Kronika

Si do të funksionojë sistemi i urgjencës mjekësore në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë e pranon publikisht se sistemi i urgjencës mjekësore në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar. Për këtë arsye, ka krijuar një skemë sesi do të funksionojë, ndërsa qendra është ngritur. Ditët e fundit, ministria që drejtohet nga Ilir Beqaj ka akorduar plot dy miliardë lekë të vjetra për të blerë pajisje kompjuterike dhe elektrike.

Sipas dokumenteve që disponon gazeta “Shqip”, kjo ministri thotë se situata aktuale funksionon në mënyrë të decentralizuar, ku çdo rajon menaxhon urgjencat e tij. Në të gjithë territorin e Shqipërisë, janë rreth 36 pika të urgjencës mjekësore. Operatorët telefonik në vendin tonë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë mundësuar një infrastrukturë telefonike në vitin 2007 për të gjithë vendin. Çdo operator, lokalizon thirrjen e abonentit të tij në bazë rajoni, dhe e rrugëzon atë drejt pikës së urgjencës të atij rajoni. Kjo infrastrukturë paraqet mangësitë e saj në menaxhimin e duhur të rasteve të urgjencës dhe në infrastrukturë.

Në këto dokumente thuhet se objektivi kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë është të sigurojë një shërbim shëndetësor cilësor. Përmes këtij projekti synohet të përmirësohet shërbimi kombëtar i urgjencës mjekësore duke investuar në teknologjisë e duhur në mënyrë që të përmbushet veprimtaria e qendrës kombëtare të urgjencës mjekësore dhe të sigurohet kështu një shërbim i sigurt dhe cilësor i urgjencës kombëtare në dobi të të gjithë qytetarëve. Pjesë e këtij projekti është edhe pajisja dhe përdorimi i një komunikimi të ri midis qendrës dhe mjeteve i cili do të realizohet nëpërmjet tabletave. Kjo për të mundësuar: marrjen e urdhrit të shërbimit nga qendra, dërgimin e statusit të shërbimit drejt qendrës, plotësimin e kartelës mjekësore etj. Është parashikuar një numër i limituar i tabletave në mjetet e ndihmës së shpejtë për ta zgjeruar në të ardhmen këtë zgjidhje komunikimi.

 Në momentin e ardhjes së një kërkese për ndihmë në numrin 112 dhe identifikimit të saj si emergjencë mjekësore, telefonata do të transferohet nga centrali i numrit unik 112 ne centralin e qendrës së emergjencave. Centrali i qendrës së emergjencave duhet të konfigurohet si central i nivelit të dytë dhe duhet të jetë në gjendje të presë të dhënat e identifikimit të thirrjes dhe skedën e ngjarjes, sipas detajeve të normave europiane të emergjencave mjekësore. Në rast se kërkesa për ndihme vjen direkt në numrin e qendrës së emergjencave (në numrin 127), atëherë ajo duhet të kalohet menjëherë tek një operator i lirë. Nëse nuk ka operatorë të lirë, sistemi pasi të ketë identifikuar vendndodhjen e telefonatës, do e transferojë atë në postin e punës në distancë, më të afërt me të. Në momentin e ardhjes së kërkesës në qendrën e emergjencave,operatori i qendrës përqendrohet në marrjen e telefonatës. Numri i telefonit fiks apo mobile duhet të shfaqet automatikisht në ekranin e operatorit të qendrës së emergjencave. Për të mundësuar këtë, autoriteti kontraktor do të vendosë në dispozicion linja dixhitale që mundësojnë identifikimin e numrit të thirrësit. Me marrjen e thirrjes, sistemi i menaxhimit të urgjencave duhet të krijojë automatikisht dosjen e ngjarjes e cila ka një identifikator të sajin dhe të operatorit që pret thirrjen. Në këtë dosje do të plotësohen automatikisht disa të dhëna mbi ngjarjen të tilla si: numri i telefonit thirrës, ora e saktë e thirrjes. Të dhënat që do të merren nga intervista e operatorit me thërritësin, sipas protokollit të përgjigjes do të plotësohen në dosjen e ngjarjes nga operatori gjatë telefonatës, duke përfshirë edhe emër e mbiemër të thërritësit. Në rastet kur ky numër ka telefonuar më parë në qendrën e emergjencave dhe numri i tij është regjistruar në sistem, emri dhe mbiemri do të shfaqen automatikisht nga sistemi. Plotësimi i dosjes së ngjarjes përfundon pasi i sëmuri ka mbërritur në urgjencën e spitalit, dhe plotësohet nga operatori përkatës i urgjencës duke hedhur në dosje të gjitha të dhënat e nevojshme. Personeli i pajisur me tablet në këtë fazë, plotësimin e dosjes mund ta kryejë nga tableti pasi i sëmuri ka mbërritur në urgjencë dhe janë marrë të dhënat e tij. Sistemi duhet të jetë në gjendje të presë informacion nga operatorët telefonikë në lidhje me CLI dhe ALI, për të mundësuar lokalizimin të thirrjeve bazuar në të dhënat që merr nga operatori i telefonisë nga i cili vjen thirrja. Në këtë moment, harta kartografike që ndodhet të një nga monitorët duhet të pozicionohet automatikisht në zonën që ka lidhje me telefonatën duke ofruar informacion mbi vendndodhjen e tij. Në të njëjtën kohë, operatori kryen intervistën telefonike përmes aktivizimit të protokollit të përgjigjes, që mund të jetë i tipit të standardizuar ose i studiuar mbi kërkesat specifike të qendrës, në mënyrë që të rritet niveli i cilësisë të përgjigjes për ndihmë.

Procedura të caktuara në background shënojnë regjistrimin e telefonatës hyrëse dhe masin kohën e përgjigjes dhe të trajtimit të telefonatës. Në fund të intervistës protokolli i përgjigjes përcakton një kod i cili klasifikon rëndësinë e ngjarjes. Ky kod mund të modifikohet nga operatori për motive të vlefshme. Identifikimi i mjeteve të ndihmës së shpejtë në hartën e ekranit do të bëhet përmes GPS me të cilët është pajisur çdo autoambulancë. Pasi përcaktohet me siguri vendi i ngjarjes, sistemi propozon një listë mjetesh të përshtatshme dhe me pajisjet e nevojshme për të përballur emergjencën specifike sipas distancës nga vendi i ngjarjes.

Vlerësimi i distancës mes automjetit të seleksionuar për kryerjen e ndërhyrjes dhe vendit të emergjencës do të bëhet përmes disa përllogaritjeve në një kohë shumë e shkurtër. Sistemi duhet të garantojë mesatarisht një kohë të përgjithshme për kryerjen e tërë procesit, nga përgjigjja ndaj telefonatës deri tek nisja e automjetit duke përfshirë dhe llogaritjen e rrugës, në më pak se 2-3 minuta. Procedurat dhe sistemi automatik garantojnë korrektësi në kohë për trajtimin e ngjarjeve. Korrektësia e procesit do të garantohet nga fluksi dhe nga sekuenca e intervistës duke përfshirë filtrin shëndetësor dhe detyrimin e mbushjes së disa fushave në skedën e ngjarjes.

Kjo fazë, e cila ndjek fazën e parë, do të dërgojë të dhënat e misionit tek automjeti dhe do të monitorojë zhvillimin e përkohshëm të ndërhyrjes. Në veçanti, kjo fazë do të lejojë menaxhimin në mënyrë efikase të dërgimit duke shmangur gabime dhe pasaktësi, duke garantuar kështu korrektësinë e të dhënave. Personeli shëndetësor në automjete do të marrë udhëzime për sa i përket rrugës më të shpejtë dhe të sigurt për të ndjekur për të arritur në vendin e ngjarjes.

  Në fazën e menaxhimit të ndërhyrjes, sistemet aplikative duhet të sigurojnë një ndihmë të çmuar për menaxhimin e drejtë dhe efikas të aktivitetit. Automatizimi i stadeve të ndryshme për avancimin e misionit do t’i delegohet ekuipazhit: në këtë mënyrë do të pakësohet dialogu telefonik dhe përdorimi i radios mes automjetit dhe qendrës operative dhe do të garantohet korrektësi e të dhënave të dërguara për sa i përket orarit, duke qenë se ai është kryesisht i rëndësishëm edhe për dokumentimin e aktivitetit të kryer, në rast se ndodh një diskutim ligjor.

Përfundimi i procesit të menaxhimit të urgjencës do të parashikojë zgjedhjen e spitalit më të përshtatshëm sipas disponibilitetit dhe përshtatshmërisë së ndihmës së kërkuar. Procedura specifike do të ndihmojnë operatorin për të bërë zgjedhjen më mirë të spitalit ku do të dërgojë pacientin. Bashkëpunimi mes qendrës operative dhe automjetit në terren do të jetë strategjik për të garantuar një menaxhim të ndërhyrjes efikas dhe korrekt në kohë, ku të gjithë aktorët duhet të bashkëpunojnë për shkëmbim të dhënash nëpërmjet sistemeve. Bashkëveprimi mes automjeteve të ndihmës së shpejtë në terren dhe i profesionistëve të shëndetit që ndërhyjnë në vendin e ngjarjes do të jetë thelbësor edhe në fazën e trajtimit të pacientit në vend dhe në dokumentimin e shërbimeve të kryera.

Faza e shëndetit përfundon me integrimin mes sistemit të menaxhimit të qendrës operative dhe urgjencës spitalore përmes shkëmbimit të informacionit me njëra tjetrën, me ane te API,për të përmbushur detyrimet informative rajonale dhe kombëtare të njëri-tjetrit.

Stafi i urgjencave spitalore do të jete i pajisur me llogari përdoruesish në sistem, nëpërmjet të cilit do të mund të dërgojnë informacionin e mësipërm.

 Quk-3-640x957

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button