Rama: Opozita ia nis avazit sa herë afrojnë zgjedhjet, pasi nuk fiton dot
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Pukë në takimin “Për Bashkinë që duam”, reagoi ndaj ngjarjeve më të fundit në skenën politike shqiptare, duke e quajtur një moment të vështirësuar në mënyrë krejtësisht artificiale.
“Një moment realisht i turpshëm për vendin, i krijuar artificialisht duke eksportuar në gjithë Europën imazhe skandaloze të vandalizmi mbi godinën e Qeverisë dhe duke marrë përsipër të gjithë këtë sulm mbi jetën institucionale të vendit”, theksoi kryeministri, duke shtuar se kjo rrugë tashmë është e njohur për të gjithë si rrugë e opozitës sa herë afrojnë zgjedhjet.
“Një film i parë sa herë që afrojnë zgjedhjet. Ndërtuan një çadër në mes të bulevardit, bllokuan rrugën dhe bënë çmos që të shmangnin zgjedhjet dhe t’i përdornin ato kundër reformës në Drejtësi. Sot është e njëjta situatë ndërkohë që reforma në Drejtësi po ecën përpara dhe po hyn në fazën e ngritjes së institucioneve duke vijuar në një proces të thellë pastrimi nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, i vihen barrikadë vendit dhe drejtësisë dhe përdorin argumente që janë vetëdiskredituese për këdo që ka veshë të dëgjojë dhe dëgjon me veshët e vet e jo me veshët e tyre”, tha kryeministri Rama.
“Kujt shqiptari që di sadopak për procesin zgjedhor në Shqipëri mund t’i besohet se këta që flasin për blerje votash janë zgjidhja dhe nuk janë problemi. Kujt shqiptari që ka sytë për të parë e nuk sheh me sytë e tyre mund t’i besohet se këta që flasin për korrupsion dhe luftë kundër varfërisë e luftë për drejtësi janë zgjidhja dhe jo problemi. Pikërisht se ishin problemi, ata humbën zgjedhjet. Kjo është arsyeja përse nuk i fitojnë dot zgjedhjet se janë problemi. Kjo është arsyeja përse dalin nga binarët sa herë afrohen zgjedhjet”, theksoi kryeministri Rama.
“Të gjitha janë alibi për t’i ikur ballafaqimit me qytetarët, me zgjedhësit. Jetojmë në një sistem ku vendimet për kë do jetë në qeveri e për kë do jetë në opozitë, i marrin qytetarët në zgjedhje”, theksoi Rama.
“Flasin për zgjedhjet e shkuara, po kush e ka harruar që në zgjedhjet e shkuara ata ishin në qeveri, kishin ministrinë e Brendshme, kishin gjithë institucionet që i kërkuan se medemek ne do përdornim administratën. Atëherë si u blenë zgjedhjet nga ne, kur në qeveri ishin ata. U thamë merrini të gjitha vetëm që njihni rezultatin e zgjedhjeve, por ata humbën dhe nuk kanë shans të fitojnë zgjedhje derisa të kuptojnë se përse humbasin”, vuri në dukje kryeministri Rama. Kryeministri theksoi se opozita ngatërron shumicën e popullit me punonjësit e bashkive dhe mbështetësit fanatikë që i mbledhin për të bërë demonstrime force.
“Shumë keq për ata dhe aspak mirë për vendin. Rruga jonë është përcaktuar nga populli shqiptar në zgjedhje. Ne do zbatojmë kontratën
Që kemi me popullin dhe do të imponojmë atë që ka imponuar populli shqiptar në zgjedhje, në një palë zgjedhje ku qeveria ishte e përbashkët për t’u dhënë legjitimitet”, theksoi kryeministri Rama.
“Të tjerat janë të thjeshta për t’u kuptuar. Përsa kohë ata mendojnë se mund t’i bëjnë shqiptarët për budallenj, ata do i lënë aty ku e kanë vendin e do zvogëlohen gjihnjë e më shumë. Unë di që në ballafaqimin e ardhshëm zgjedhor, në këto zgjedhje apo në ato të vitit 2021, ata do mbeten aty ku janë sot dhe do jenë më pak sesa janë sot”, përfundoi kryeministri Rama.