Rama flet për takimin në Berat: Kokëfortësia kolektive e Poliçanit i dha shije debatit
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë pamje nga takimi i zhvilluar këtë të diele në qytetin e Beratit. Ky takim erdhi në kuadër të takimeve që po zhvillon kryeministri për të folur dhe diskutuar lidhur me Reformën Terrioriale.
Ai theksoi se ky riorganizim nuk cenon ofrimin e shërbimeve në Poliçan, Dimal dhe njësitë e tjera, por synon një administrim më efikas dhe krijimin e mundësive më të mëdha për zhvillim dhe investime në territor.
“Më thoni çfarë mendoni ju se do të dëmtohet në rast se do të bëhet bashki. Kur më thua rruga, e më thua shërbimi, këto nuk ndryshojnë. Nuk do të ikin shërbimet nga Poliçani, nga Dimali ose nga askund. Përkundrazi, këto nuk ndryshojnë. Në raport me çfarë keni, ndryshon vetëm një gjë; nuk do të keni kryetar bashkie të zgjedhur.
Nuk ndryshon godina, nuk ndryshon stafi, nuk ndryshon numri i shërbimeve që bëhen, në kuptimin nuk ulet, se duhet shtuar. Ti thua distanca? Ça lidhje ka distanca? Ato shërbime që ti merr sot në Poliçan ose në Dimal, do t’i marrësh po aty. Pra, bashki, qytet, njësi administrative. Dhe qyteti Poliçan, qyteti Dimal do të kenë drejtuesin e tyre, do të kenë këshilltarët e tyre në Këshillin Bashkiak të bashkisë Berat, me kuota.
Më thoni dhe një gjë tjetër, komunat janë më mirë sot apo ishin më mirë kur ishin veç, se këto biseda unë i kam dëgjuar “mot a mot” në kohën e reformës 2015; “do na ikë kjo, do na ikë ajo; jo distanca; ohu, sa larg është Poliçani, ne jemi këtu te komuna jonë; sa larg është qendra e Urës, ne jemi te komuna jonë; ne kemi këtë, kemi atë, kemi kryetarin e komunës…
Ndodhi ndonjë gjë e kësaj natyre? A janë sot, a kanë marrë më shumë investime komunat se ç’bënin më përpara apo kanë marrë më pak? Investimet e komunave nga iu erdhën? Nga vetja? Iu erdhën nga bashkimi”, u shpreh ai gjatë takimit.
Rama gjithashtu ka komentuar në postim edhe debatet të cilat u zhvilluan gjatë diskutimeve teksa shkruan se kokëfortësia e qytetarëve nga Poliçani dhe Dimali i dhanë takimit shijen e një ballafaqimi të posaçëm.
“Sot në Berat, ku kokëfortësia kolektive e Poliçanit dhe këmbëngulja e disa zonjave të mirëpërgatitura të Dimalit, i dhanë diskutimit shijen e një ballafaqimi të posaçëm”, shkruan Rama në “Facebook”.
Gjatë takimit përfaqësuesit e Poliçanit kanë kërkuar të marrin fjalën për të paraqitur problematikat që lidhen me zonën e tyre.
Gjatë diskutimit, situata është tensionuar pas një reagimi të Kryeministrit Rama ndaj pjesëmarrësve. Përplasja verbale është vijuar edhe me kryebashkiakun e Poliçanit, Adriatik Zotkaj, si dhe me aktoren Egla Ceno.
Debati ka bërë që përfaqësia e ardhur nga Poliçani të largohet nga salla, duke ndërprerë pjesëmarrjen në dëgjesën për Reformën Territoriale në shenjë proteste ndaj zhvillimit të takimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.