Kronika

Pranverën tjetër, gati Qendra e Urgjencave. 140 autoambulanca çdo ditë

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në përurimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës.

Shërbimi i ri i Urgjencës Mjekësore ka kaluar në një fazë të re me ngritjen e Qendrës Kombëtare të Urgjencës, nga ku do të koordinohen urgjencat mjekësore në të gjithë territorin.

Në godinën e re, ku janë investuar 143 milionë lekë për ndërtimin dhe pajisjet teknologjike, do të instalohet sistemi dixhital i marrjes së urgjencave të çdo lloji dhe përgjigjes në kohë reale, nëpërmjet një numri telefonik të unifikuar, pa pagesë. Shërbimi i ri i qendërzuar zëvendëson sistemin e urgjencës deri më sot të decentralizuar, i cili nuk arrinte t’i plotësonte kërkesat e qytetarëve për këtë shërbim.

“Deri më sot, mbulimi i urgjencës mjekësore ka qenë i organizuar në bazë spitali apo rajoni dhe ka mbuluar kryesisht qytete dhe një pjesë të fshatrave. Kjo strukturë e trashëguar nuk garantonte në të gjitha rastet, marrjen e thirrjes për ndihmë, pasi numrat e urgjencave ishin të ndryshëm, qendrat e koordinimit pa asnjë sistem të informatizuar regjistrimi të të dhënave, përfshirë edhe numrin e telefonit të qytetarit që kërkon ndihmë, gjë e cila në shumë raste ka sjellë fatkeqësi vetëm për shkak të humbjes së komunikimit dhe të pamundësisë për t’ju përgjigjur thirrjes për ndihmë”, u shpreh kryeministri.

Shërbimi i ri i Urgjencës synon arritjen e standardeve europiane, përdorimin me sa më efikasitet i mjeteve dhe personelit në territor. Sistemi i ri dixhital do të jete i lidhur me një ekran ku do të shfaqet harta e Shqipërisë dhe vendndodhja e çdo autoambulance, duke ndjekur në kohë reale lëvizjen e tyre. Një personal prej 90 specialistë dhe një flotë prej 140 autoambulancash do të jenë në shërbim çdo ditë, 24 orë.

“Në sistemin e ri dixhital do të kemi një ekran ku do të kemi të gjithë hartën e Shqipërisë dhe në çdo moment vendndodhjen e çdo autoambulance duke ndjekur në kohë reale lëvizjen e tyre”, shpjegoi ministri Beqaj.

“Ky qendërzim e sjell shërbimin në kohë reale pranë qytetarit në nevojë. Garantohet një shpejtësi 10-15 minuta nga çdo pikë ku flota e urgjencës do të jetë e shpërndarë, në çdo pikë ku do të ketë nevojë për praninë e urgjencës. Do të kemi 140 autoambulanca dhe hartëzimi në territor do të mundësojë që t’i përgjigjemi në kohë reale qytetarëve. Brenda pranverës së ardhshme, Qendra Kombëtare e Urgjencave Mjekësore do të jetë plotësisht funksionale dhe i gjithë sistemi i dixhitalizuar për marrjen e thirrjeve pa pengesë përmes një numri unik dhe për dhënien e komandave në kohë reale, duke ndjekur në kohë reale gjithë lëvizjet e autoambulancave në territor, do të sjelli një ndryshim themelor në raportin e shtetit me qytetarin në këtë shërbim”, u shpreh kryeministri Rama.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, Skënder Brataj, tha se si rezultat i riorganizimit është bërë një përdorim më efikas i mjeteve, duke bërë të mundur që të kalohet nga një autoambulancë për 43 mijë banorë në një autoambulancë për 25 mijë banorë.

“Investimi për Urgjencën Kombëtare ka qenë në shifrën 1.15 miliardë lekë. Numri i autoambulancave në territor ishte 70. Nuk i shtuam, por autoambulancat që kishim po i përdorim në mënyrë efikase, duke e kaluar nga një autoambulancë për 43 mijë banorë në një autoambulancë për 25 mijë banorë. Këto janë standardet ndërkombëtare të çdo shteti perëndimor të përparuar. Pacienti me keqësim të sëmundjes do të shkojë në spitalin e duhur, me personelin e duhur dhe me pajisjet e duhura, ky është qëllimi ynë”, theksoi Brataj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button