Rama në Serbi, masa të forta sigurie në Beograd, të njëjta si me vizitën e Putinit
Vizita e kryeministri Edi Rama në Serbi do të paraprihet nga masa të forta të sigurisë nga autoritetet vendase. Sipas gazetës serbe “Kurir”, mijëra policë dhe agjentë policie do të kujdesen për mbarëvajtjen e vizitës së Ramës më 10 nëntor në Beograd.
Sipas kësaj të përditshmeje, që i referohet burimeve policore të Beogradit, nuk dihet akoma nëse kreu i qeverisë shqiptare do të ecë në këmbë, por nëse do të ndodhë diçka e tillë, policia do të marrë masa shtesë për mbrojtjen fizike të tij dhe delegacionit shqiptar që do ta shoqërojë atë.
“Kurir” shkruan më tej se masat e sigurisë që do të merren për Ramën, janë të ngjashme me ato që autoritetet policore serbe kanë marrë edhe për vizitën e Presidentit të Rusisë Putin dhe të zv.presidentit amerikan Xhon Baiden.
Rama do të qëndrojë në një hotel të Beogradit me pesë yje të quajtur “Hyatt”.
Vizita e Ramës në Beograd ishte planifikuar të kryhej më 22 tetor, por pas incidenteve të dhunës gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri, ku tifozët vendas hynë në fushë dhe goditën lojtarët kuqezinj, udhëtimi u shty për më 10 nëntor, pas një bisede telefonike me kryeministrin serb Vuçiç.
Ata ranë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit ishin tejet të padëshiruara. Mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t’u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.