Rama: Integrimi në BE nuk mund të presë, por kemi ende shumë punë për të bërë
Kryeministri Edi Rama në fjalën hyrëse në Samitin BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes që po zhvillohet në Tirane e ka cilësuar si një moment vendimtar për rajonin por edhe për Bashkimin Evropian.
Rama e cilësuar atë si një qasje të re të integrimit gradual që bashkon rajonin rreth reformave, konvergjencës ekonomike dhe kohezionit rajonal.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se pavarësisht progresit të shënuar vitet e fundit në afrimin ekonomik mes gjashtë vendeve të rajonit dhe BE-së, mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Ai theksoi se qytetarët e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të presin anëtarësimin e plotë për të prekur përfitimet konkrete.
Ai nënvizoi se mbështetja financiare dhe integruese e BE-së kushtëzohet drejtpërdrejt nga rezultatet konkrete dhe zbatimi i reformave.
“Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në një takim që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat që kemi përpara. Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Nuk ka aspak dyshim se është një moment tejet vendimtar edhe për Europën. Ne kemi qenë entuziastë për nisjen e këtij procesi të ri, që në njëfarë mënyre vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në tri dimensione: reformat, konvergjenca ekonomike dhe kohezioni rajonal.
Na duhet të themi se vitet e fundit konvergjenca mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është rritur. Megjithatë, ka ende shumë rrugë për të bërë. Ne të gjithë kemi mbrojtur idenë se qytetarët tanë s’duhet të presin për të korrur përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët. Qytetarët tanë duhet të gëzojnë që tani, gradualisht, të drejtat që gëzojnë qytetarët e BE-së.
Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe të bëjmë reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi”, tha Rama ndër të tjera.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.