Politika

Rama: Himara, e rilindur nga ndarja e re

Kryeministri, takime në bregdetin e Jugut të Shqipërisë për investimet e reja

rama-inspketimeEcuria e sezonit turistik dhe sistemimi i zonave të plazheve të Dhërmiut dhe Borshit ishin në qendër të bashkëbisedimit të Kryeministrit Edi Rama me banorët e fshatrave të bregdetit. Në ndalesën e parë në Dhërmi, Rama vizitoi kampin e vullnetarëve, një iniciativë e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, për plazhe të pastra, një bashkëpunim ky mes Forcave të Armatosura, vullnetarëve, si dhe pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë civile. “Falë kësaj pune, theksoi Kryeministri, këtë vit bregdeti është shumë më i pastër krahasuar me vitet paraardhëse. Në takimin me banorët e Dhërmiut dhe drejtuesit lokalë, Kryeministri bëri të ditur për banorët, se në shtator çelet konkursi ndërkombëtar për bregun e Himarës së Re dhe për rehabilitimin e fshatrave të saj, me synimin final, zhvillimin ekonomik të Himarës së rilindur nga ndarja e re territoriale”. Më pas, Kryeministri Rama vijoi vizitën në fshatin turistik të Borshit, hyrja në plazhin e të cilit do të bëhet tashmë nëpërmjet rrugës së re të saporikonstruktuar “Qazim Pali”. Ky segment rrugor, me gjatësi dy km, që lidh rrugën nacionale Sarandë-Vlorë me plazhin e Borshit, është një investim me vlerë mbi 100 milionë lekë, i rehabilituar në kuadër të projektit “Përmirësimi i rrugëve dytësore dhe lokale”, me financim të qeverisë shqiptare dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Sipas “Top Channel”, në takimin me banorët e Borshit, Rama u ndal në efektet që ndarja e re territoriale do të ketë për komunitetet. “Besojmë se vitin tjetër do të mund të flasim për më shumë gjëra dhe do të kemi vënë në vijë më shumë investime. Këtë vit kemi vendosur në dispozicion të zonës një investim të atillë që s’është bërë në shumë vite të marra së bashku. Në sistemin energjetik, në atë rrugor dhe për modelin e parë të zhvillimit të ri urban, siç është shëtitorja e Qeparoit që fillon në fund të këtij muaji”, deklaroi Rama. Shefi i qeverisë njoftoi edhe disa plane të qeverisë për të investuar në këtë zonë. “Kemi gati dhe jo gati me fjalë, por ka filluar realizimi i projektit të rehabilitimit të rrjetit të furnizimit me energji të gjithë zonës. Janë dy nënstacione të reja që do të ndërtohen dhe financimi për to është garantuar. Kështu besojmë që zgjidhim përfundimisht problemin e madh që hasni ju dhe gjatë sezonit turistik të gjitha strukturat hoteliere të nivelit shumë të ulët të tensionit”, deklaroi Rama. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka identifikuar rreth 160 projekte rehabilituese në infrastrukturë, ku përfshihen ujësjellës dhe rrugë që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit, si dhe në rikonstruksionin e trashëgimisë kulturore dhe të gjitha burimet e interesit turistik dhe zhvillimor të zonës.

 Kume: Referendumi i pamundur, nuk bëhet për të atakuar një ligj

Ish-kreu i KQZ-së nuk mund të realizohet para zgjedhjeve lokale

Pretendimi i disa njësive vendore për referendum lokal, është i pamundur. Ky është qëndrimi i ish-kryetarit të KQZ-së, ekspertit për çështjet e zgjedhjeve, Kristaq Kume, i cili shprehet se shpjegimi ligjor është se referendumet lokale nuk kanë fuqi për të atakuar një ligj. “Nëse do i referohemi Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kodit Zgjedhor, mundësia për të realizuar një referendum lokal është i pamundur të bëhet, pasi ato bëhen për qasje të qeverisjes vendore dhe jo për të atakuar një ligj apo pjesë të një ligji. Kjo mund të realizohet vetëm përmes një referendumi popullor, i cili kërkon mbledhjen e 50 mijë firmave”, deklaron Kume për “News 24”. Ai përjashton edhe mundësinë e një referendumi popullor, para zgjedhjeve lokale të 2015-s, argumentin e tij Kume e mbështet në ligj. “Nëse mbajmë parasysh afatet ligjore të vendosura në pjesën e Kodit Zgjedhor, ku trajtohen këto çështje është e pamundur të realizohet vitin që vjen, por ai mund të organizohet pas zgjedhjeve vendore, pasi kërkesa duhet të bëhet brenda 15 marsit të vitit që vjen dhe në një vit zgjedhor nuk mund të realizohen referendumet e përgjithshme”, sqaron eksperti. Shkurtimi drastik i njësive të qeverisjes vendore, prek procesin e administrimit zgjedhor. Për këtë arsye, eksperienca në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e bën Kristaq Kumen, që të sugjerojë që ndarja e re territoriale duhet të shoqërohet me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Hartimi i një harte të re, prek procesin e administrimit zgjedhor. Ndaj reforma zgjedhore duhet të nisë menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar, pasi në Kodin Zgjedhor duhen të pasqyrohen ndryshime në funksion të rekomandimeve të dhëna nga vëzhguesit vendorë të OSBE/ODIHR-it, por edhe pse zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në bazë të hartës së re. Ndryshimet në krahasim me hartën e mëparshme janë të mëdha, gjë që mbi të gjitha kërkon ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, veçanërisht dhe domosdoshmërish në pjesën e administrimit të procesit. Jemi në kushtet kur zgjedhjet do të bëhen për 61 njësi”, thekson Kume. Një vit nga zgjedhjet lokale, ish-kreu i KQZ-së vlerëson se struktura piramidale e administrimit zgjedhor duhet të ketë një hallkë tjetër shtesë. “Komisioni i qeverisjes vendore në nivelin e bashkisë, komisioni i administrimit zgjedhor brenda bashkisë dhe nën to komisionet e qendrave të votimit”, shton Kume.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button