Rama: KiE të vendosë në vend nderin e vet
Nga Selia e Këshillit të Europës në Strasburg, Kryeministri Edi Rama deklaroi se me raportin e Dick Marty-t është vënë në pikëpyetje nderi i Këshillit të Europës dhe jo i Shqipërisë, e as i Kosovës.
Gjatë një prononcimi për mediet shqiptare, menjëherë pas fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, rreth pavërtetësisë së raportit të Dick Marty-t, i cili shërbeu si bazë për ngritjen e Gjykatës speciale të Kosovës, pas pretendimeve se krerët e UÇK ishin të përfshirë në një trafik organesh të robërve serbë të luftës dhe krime të tjera të pagjykuara ndaj tyre, Rama shprehu bindjen se e vërteta do të shkojë në vend.
“Këtu nuk është nderi ynë në pikëpyetje, nderi i Kosovës jo e jo. Këtu është nderi i Këshillit të Evropës që është në pikëpyetje. Këta duhet të vënë në vend nderin e tyre. Nderi ynë është në vend”, deklaroi Rama.
Duke folur për reagimin e disa anëtarëve të Asamblesë pas fjalës së tij, Rama tha se i mirëkuptonte, pasi siç u shpreh ai, “ishte një bombë në mes të mexhelisit ku është gatuar ajo çorbë”.
“Fakti që pati kaq debat tregon që mesazhi shkoi në thellësi. Natyrisht, mirëkuptoj të gjithë reagimin, sepse është normale që të ndjehen të shokuar dhe po kaq normale të më fajësojnë mua pse shokohen dhe jo arsyen që më solli mua këtu dhe historinë që është vërtet shokuese. Jam i bindur që kur të hyjnë më thellë do ta shikojnë që gjëja është edhe më e rëndë sesa e thashë unë. Është normale të kenë rezerva, sepse në nuancat e fjalës së disave, u kuptua se u ndjenë të fyer në punën e tyre. Por, unë nuk erdha këtu as t’i fyej, as të vë në dyshim qëllimin e mirë, por me një qëllim të mirë është bërë një vepër e shëmtuar dhe gabim tragjik. Dhe unë jam i bindur që çdo gjë do të shkojë në vendin e duhur, sepse e vërteta e Kosovës nuk mbulohet dot nga asnjë lloj hipokrizie dhe nga asnjë lloj sederprekjeje të askujt, askund. Është normale, është një bombë në mes të mexhelisit ku është gatuar ajo çorbë dhe unë nuk akuzoj askënd për asnjë qëllim të keq, por unë përsëri them se është gatuar një çorbë e shpifur në përpjekje për të gatuar një ushqim të mrekullueshëm”, deklaroi Rama.
Lidhur me reagimin e deputetes serbe dhe mundësisë se mund të ndikojë në marrëdhëniet me Serbinë, Rama u shpreh se gjërat duhen thënë dhe se e vërteta dhemb, por shëron.
“S’kam asnjë shqetësim, gjërat duhen thënë. E vërteta dhemb, por shëron. E vërteta është e zbardhur, nuk ka asnjë fakt apo provë, përveç kanaleve të fantazisë së gjeneralit të gjallë të ushtrisë së vdekur”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se historia e organeve të trafikuara nga shqiptarët shkon përtej Hashim Thaçit dhe ushtrisë së Kosovës, prek gjithë kombin shqiptar.