Politika

Rama: Doalog po, zgjedhje të parakoshme e qeveri tranzitore jo

Në kohën që Parlamenti ka mbetur pa opozitë, kryeministri Rama ka zgjedhur të komunikojë sot pasdite, drejtpërdrejt me qytetarët përmes rrjeteve sociale, veprimin e opozitarëve për të djegur mandatet.
Ai tha se opozita ka vepruar në këtë mënyrë për interest vetjake.

“Kanë interesa partiake që synojnë përcarjen e zgjedhjeve. Duhet të përpiqemi, të shohim sa më qartë dhe të refletojmë sa më thellë, duke nisur nga vetja pastaj duke parë rreth e rrotull. Opozita ka konsumuar një akt të panjohur të vendeve me zgjedhje që nga demokracitë perëndimore deri tek regjimet hibride”,- tha Rama.

Pavarësisht se opozita la mandatet, kryeminsitri i vendit Edi Rama la të kuptohet se e vetmja rrugë bashkëpunimi me ta është ulja në një tryezë dialogu dhe jo zgjedhjet e parakoshme e qeveria tranzitore e kërkuar nga opozita. Ai tha se qeveria tashmë do shërbejë me më shumë përulësi, ndërsa ka moto bashkëpunimin.

“Zgjedhjet do jenë në qershor dhe në vitin 2021. Qasja dhe ndërveprimi ynë me demokratët nuk do mungojë, dora e dialogut për opozitën do jetë e shtrirë. Jeta e tyre parlamentare mbaroi për këtë legjislaturë, por jeta e tyre politike vazhdon. Ne do shërbejmë me përulësi ndaj njerëzve të këtij vendi. Ata që ikën do bëjnë çmos të përçajnë më shumë, ne që jemi këtu do bëjmë të pamundurën të bashkojmë më shumë”,- tha kryeministri.

“Jam zgjedhur dy herë kryeministër. Herën e parë me shumicën e një koalicioni partish dhe herën e dytë me shumicën absolute të partisë që drejtoj”, theksoi Kryeministri.

Ai analizoi situatën e zgjedhjeve më të fundit, që opozita pretendon se janë vjedhur, pretendim ku është ngritur edhe veprimi politik për djegien e mandateve.

“Opozitës iu dhanë të gjitha portofolet që kërkoi, përfshirë Ministrinë e Brendshme si dhe disa agjenci shtetërore, që sipas saj ishin të lidhura me ndikimin në zgjedhje, plus kryetarin e KQZ-së. Iu dha gjithçka tjetër që kërkoi, me synimin e vetëm moskontestimin e zgjedhjeve dhe mospërbaltjen e vendit. U firmos marrëveshja e orës së fundit mbi këtë dakordësi. Së pari, zgjedhjet nuk u kontestuan, faji iu la popullit që i ndëshkoi me 1 milion shuplaka. Ata nuk reflektuan se humbën herën e parë dhe kjo është arsyeja përse humbën herën e dytë”, – tha Rama.

“Paqja zgjati sa ëndrra e një nate vere, në vjeshtë nisi përbaltja e Shqipërisë dhe kontestimi i zgjedhjeve, që sot kapi një kulm të ri”, – tha Rama.

“Shqipëria e sotme ka halle e probleme, unë nuk jam as i rënë nga qielli dhe, as i pagabueshëm. Kam bërë gabime, po kam ditur sidoqoftë edhe të reflektoj, edhe të tërhiqem e të them ‘më fal’ më shumë se një herë. Po ashtu reagimet e mia ndaj tyre nuk janë për tu mbajtur mend me krenari, por jam stërmunduar për t’i dëgjuar dhe për t’i respektuar të gjithë, e jam tërhequr më shumë se një herë kur kam kuptuar se kishin të drejtë protestuesit e jo qeveria”, – tha Rama.

“Sulmohem përditë e përnatë papushim, jo vetëm nga grupe gojëpërdala të opozitës zyrtare, po nga lloj-lloj tipash, kanal më kanal, deri në fis e farë. Kam hyrë në një borxh të pashlyeshëm me fëmijët, gruan, nënën që mbajnë pesha të rënda dhe krejt të pamerituara balte e stresi, por e kam pranuar si haraçin e madh të privilegjit që më kanë zgjedhur të drejtoj punët e atdheut tim”, – theksoi Kryeministri Rama.

“Në një vend ku sekreti më i madh publik ishte vjedhja si sport kombëtar, që nga energjia e uji, deri te shkumësat e shkollave, te vrasësit e përdhunuesit që nxirreshin nga burgu me lejen e ministrit të Drejtësisë për të shoqëruar deputetët e partisë në fushatë elektorale, partisë që sot e ka krimin dhe drogën në majë të gjuhës, e deri në vrasjet ordinere dy herë më shumë se sot, për të mos harruar vrasjet politike nën dritaren e Kryeministrisë, që sot as mund të imagjinohen, paprekshmëria e të fortëve në tribunat e politikës e llogoret e krimit, që nuk i prekte askush e as mund të imagjinohej se mund të çoheshin para drejtësisë”, – theksoi Rama.

Kryeministri tha se “Shqipëria që unë dua dhe për të cilën kam marrë besimin, e kam sot e gjithë ditën së bashku me PS-në, shumicën e popullit me vete, nuk është kjo që kemi”.

“Shqipëria që unë dua dhe luftoj përditë me mish e shpirt është ajo pa familje që nuk arrijnë dot pa lotë fundin e muajit, por këto familje ishin shumë e shumë më tepër. 660 mijë njerëz të pasiguruar që deri dje nuk merrnin asnjë aspirinë, sot shërbehen. Sot abetarja dhe librat falas jepen për të gjithë, e deri në fund të mandatit deri në klasën e nëntë”, – tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button