndrimeve për deputetët ndaj tyre. Ndërkohë që ky grup ka si qëllim tjetër të shikojë paraprakisht ligjet në Kuvend, dhe duhet të bëjë rekomandimet për qëndrimin e grupit. Mësohet se grupi i tretë do të skanojë burimet njerëzore në administratën shtetërore në çdo qark për të shmangur emërimin e njerëzve problematikë, të paaftë apo me ndërhyrje nepotike. Strategjia elektorale e PS-së, në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme vendore, ishte qëllimi i grupit të katërt të punës që u ngrit. Secili prej grupeve do të përgatisë një raport që do t’ia paraqesë grupit parlamentar në fund të shtatorit. Pas përfundimit të mbledhjes së gjatë, vetë kreu i qeverisë Rama ka zgjedhur që nëpërmjet një statusi në Twitter të falënderojë deputetët si dhe të konfirmojë dhe një herë përkushtimin e grupit të majtë parlamentar për reformat që do të ndërmerren në sesionin e ri parlamentar. “E diel e frytshme e grupit parlamentar për sesionin e ri, reformat e mëtejshme, punën në ekip. Përkushtim për Shqipërinë”, përfundon Rama statusin e tij. Edhe deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, konfirmon gjithë angazhimin e grupit të majtë parlamentar në përmbushje të objektivave të programit të qeverisë. “Fillim i mbarë i punës për sesionin parlamentar. Shumë punë na presin për të përmbushur një nga një objektivat e programit qeverisës”, shkruan deputetja e PS-së. Teksa partia më e madhe në pushtet duket më e bashkuar dhe e vendosur për ecjen përpara me reformat dhe zbatimin e programit të qeverisë pas mbledhjes së djeshme, tjetër frymë vihet re tek e djathta. Ajo vijon ende me vendimin për të mos marrë pjesë në seancën e parë parlamentare të sesionit të ri. Gjithsesi pritet që para fillimit të punimeve të seancës plenare, të ketë edhe një mbledhje të grupit parlamentar demokrat, për të marrë në këtë mënyrë vendimin përfundimtar nëse do të jenë apo jo të pranishëm në seancë.
Axhenda e re, Kryeministri tre orë takime në javë me deputetët
Risi në mbledhjet e grupit parlamentar socialist çdo të hënë në mesditë, të kthyera tashmë në traditë për deputetët e PS-së, konsiderohet fakti se ata pas kësaj mbledhjeje do të takohen individualisht me Kryeministrin Rama. Kjo është diskutuar dje në mbledhjen e gjatë të grupit të PS-së, ku mësohet se Kryeministri do të rezervojë tri orë për takime individuale me deputetët dhe me ministra për problemet e tyre për autoritetin e tyre në zonat elektorale, marrëdhëniet në grup apo dhe vendimet e tyre në votimet e projektligjeve. Gjithashtu pjesë e diskutimit ishte dhe çështja e hartimit të rregullores së brendshme të grupit, rregullore që u iniciua në mbledhjen e mëparshme pas “rebelimit” të disa deputetëve të PS-së gjatë diskutimit dhe votimit të disa projektligjeve. Në lidhje me transmetimin e çdo problemi pranë Kryeministrit do të ketë një sekretare të veçantë për marrëdhëniet me deputetët. Në lidhje me marrëdhëniet e deputetëve me qeverinë, nuk kanë qenë të rralla rastet kur në komisionet parlamentare, nga vetë drejtuesit e majtë, janë kritikuar ligjet e ardhura nga disa ministri. Sot mblidhet seanca e parë plenare, ku do të kalojnë për votim pesë dekretet e Presidentit Nishani, të cilat u rrëzuan këtë të premte në komisionet parlamentare. Ky sesion do të jetë shumë i ngarkuar, për shkak se mazhoranca ka paralajmëruar nisjen e reformës në drejtësi në muajin shtator.
Vendimet për krijimin e grupeve
1. Grupi i punës për rregulloren e marrëdhënieve deputet-qeveri;
2. Grupi i punës për cilësinë e legjislacionit;
3. Grupi i punës për skanimin e cilësisë së burimeve njerëzore në administratë;
4. Grupi i punës për organizimin elektoral të PS.